Plagët e zeza të Jugut

Diskutime, komente dhe pyetje rreth ndotjeve të ndryshme si ndotja akustike, ndotja e tokës, ndotja radioaktive etj.

Plagët e zeza të Jugut

Postonga Edvin » 02 Korrik 2010, 13:36

Nga Ardian Klosi | 02/07/2010 | Shekulli
Pas pesë vjetësh kthehesha në zonën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës ku dikur kishim xhiruar për filmin dokumentar "Gji i kaltër, gji i zi" pamje nga ndotja e tokës dhe e ujërave prej derdhjeve shumëvjeçare të naftës. Këtë herë më interesonin veçanërisht fëmijët që jetojnë në këtë zonë dhe sa i ndiejnë ata efektet e ndotjes, që me sa dinim nuk dukej të qe pakësuar nga projekte a aksione të veçanta në vitet e fundit.

Vajtja në vend ishte e domosdoshme edhe pse nuk kishte asnjë mundësi të mësoje gjë nga institucione qendrore, nga mjekë të specializuar në Tirana e në Fier për gjendjen konkrete si te të rriturit ashtu edhe te fëmijët. Në gjithë këto vite të tranzicionit askush në vend nuk ka ndërmarrë ndonjë studim për pasojat e ndotjes masive të tokës dhe ujërave nga nafta, të përbërësve të gazit natyror mbi shëndetin e njeriut. Alma e Dashamir Banaj, mjekë në Fier, tregojnë se kanë marrë pjesë para afër 2 vjetësh në një projekt holandez që interesohej pikërisht për këtë gjë në zonën e Patos-Marinzës. Grupi i tyre kishte punuar për afër 3 muaj në disa fshatra, ku u mblodhën kampionë të ushqimeve të ndryshme dhe të ujit, u vlerësuan statistika nga një numër të sëmurësh që shfaqnin drejtpërdrejt ose tërthorazi shenja helmimi ose ndërlikime sëmundjesh. Projekti ishte financuar nga BE për t'iu paraqitur Ministrisë shqiptare të Mjedisit. Vetë mjekët pjesëmarrës nuk kishin asnjë dijeni për përfundimet e tij.

Në përgjithësi, sikurse shpjegon dr. Skënder Skënderaj në Tiranë, njëri nga specialistët më të njohur për sëmundjet profesionale, në vendin tonë nuk bëhen studime për lidhjen e ndotjes në mjedis me shëndetin e njerëzve. Tre studimet e fundit, për zonat e Porto Romanos, të Elbasanit (ndotja e Metalurgjikut) dhe për ndotjen nga trafiku i Tiranës janë botuar në vitin 2005, si libra për përdorim të brendshëm nga ministria e Mjedisit. "Janë studime tepër të shtrenjta, kërkojnë aparatura të veçanta, investim të madh në kohë dhe në njerëz", thotë dr. Skënderaj. Takimi me mjekë të tjerë të Fier nuk të çon asnjë hap më tej, sepse sado që kanë vazhdimisht në praktikën e përditshme pacientë me fenolë në gjak, me astma ose bronkite kronike, me tumore më të shpeshta në këto anë, askush nuk të thotë asgjë të saktë. Natyrisht, në radhë të parë, pse asnjë institucion në qendër ose në rreth nuk është i interesuar për të mbledhur statistika dhe për t'i vlerësuar ato. Por, edhe pse janë të frikësuar, në gjithë këta vite janë bërë mosbesues dhe s'kanë dëshirë të japin ndonjë të dhënë. - "Pyet tek Avaro-shpëtimi, më thotë njëri prej tyre, ata janë sektori i Albpetrolit që duhet të shmangin rreziqet nga ndotja". Mezi e ngulita këtë emër: Avaro-shpëtimi. Zyrat i kishin në hyrje të qytetit të Patosit. Mesazhi që shpërndanin drejtori dhe mjeku i këtij sektori, pjesë e Albpetrolit, ishte optimist. Prej kohësh, rastet e helmimit kishin ardhur në zbritje, vitin e fundit nuk kishin pasur thuajse fare. Statistika dhe vlerësime sëmundjesh nuk dispononin. Ekipi i tyre për ruajtjen dhe pastrimin e mjedisit përbëhej nga 100 vetë. Kohët e fundit ishte pastruar një pjesë e mirë e territorit dhe naftë nuk derdhej më në lumenj e kanale. Këtë verë plazhi i Semanit është i pastër, më tha mjeku i Avaros. Në përmirësimin e gjendjes kishte ndikuar marrja e shumicës së puseve në zonën e Patos-Marinzës nga firma kanadeze Bankers që nuk e derdhte më naftën në mjedis. - Sa punonjës ka sot Albpetroli, pyeta. - Rreth 4000 vetë. - E sa ka pasur më parë? - Ehu, dikur ishin mbi 20.000 vetë... Epo natyrisht që do pakësohen rastet e helmimit, veç pak ditë më pare kisha dëgjuar edhe për dhjetëra punonjës të tjerë të kësaj firme shtetërore të nxjerrë në asistencë në Kuçovë. - Sa kohë keni që jeni krijuar si qendër shpëtimi? - 3 muaj...

U largova me pyetjen ngulmuese në kokë që si kishte mundësi të kishte ndodhur pastrim i përgjithshëm territori, pastrim lumenjsh dhe plazhi në një kohë kaq të shkurtër. Nafta është shumë e vështirë për t'u larguar nga toka, pa folur për ujërat nëntokësore, sidomos në një zonë ku është derdhur prej dhjetëvjeçarësh. Sapo kalon fshatin Zharrëz dhe i drejtohesh Marinzës dhe Belinës bindesh për të kundërtën: nuk pashë ndryshim nga 5 vjet më parë. Bari ka këtu një ngjyrë midis së gjelbrës dhe të zezës, në një rreze 8-10 metra larg puseve të naftës, të ngecura ose në gjendje pune, ai është më shumë i zi. Ndryshimi i vetëm është që puset skeletore të Albpetrolit janë zëvendësuar shumëkund nga puset e pastra cilindrike të kompanisë kanadeze. Rreth këtyre derdhje nafte nuk shikon. Por pellgjet që nganjëherë kanë pamjen e liqeneve të vogla me naftë, janë aty ku i kishim lënë. Me sa kuptohet, firma Bankers interesohet vetëm për territorin e ngushtë rreth një pusi por jo për atë që ndodh me zonën në përgjithësi. Nëpër këtë zonë kalon kanali i Ngjalës i cili e shkarkon ujët e vet drejt e në Adriatik pak më poshtë derdhjes së Semanit. Uji i tij ishte si gjithmonë i ngopur me pllangat e naftës të cilat nën rrezet e diellit marrin ngjyrat e ylberit. Nga 100 mjedisorët e Avaros asnjë gjurmë. Kuptova që ata të dy kishin luajtur teatër. Midis fshatrave Marinëz e Belinë po asfaltohet rruga lidhëse, sikurse është lidhur nga ana tjetër Belina me rrugën kryesore Fier-Roskovec.

I vetmi përmirësim në pamjen e përgjithshme të zonës. Vërejmë që aty ku hapen katrorët për shtrimin e rrugës dheu është i zi në ngjyrë hiri, shenjë që nëntoka këtu, bashkë me ujërat që rrjedhin nëpër të është e ngopur me naftë për shekujt që do vijnë. Jo 100 po as 100.000 nga Avaro-shpëtimi nuk e heqin dot.
Sa hyjmë në fshatin Belinë na del përpara një karrocë me tre fëmijë sipër, ai më i madhi, si nja dymbëdhjetë vjeç mban fort frerët e kalit të bardhë me pikla të zeza. Fëmijët këtu janë të bukur dhe të shikojnë drejt e në sy, kanë një lëkurë të bardhë të dëlirë, flokët shpesh të verdhë në gështenjë të çelët, fytyrën me quka. Po t'i harrosh derdhjet e naftës për një çast, të mbyllësh edhe hundët nga era e rëndë e squfurit dhe benzenit, janë fshatra të bukura, me shumë të mbjella, pemë, gjelbërim.

Aty pas fshatit kalon lumi Seman, për bostanet thonë se janë më të mëdhenjtë e më të ëmblit në gjithë Myzeqenë. Djali tërheq edhe një herë frerët e kalit, i bezdisur nga fotografimi, karroca futet në oborrin e prindërve. Në kopshtet e një numri shtëpish sheh puse të braktisura nafte. Pak më tutje në drejtim të zonës së shfrytëzimit kullotin lopë mu aty ku bari është i zi, në një kanal ku rrjedh më shumë naftë sesa ujë, llokoçiten rosa. Askush nuk e di përmbajtjen e squfurit ose të karboneve në qumështin e lopëve ose vezët e rosave, ndoshta vetëm holandezët e parvjetshëm. Për fat të mirë, mjekët e kësaj zone duken njerëz të përkushtuar, ata i njohin me emër thuajse gjithë banorët dhe problemet e tyre shëndetësore. Mësojmë se sëmundjet kryesore që lidhen me ndotjen e ambientit janë fenolët (karboni) në gjak, astma dhe bronkitet kronike, hepatitet; një lidhje më të tërthortë duket se kanë rastet e shpeshta të kancereve të gjirit te gratë, skizofrenitë dhe depresionet, vetëm nga këta 11 raste në dy fshatra. Në Belinë dhe Sheqishtë njëri mjek ka regjistruar nga viti 2002 deri më sot 84 raste të karbonit në gjak, me denduri më të madhe në vitet 2006- 2009.

Fenolët në gjak shkaktojnë sëmundje të mushkërive, të mëlçisë, por edhe të sistemit kardiovaskular dhe atij nervor. Nga shifrat kuptojmë se efektet e ndotjes nuk vijnë thjesht pse nafta rri e shpërhapur mbi tokë, por përmes gazrave që inhalohen rregullisht ose ushqimeve - uji vjen me ujësjellës nga vend tjetër. Puset moderne kanadeze që përmendëm janë vërtet të pastër në pikëpamje të kullimeve të naftës, por ato kanë nga një tub të shkurtër 2metërsh që e nxjerr të papenguar gazin natyror në ambient. Dikur në kohët e socializmit (të vjetrit këndej, doktorë e inxhinierë nafte, punëtorë e fshatarë e kujtojnë me nostalgji) në Patos-Marinëz gazi natyror mblidhej në tubacione dhe shërbente ndër të tjera për ngrohje e gatim në familje. Tepricat i nxirrnin dhe i digjini majë disa oxhakë të lartë "që e bënin qiellin netëve flakë". Kurse sot në shumë ditë e net të vitit nuk hap dot dritaret nga era e rëndë e gazit. Jo pa vështirësi mundëm të gjejmë pas disa udhëtimeve në zonat e prekura edhe studimin me titull "Plan i integruar veprimi mjedisor dhe shëndetësor për zonën naftëmbajtëse Patos-Marinëz" që studioja holandeze "Royal Haskoning" i ka paraqitur Ministrisë sonë të Mjedisit më 23 maj 2008. Aty një numër shifrash dhe vlerësimesh konfirmojnë ato që mundëm të vërenim me sy të lirë dhe të mësonim nga bisedat me njerëzit.

Gjendja e tokës dhe ujërave në zonat e shfrytëzimit të naftës cilësohet si katastrofike. Janë mbi 150 pellgje mbitokësore me naftë të hedhur, me një trashësi 0,5-1 m. Nafta e derdhur gjithsej llogaritet të jetë 518.000 m3 në një sipërfaqe prej 950.000 m2. Lumi i Semanit është i ndotur në një gjatësi prej 45 km, Gjanica në 12 km, Kanali i Ngjalës në 27 km. Shqetësimi më i madh është cilësia e ajrit. Vetëm pak matje kishin mjaftuar për të nxjerrë koncentrime të mëdha të benzolit dhe sulfurit të hidrogjenit në ajër; të dyja këto substanca njihen si shkaktarë të sëmundjeve në lëkurë, mushkëri, tumoreve, sëmundjeve të gjakut. Benzeni shkakton veç këtyre, sipas një studimi të fundit të profesorëve amerikanë K. Burns dhe M. R. Harbut (http://www.atsdr.cdc.gov/csem/benzen...c_effects.html), edhe depresione të sistemit nervor qendror. Në studimin holandez për zonën e Patos-Marinzës nuk jepen shifra konkrete, por konstatohet pas një krahasimi mes banorëve të një fshati në këtë zonë dhe të një fshati tjetër pak më larg, por jo në zonë shfrytëzimi të naftës, se të tria këto grupe sëmundjesh: astmat dhe bronkitet kronike, tumoret dhe sëmundjet e gjakut janë më të shpeshta në fshatin e zonës së shfrytëzimit sesa në tjetrin jashtë kësaj zone.

Pasi jep fare pak shifra konkrete studimi vijon me rekomandime për Ministrinë e Mjedisit dhe aktorë të tjerë të veprimit ekonomik-mjedisor për një plan pastrimi të zonës. E gjitha i ngjan një utopie të hedhur në fraza të rregullta, asaj që gjermanët e quajnë muzikë e së ardhmes. Autorët i japin më njërën anë firmës së huaj merita që ajo s'i ka, kur pohojnë se "punon brenda standardeve ndërkombëtare" (është pikërisht Bankers ajo që prej 6 vjetësh e ndot ajrin me gaz natyror të pafiltruar), nga ana tjetër nuk shohin se situata është e ngecur keq. Për derdhjet e naftës në vite nga ndërmarrjet shtetërore, përgjegjës është vetëm shteti shqiptar dhe nuk mund të presim që një firmë e huaj që ka ardhur këtu për të nxjerrë fitimin e vet të pastër të luajë rolin e bamirësit dhe të pastrojë hauret e tjetrit. Kalimi i puseve të Albpetrolit te Bankersi nënkupton vetëm ndryshim të shfrytëzuesit dhe një shfrytëzim më të mire në të ardhmen, por jo ndonjë aksion pastrimi për atë që është kontaminuar ndërkaq.

Ai s'mund të jetë edhe kalim përgjegjësie për një ndotje që është shtrirë si një plagë e zezë nga kodrat e Mallakastrës-Roskovecit-Beratit nëpër fushat e Kuçovës dhe Patos-Marinzës, luginën e Gjanicës deri në detin Adriatik. Për shëndetin e njerëzve dhe mjedisit në këtë zonë përgjigjet drejtpërdrejt vetëm shteti shqiptar me ministritë dhe institucionet e tjera të tij në qendër dhe në bazë. Privatizimet në sektorin e naftës po e tregojnë qartë se s'përbëjnë asnjë zgjidhje për plagën e hapur prej kohësh, përkundrazi ato ngjajnë si një alibi e shtetit. Kombinati i përpunimit të thellë të naftës në Ballsh (rafineria) ka dy vjet që është privatizuar te firma "Taçi". Ai punon me të njëjtat impiante ndotëse të amortizuara si dhe më parë. Mësojmë këtu se mbeturinat vazhdojnë të derdhen të pafiltruara në Gjanicë. Qytetarët e Ballshit kanë të vetmin lehtësim që ky kombinat punon vetëm pak muaj në vit, pasi në ditët kur punon, era e rëndë që përhap mbi qytet është e padurueshme. Edhe te punëtorët e mbetur këtu regjistrohen të njëjtat sëmundje kronike si në zonën e Patos-Marinzës. Nuk ka pak kohë që me dhjetëra banorë të Ballshit u helmuan, siç thanë, nga uji i pijshëm. Sado që ky ujë vjen prej rezervuarit të Poçemit, nëpër linjën e ngritur për rafinerinë, lind pyetja: pse pikërisht në Ballsh?

Mos vallë njerëzit këtu janë më të prekshëm, më pak imunë ndaj sëmundjeve? Fëmijëve që rriten në këto anë nuk u intereson aspak nëse përgjegjësia është e shtetit tonë ose e firmave private, të huaja ose shqiptare që përfitojnë nga privatizimet. Madje, atyre ndoshta nuk u bën ndonjë përshtypje që rriten në zone të ndotur. Duken të lumtur, luajnë si gjithë fëmijët e tjerë, janë edhe të veshur pastër, vajzat me fustane të bardha dhe flokët e krehur bukur, djemtë të shpejtë dhe energjikë në lëvizje, në këmbë, me biçikleta, mbi karrocat e tyre. Edhe mjeku i familjes nuk ka shumë raste me sëmundje kronike: 4 astmatikë në dy fshatra, një numër anemish (të fituara), tri raste epilepsie, ekzema të lëkurës e të syve etj. Megjithëse edhe këto janë shumë, çështja kryesore është: çfarë do të ndodhë më pas me fëmijët e këtushëm? Sëmundjet e shkaktuara nga një mjedis i tillë i ndotur nuk janë të tilla që shfaqen aty për aty, hiq fenolët në gjak ose acarimet e lëkurës; po ç'vlerë ka një fëmijëri pa sëmundje, kur në moshat 30 e 40-vjeçare fillojnë e shfaqen sëmundjet kronike të mushkërive, tumoret e gjirit ose të kockës, depresionet dhe skizofrenitë që janë në këtë zonë më të shpeshta se gjetiu? Informacioni fatal merret ndoshta edhe me qumështin që pihet ose me vezët që hahen në mëngjes, ai akumulohet sa herë që thith ajrin e rënduar me benzol, sidomos në ditët e nxehta të verës dhe ato pa erë të dimrit dhe rri në pritë si mallkim për tërë jetën.

Por, çështja është edhe më e thellë, ajo është sa fiziologjike aq dhe psikologjike. Drejtuesi i UNICEF-it për Shqipërinë, z. Detlef Palm, thotë se "fëmijët kanë gjithmonë disa përjetime kyçe, të cilat bëhen më pas vendimtare për jetën. Nëse fëmija rritet në një ambient të ndotur, nëse në familjen e tij nëna ose babai do të goditen nga sëmundje të rënda sikurse janë tumoret, kjo do të jetë me efekt të thellë në psikologjinë e tij. Kur dëgjon të flitet këtu për ndotje të ambientit, atëherë kjo bëhet gjithmonë në lidhje me ndotjen e plazheve, me dëmin ekonomik që shkakton mosardhja e turistëve. Shumë pak përmendet vetë dëmi ekologjik, dëmet shëndetësore dhe psikologjike te vetë banorët... E dimë se efektet e ndotjes së mjedisit shfaqen nganjëherë te njeriu pas disa dekadash. Por kjo nuk mund ta shmangë detyrimin për të bërë matje që tani, sepse ka tregues të qartë, substance toksike që shprehen në shifra; e dimë që p.sh., të rriturit plumbin e absorbojnë më lehtë se fëmija që ka në moshën e rritjes një metabolizëm tjetër dhe mund ta thithë e depozitojë atë në sasi më të mëdha".

Ndotja e shkaktuar nga shfrytëzimi barbar i naftës mbi një territor kaq të shtrirë në jug të Myzeqesë dhe në rrjedhat ujore që kalojnë nëpër të për t'u derdhur në Adriatik përbën një plagë të përmasave kombëtare. Ajo mund të mposhtet vetëm me një strategji kombëtare. Mënyra si kanë vepruar deri tani me të qeveritë shqiptare është pikërisht e kundërta: mungesa e një strategjie. Ajo është e ngjashme me veprimin ose mosveprimin në plagë të tjera që i kanë hapur veprimtaritë industriale vendit: në ish-fabrikën e PVC në Vlorë shllami i ngopur me zhivë nuk u hoq, por territori iu dha firmës italiane Petrolifera që veç sa e shtyu atë në det ose i hodhi përsipër beton për të ngritur portin e saj të naftës; në Porto Romano nuk hiqen kimikatet që vazhdojnë të dëmtojnë shëndetin e fëmijëve dhe të të rriturve me linden e krom, por jepet territori që Eneli të ngrejë megatecet e tij. Në Patos-Marinëz, Kuçovë, Mallakastër lejohet degradimi i Albpetrolit me ndotje të mëtejshme të mjedisit për të bërë një privatizim sa më të lirë dhe të dyshimtë, ku kostoja mjedisore për privatin është zero.

Imazh


Por e përsërisim se heqja nga pronësia në këto raste nuk mund të jetë heqje e përgjegjësisë. Banorët e këtyre zonave, sidomos fëmijët, kanë të drejtën sa të natyrshme aq dhe të shenjtë që të jetojnë në një mjedis të shëndetshëm. Vetëm autoritetet qendrore, bashkiake, komunale mund ta mbikëqyrin atë. Kur nuk e bëjnë, nuk mund të quhen më mbrojtës të mjedisit dhe shëndetit, por rrezik për mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve, nuk janë më përfaqësues të interesave të tyre por kundërshtarë të këtyre interesave dhe përfitues për interes të vet.
Vetëm këtu, te përmbysja e këtij raporti, mund të fillonte ndryshimi i madh, që sot duket krejt utopik. Por, pavarësisht nga kjo, mund të merren masa emergjente: të ndalohen urgjentisht emetimet e gazit natyror në ajër, t'u vihen kompanive shfrytëzuese kushte të rënda. Duhen mënjanuar sa më parë qindrat e pellgjeve të naftës mbi terren dhe derdhjet në kanale e lumenj.

Kjo mund të fillonte pa u ngatërruar në studime dhe analiza të vështira që do të konfirmonin vetëm atë që shihet me sy dhe ndihet me hundë. Njëherë për njëherë fjalën e kanë vetëm mjekët që mundohen të kurojnë pasojat, duke shtuar dozat e medikamenteve për astmatikë, kancerozë, epileptikë e skizofrenë nga zonat naftëmbajtëse të Shqipërisë, që bredhin nga spitali në spital vetëm ose me një fëmijë në krah.
Avatari i antarit
Edvin
Site Admin
 
Postime: 640
Antarësuar: 22 Shtator 2009, 15:34
Vendodhja: Tiranë, Shqipëri

Re: Plagët e zeza të Jugut

Postonga Edvin » 24 Korrik 2011, 12:32

23 Korrik 2011 - 17:24 | Shqiperi

Kuçovë, Bankers Petroleum ndot zonën, banorët: Ndihemi në rrezik

KUCOVË- Të tjera fakte tronditëse lidhur me veprimtarinë e kompanisë naftë nxjerrëse Bankers Petroleum. Banorët në zonën naftë mbajtëse deklarojnë për NEWS24 se ata ndihen të kërcënuar cdo ditë nga ndotja e theksuar që shkaktohet në ajër si rezultat i nxjerrjes pa kriter të naftës e gazit nga firma kanadeze, gjë që ka sjellë edhe probleme serioze në shëndetin e tyre.

Më të rrezikuarit nga helmet që shkaktohen nga nafta në ajër dhe nga shpërthimi i naftës dhe gazit janë 400 familjet me rreth 2000 mijë banorë që kanë dërtuar shtëpitë e tyre pas viteve 90 në sipërfaqen prodhuese të naftës, ku në të shumtën e rasteve puset ndodhen brenda oborreve të këtyre shtëpive.

“Po edhe ndihet një aromë e rëndë, era naftë në tokë po të fryjë pak ndihet era naftë se edhe ata i lejnë të derdhen dhe nafta bruto rri e derdhur”,- u shpreh i shqetësuar një banor.

“Unë kam pusin afër në oborr. Në behar vjen edhe kur nuk punohet se ai vjen era gaz dhe ziejnë puset. Zona duhet të rehabilitohet po kush punon. Burri van nga mushkria ka probleme me frymëmarjen nga gazi”,- tha një banore.

“Ndihet ajo edhe në behar edhe në dimër njësoj. Ne pimë ujë me gaz, e gjithë Kucova. Ai pusi që pimë neve e ka bërë italiani dhe ne atje pimë ujë të gjithë se nuk ka vend tjetër ku të pish ujë”,- shprehet banori i zonës, pranë zonës naftënxjerrëse.

Bankers Petroleum, e cila ka privatizuar ndërmarrjen e nxjerrjes së përpunimit në naftës në Kucovë i ka lënë puset e naftës në mëshirë të fatit. Tubacionet e puseve janë carë, duke bërë që sasi të mëdha nafte të rrjedhin papushim në të gjithë siqërfaqen rreth banesave, duke e kthyer jetën e banorëve në një ferr të vërtetë.

Ndërkaq një tjetër shqetësim i madh është edhe mungesa e sigurimit teknik në puset që ndodhen pranë banesave, të cilët nuk janë të izoluar dhe janë një rrezik serioz për jetën e fëmijëve që luajnë cdo ditë pranë tyre.

“Puset e naftës janë shqetësim, pasi unë do kaloj. Ja shikojeni rrjedh aty. Ruaj vetë fëmijët thuaj se nëse ndodh ndonjë gjë nuk përgjigjet njeri. Ai pusi është ne shesh, vetë fëmija atje dhe mund të mbesë brenda. Nuk interesohet njëri më”,- deklaroi i shqetësuar banori.

Aktiviteti i kompanisë Bankers petroleum në zonën naftë nxjerrëse të Kucovës përfshin një sipërfaqe për rreth tre mijë hektarësh. Në këtë ndërmarrje janë aktualish 1 722 puse. Në këtë zonë nxirren dhe përpunohen rreth 69. 2 ton naftë në ditë ku në përbërjen e saj ka rreth 20% vajra lubrifikantë.
(e.m/NEWS24/BalkanWeb)
Avatari i antarit
Edvin
Site Admin
 
Postime: 640
Antarësuar: 22 Shtator 2009, 15:34
Vendodhja: Tiranë, Shqipëri

Ballsh, atje ku “ari i zi” është bukë e përditshme dhe vdekj

Postonga Edvin » 24 Gusht 2011, 20:07

Ballsh, atje ku “ari i zi” është bukë e përditshme dhe vdekje e sigurt
2011-08-24
Edmond Hoxhaj
Gazeta Shqip

Niveli i ndotjes në nivele alarmante

Kur udhëton prej Fierit drejt qytetit të Ballshit, ende pa ju afruar këtij të fundit, në vendin e quajtur Ofiçinë ose Patosi Fshat, ndihet era e rëndë e naftës virxhin e cila rrjedh prej puseve dhe depozitave. Duke ju afruar sa më shumë qytetit naftëtar, kjo erë sa vjen dhe bëhet më e rëndë. Dhe kur kalon Qafën e Visokës, aty ku rruga nacionale është mbushur me pllakat përkujtimore prej mermeri të të aksidentuarve, shihet edhe tymi që del prej oxhakëve të Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës. Mëngjesi në këtë luginë të krijuar prej lumit të Gjanicës, ku shtrihet gjiganti i përpunimit të naftës, zgjohet gati çdo ditë nën mjegullën e oksideve dhe lëndëve kimike. Ndërkaq, qyteti i Ballshit dhe fshatrat aty përreth ngjajnë si të veshur në gri. E ndërsa kalon mbi urën e “Shaban Agait”, në të hyrë të Ballshit, lumi i Gjanicës ngjan si një gjarpër ngjyrë vjollcë dhe në sipërfaqe lundrojnë mijëra bulëza yndyre. Por krejt ndryshe është ky lumë në pjesën e sipërme të tij, atje ku uzina nuk i derdh mbetjet e saj të papërpunuara. Aty gjen edhe fëmijë, të cilët lahen për të shuar vapën e këtij gushti përvëlues. Ndërsa duke kaluar gjithë pjesën ku lumi përshkon një anë të të gjithë uzinës, aty shikon të derdhen ujëra me ngjyra nga më të ndryshmet, deri tek e zeza, që janë mbetjet e naftës virxhin.

Por, ndonëse këto detaje nuk i shpëtojnë nga syri askujt, ata që jetojnë aty vazhdojnë ende ta shikojnë si shpresë të jetës së tyre këtë kombinat që përpunon “arin e zi”. Qytetarë të ndryshëm, të pyetur rreth ndotjes që i sjellë kjo uzinë zonës përreth, shprehen me rezerva. Madje, disa shprehin edhe faktin se, ndonëse janë të vetëdijshëm për pasojat e rënda që ajo i sjell florës, faunës, por edhe vetë njerëzve, mbetet ende e dobishme, sepse ju mundëson një pagë për familjen. Sipas tyre, mbyllja e uzinës do ishte edhe fundi i tyre, duke pranuar kështu këtë “vrasje” të ngadaltë. Ndërkaq, nga burime të sigurta pranë uzinës mësohet se aty nuk funksionon as impianti i hidropastrimit. Ky i fundit duhet të kryejë procesin e ndarjes së lëndëve toksike dhe helmuese nga pjesa tjetër e ujit, para se të derdhen në lumin Gjanicë.

Ish-mjeku

Më në fund dikush pranon të flasë, dhe ai është pikërisht ish-mjeku që kujdesej deri para pak kohësh për shëndetin e punëtorëve të uzinës, Kastriot Ahmetaj. Ai shprehet se tashmë asnjë prej punonjësve të uzinës nuk merr më dietat që kanë qenë të parashikuara me ligj. Gjithashtu, prej mjekut Kastriot Ahmetaj mësohet se drejtuesit e gjigantit të përpunimit të naftës kanë prishur edhe kontratën që kanë pasur me spitalin e Janinës. “Dëmet në shëndetin e punëtorëve të uzinës, por edhe të zonës përreth janë të pallogaritshme. Dikur gjithë punëtorët e uzinës trajtoheshin me ushqim special, u jepej një sasi e caktuar qumështi që ta pinin çdo mëngjes. Kurse tani nuk aplikohet më. Një në pesë punëtorë vuajnë nga diabeti profesional. Intoksikimi, veç të tjerash, ndikon edhe në sistemin nervor. Tjetër sëmundje që shkaktohet prej kësaj ndotjeje është hepatiti kronik. Nga analizat që ju kryen para disa vitesh 1200 punëtorëve, rezultuan që rreth 13% e tyre të vuanin prej diabetit. Ndërkohë, nuk u kryen analizat për të vërejtur përqendrimin e fenolit në gjak”, -sqaron më tej mjeku Ahmetaj, i cili nuk harron të theksojë faktin se, edhe mundësia e vetme që ishte për kurimin e punëtorëve të sëmurë tani është privuar. “Dikur, uzina kishte lidhur një kontratë me spitalin e Janinës në Greqi, për kurimin e gjithë punëtorëve që shfaqnin sëmundje profesionale për shkak të punës që kryenin. Duke qenë se spitali i Janinës ishte edhe afër gjeografikisht, u vendos që kontrata do të kryhej me të. Por, prej më shumë se një viti kjo kontratë nuk ekziston më”, -përfundon ai.

Analizat për ndotjen

Burime pranë Drejtorisë rajonale të Shëndetit në Fier shprehen se kanë filluar të kryejnë gjithë analizat e ujit të lumit të Gjanicës të marra në disa zona të tij. Gjithashtu, analizat janë përqendruar edhe në kampionet e ajrit, të tokës, bimësisë etj. Sakaq, mësohet se do të kryhen edhe analiza të qumështit dhe mishit të bagëtive që rriten në zonat përreth, me qëllim konstatimin e fenolit dhe të dioksinës që mund të kenë në gjak këto të fundit. Pas kësaj do të vihen në dijeni qytetarët për rreziqet që mund të ketë konsumimi i këtyre produkteve ushqimore. Ndërkohë, nga analiza të kryera më parë është konstatuar se uji i lumit Gjanica i marrë pranë daljes nga uzina, krahasuar me atë në Fier, është dhjetë herë më i ndotur.

Taksa e ndotjes

Ndonëse qyteti i Ballshit është një prej zonave që ndotet më shumë prej lëndëve toksike të uzinës, bashkia nuk ka arritur ende të përfitojë taksën e ndotjes së mjedisit nga ky subjekt. Burime pranë Drejtorisë rajonale të Shëndetit Publik bëjnë me dije se, çdo komunë apo bashki që pëson ndotje prej kombinatit të përpunimit të thellë të naftës duhet të trajtohet me taksë për ndotjen që shkakton. Kjo, pasi nisur vetëm prej analizave që janë kryer edhe në vitet në vazhdim, shënohet një nivel ndotjeje që duhet të trajtohet ekonomikisht. Ndërkaq, mësohet se një komunë ka arritur të marrë këtë taksë, duke e vënë në dispozicion të qytetarëve.
Avatari i antarit
Edvin
Site Admin
 
Postime: 640
Antarësuar: 22 Shtator 2009, 15:34
Vendodhja: Tiranë, Shqipëri

Ndotja prej industrisë së naftës shton personat me aftësi të

Postonga Edvin » 03 Tetor 2011, 11:02

Ndotja prej industrisë së naftës shton personat me aftësi të kufizuara
2011-10-03
Gazeta Shqip
Alarmi

Sipas statistikave, handikapet janë më të shpeshta në zonat ku nxirret dhe përpunohet “ari i zi”

Numri i personave me aftësi të kufizuara dhe mendore sa vjen dhe shtohet në zonat me nivel të lartë ndotjesh industriale në qarkun e Fierit. Alarmi jepet nga zyra rajonale e Shërbimit Social në Fier, nga ku mësohet se nga gjithë invalidët që ata trajtojnë, rezulton se numri i tyre është më i madh tek ata persona që banojnë në zonat naftëmbajtëse se në fshatrat apo qytetet që janë larg kësaj ndotjeje. Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare pranë këtij institucioni, të cilat bënë me dije se, kryesisht në zonat ku nxirret naftë ka më shumë raste si të atyre fëmijëve që lindin me handikape, ashtu edhe atyre që rezultojnë të jenë kthyer në invalidë brenda moshës 16-vjeçare. Sipas inspektorit të pagesave të paaftësisë dhe ndihmave ekonomike pranë kësaj zyre, Themi Moçi, ky fakt është konstatuar që në fillimet e industrializimit të kësaj zone dhe se numri i invalidëve është shtuar me kalimin e kohës. Sipas tij, duket qartë një diferencë mes numrit të zonave ku nxirret dhe përpunohet nafta, nga fshatra, komuna apo qytete të tjera, mjediset e të cilave mbeten ende të pastra. Sipas tij, zonat ku shënohet numri më i madh i invalidëve në rrethin e Fierit janë ato të Marinzës, Zharrzës apo edhe zonat e ulëta. Tjetër zonë ku shënohet një numër më i madh personash që vuajnë nga handikape të ndryshme të lindura, është ajo e qytetit të Ballshit dhe fshatrave përreth, ku ndodhet edhe Kombinati i Përpunimit të Thellë të Naftës.

Ndërkohë, mjeku Kastriot Ahmetaj, specialist i sëmundjeve profesionale në spitalin e Ballshit, ka theksuar faktin se për shkak të ndotjes kimike dhe toksike ndodhin deformime të kodit gjenetik edhe tek foshnjat. Specialisti ka sqaruar se, për shkak të rritjes së nivelit të dioksinës në gjakun e banorëve të zonës aty dhe të punëtorëve të Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës, edhe fëmijët e tyre të porsalindur trashëgonin këto devijime. Sipas Ahmetajt, gjithë punonjësit e uzinës ishin të rrezikuar nga sëmundjet profesionale, siç ishte ajo e diabetit, e intoksikimit dhe tumoret e ndryshme. Gjithashtu, ai theksoi faktin se mjaft foshnja që lindin në këto zona rrezikojnë të kenë handikape të ndryshme fizike dhe mendore.
Avatari i antarit
Edvin
Site Admin
 
Postime: 640
Antarësuar: 22 Shtator 2009, 15:34
Vendodhja: Tiranë, Shqipëri

Reportazh/Ndotja tek ish-Uzina e prodhimit të Sodës

Postonga Edvin » 04 Shkurt 2013, 16:14

04 Shkurt 2013 - 10:29 | LAJME

Reportazh/Ndotja tek ish-Uzina e prodhimit të Sodës, në rrezik jete banorët
NGA: ENRIK MEHMETI
Reportazh/Ndotja tek ish-Uzina e prodhimit të Sodës, në rrezik jete banorëtVLORË-Niveli i lartë i ndotjes në zonën e ish-Uzinës së Prodhimit të Sodës Kaustike, në Vlorë, vijon të jetë një kërcënim serioz për jetën e banorëve aty, të cilët të detyruar nga kushtet ekonomike gërmojnë për të nxjerre metale. 'News 24' ka vizituar nga afër realitetin e kësaj zone, për të cilën ende nuk ka asnjë ndërhyrje konkrete për t’i dhënë një zgjidhje.

Pak ditë më parë qendra studimore 'Eden' nxorri rezultatet se pranë zonës së ish-Uzinës së Prodhimit të Sodës Kaustike në Vlore ka prani të larta mërkuri. Në studimin e publikuar nga kjo qendër rezulton se niveli i ndotjes nga mërkuri në një sërë kampionesh peshqish që janë marrë, rezulton që niveli i merkurit të jetë 2.8 herë, mbi nivelin e lejuar. Ndërsa niveli i tij te peshku i llojit barbun dhe merluc shkon deri në 4 herë më i lartë.

'News 24' ka vizituar nga afër realitetin e kësaj zone të shumpërfolur, e cila nuk ka asnjë ndërhyrje konkrete për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare.

Një prej fëmijëve ka dëshmuar për 'News 24' procesin e nxjerrjes së metaleve, ndërkohë që dhe ai është viktimë e plagosjes gjatë nxjerrjes së skrapit.

Ndërkohë që i gjithë procesi kryhet mes helmeve dhe mërkurit të cilat kanë qënë pjesë e ndërmarjes së ish-Sodës Kaustike. Një prej banorëve të zonës shprehet se shumë persona janë sëmurur me tumore dhe më pas kanë humbur dhe jetën, ku rastet kanë qenë të shumta mes tyre dhe bashkëshorti i saj .

Ky problem madhor jeton prej vitesh ndërkohë që ata që janë më të rrezikuar janë banorët e zonës si dhe ata qytetarë të cilët kalojnë një pjesë të konsiderueshme të ditës së tyre duke nxjerrë metale nga gërmadhat e godinave të cilat kanë marrë dhe shumë jetë njerëzish. Pa një shpresë për një jetë më të mirë, por vetëm me synimin e mbijetesës, shumë kryefamiljarë apo fëmijë punojnë me orë të tëra për të siguruar hekurin. Nxjerrja e metaleve bëhet nga mënyrat më të ndryshme, që nga thyerja e kollonave dhe deri te shitja e hekurit.

Shpeshherë për këtë zonë është folur për një zgjidhje por nuk ka pasur asnjë të tillë. I vetmi vënd i purifikuar, i cili ishte klasifikuar dhe një prej vendeve më të rrezikshëm, është vendi ku u ndërtua Petrolifera Italiane, ndërsa për pjesën tjetër, shumë prej godinave janë të banuara, ndërsa në të tjera janë ngritur biznese. Shumë familje jetojnë prej vitesh brenda zonave të klasifikuara si të rrezikshme, por për shkak të nivelit shumë të ulët ekonomik, janë të detyruar që të jetojnë pasi nuk kanë ku të shkojnë tjetër "Banorët shprehen se nuk kanë ku të shkojne dhe e vetmja gjë që mund të siguroje jetesën është nxjerrja e metaleve këtu. Edhe pse e rrezikshme, askush nuk i ka ndaluar banorët të qëndrojnë apo punojnë këtu pasi sipas burimeve nga bashkia e Vlorës "nuk ka pasi asnjë mundësi sistemimi të tyre". Shpeshherë është folur për nisjen e purifikimit, por nuk ka pasur asgjë konkrete ndërsa gjatë viteve shumë fëmijë janë shfaqur me probleme shëndetësore por asnjëherë nuk janë kryer analiza nëse sëmundjet kanë ardhur si pasojë e punës apo qëndrimit në këtë zonë të rrezikshme. Burime nga Drejtoria e Shëndetit publik shprehen se për shkak të mungesës së pajisjeve në zonë nuk janë kryer analiza mbi njerëz apo studime, por nga studime të huaja, ka dalë që kontaminimi është shumë i madh dhe pasoja mbi njerëzit janë po ashtu të mëdha.

(d.b/News24/BalkanWeb)
Avatari i antarit
Edvin
Site Admin
 
Postime: 640
Antarësuar: 22 Shtator 2009, 15:34
Vendodhja: Tiranë, Shqipëri


Kthehu tek Ndotje të tjera

Kush është në linjë

Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar i regjistruar dhe 1 vizitor