nga Edvin » 16 Korrik 2012, 12:38
Shekulli Online
Si e shkatërroi lumin e Tiranës 'Rruga e Arbrit'
Published on Monday, 16 July 2012 09:23
Nga Ardit Rada
Është dashur vetëm një vit që një nga destinacionet më tërheqëse të rrethit të Tiranës të shkatërrohet në heshtje dhe pa u vënë re. Më pak se 6 kilometra larg qendrës së qytetit, pikërisht në Lumin e Tiranës, punimet për Rrugën e Arbrit kanë nxjerrë jashtë funksioni turizmin ‘low cost’ që banorët e kryeqytetit shfrytëzonin deri verën e shkuar. Shkatërrimi i radhës së natyrës duket se po kalon në të njëjtën heshtje që karakterizon prerjen e pemëve në çdo cep të vendit në emër të investimeve, ndërsa gërryerja dhe hedhja e inerteve në shtratin e lumit duket se do të jetë goditja më e madhe që i jepet florës dhe faunës së kryeqytetit.
Rruga për në Brar
Nëse ndjek rrugën drejt Tufinës, vetvetiu do të gjendesh mes një natyre të egër, por mbreslënëse. Një rrugë e vjetër, e cila është pagëzuar me emrin ‘Rruga e Arbrit’, po zëvendësohet nga një korridor modern, por i lënë përgjysmë. Na u deshën vetëm 15 minuta që të udhëtonim në një rrugë me gropa dhe krejt papritur u gjendëm në krah të shtratit të lumit, i populluar me kompani që nxjerrin rërën nga gërryerja e shtratit. Ky lloj biznesi njihet me emrin ‘nyje betoni’, ndërsa punëtorët e saj i tremben objektivit të aparatit fotografik dhe pyetjeve se prej sa kohësh këto kompani operojnë në Lumin e Tiranës dhe nëse janë të licencuara. Paralel me këto ‘kuçedra’ të natyrës, punimet për Rrugën e Arbrit duket se janë braktisur. Syri të sheh shtylla të mëdha betoni të lëna në rrugë si për të shënjuar se nga do të vazhdojë rruga e re ndërsa në një distancë prej 5 kilometrash, vetëm 5 punëtorë gërmojnë me makineri. Udhëtimi kalon përmes pluhurit të bardhë, ndërsa rruga sa vjen dhe bëhet më e vështirë, edhe për shkak të gropave që makineritë e tonazhit të rëndë kanë hapur nga ecejaket e shpeshta.
Turizmi i shkatërruar
Një vit më parë, ‘Shekulli’ do të udhëtonte drejt fshatit Brar për të raportuar turizmin e veçantë i cili shfrytëzohet prej dhjetëra vitesh nga banorët e vjetër të kryeqytetit. Tashmë duket se gjithçka ka marrë fund pavarësisht thirrjeve të dëshpëruara të ambientalistëve apo ankesave të banorëve. Këta të fundit tashmë duket se janë përfshirë në ‘kurthin’ e industrializimit të shoqërisë. Në mungesë të pushuesve që gjetëm një vit më parë buzë lumit të Tiranës, na u desh të pyesnim kalimtarët, të cilët nuk e fshihnin gëzimin e tyre se rruga e re do të bënte që të arrihet në Peshkopi vetëm brenda një ore. A thua se këta banorë të lashtë rrëzë malit të Dajtit ishin nga Peshkopia apo prisnin njeri prej andej...
Në vaskat e krijuara nga gërryerjet e shkëmbinjve është tepër vështirë të gjesh dikë që freskohet. Veç pluhurit që mbizotëron zonën, lumi nuk ka më rrjedhën e para disa muajve, ndërsa turistët e tij të vetëm janë fëmijët e zonës.
Dëshmia e qytetarëve
Si vizitor i përvitshëm i Brarit dhe i asaj që quhet Shkallët e Tujanit, interesi për të mësuar të vërtetën dhe se si do të jetë fundi i kësaj marrëzie më çoi tek një prej të paktëve pushues. Një burrë me trup mesatar, me kapele dhe kallam peshkimi në dorë dukej se po bëhej gati për t’u larguar, ndërsa pranë tij një vajzë rreth 10 vjeç po lahej në një pellg të formuar nga rrjedha, jo më i thellë se gjysmë metri. Pasi i drejtohem dhe i shpreh zhgënjimin tim për atë çfarë po gjej pas një viti, Iliri shpjegon se lumi i Tiranës është në grahmat e fundit. Ai është rreth të dyzetave, udhëton shpesh me të bijën e tij drejt bregut të lumit me një motor. Banori i zonës së ‘Xhamllikut’ rrëfen se si gjërat ndryshuan në pak muaj dhe tashmë as peshqit nuk notojnë më në lum. ‘E bëj më tepër për vajzën e vogël. Vij këtu që prej kohës kur kam qenë vetë i vogël dhe shtyj kohën duke hedhur grepin në ujë ndërsa pres vajzën. Fatkeqësisht as peshq nuk ka më”, thotë Iliri. ‘Ja atje te 7 Dhomat, dikur thellësia arrinte mbi 2 metra, ndërsa sot as 1 metër nuk e kalon’. Sipas tij, e gjitha kjo vjen për shkak se rrjedha e lumit të Tiranës është bllokuar për shkak të inerteve dhe gërmimeve të makinerive që punojnë për Rrugën e Arbrit dhe që i hedhin ato në lumë si rruga më e shkurtër për të zhvendosur dherat dhe gurët. Është e lehtë ta besosh Ilirin. E gjeta atë në vendin ku një vit më parë isha vetë aty dhe pashë që diçka kishte ndryshuar. Gurë të mëdhenj ishin rrokullisur deri poshtë në lumë, për shkak të rrëshqitjeve dhe kishin bllokuar rrjedhën. 7 Dhomat, një nga zonat më të bukura pranë Shkallëve të Tujanit, e kanë marrë këtë emër pasi uji prej mijëra vitesh ka gërryer shkëmbin duke krijuar 7 vaska që mbushen me ujë dhe ku pushuesit lahen. Tashmë kësaj kryevepre mijëra vjeçare i mungojnë jo vetëm vizitorët, por edhe uji, bimësia dhe gjallesat. “Është gjynah i gjithë ky shkatërrim. Po të ecësh pak më poshtë është Shpella e Zonjës. Aty është gjetur edhe emblema që përdor sot Bashkia e Tiranës, por është e kotë të shkosh deri atje. Rruga është e keqe dhe besoj se e kanë shkatërruar edhe atë shpellë”, paraprin Iliri kur i them se duhet ta shoh këtë vend të paditur më parë.
Historia e emblemës së Tiranës
Dëshmitarët tregojnë se pak kilometra larg Tiranës, rrëzë malit të Dajtit, është zbuluar emblema e Tiranës. Nuk ka si të jetë ndryshe pasi një emblemë të përafërt ka edhe Komuna Dajt, e cila administron zonën e Brarit dhe Tujanit. Stema e Bashkisë, e miratuar në vitin 2000 me vendim të Këshillit Bashkiak, ka në bazë të saj stemën e Skurajve, e cila ishte një nga familjet që sundonte Tiranën në mesjetë. Përkatësisht, Skurajt kanë sunduar në shekujt XIV-XV dhe kjo stemë është një nga gjurmët e kësaj familjeje. Ajo është gjetur në një bllok guri, i cili ndodhet në Muzeun Historik Kombëtar. Qyteti i Tiranës, i lindur në vitin 1614, prej dy shekujsh ka si pikë referimi Kullën e Sahatit. Bashkia e Tiranës, veç stemës së Skurajve, ka shtuar në emblemë edhe Kullën e Sahatit si simbol të kryeqytetit dhe një kurorë në formën e bedenave të një kalaje, ndërsa Komuna Dajt duket se e ruan atë të pastër, duke mbajtur vetëm luanin.
Ura 350-vjeçare e Brarit
Ura e Brarit, e njohur ndryshe si Ura e Vjetër Osmane, lidh brigjet e lumit të Tiranës. Ajo është në formë harku dhe është ndërtuar 350 vite më parë si një dhuratë për fshatarët e zonës. Gojëdhënat thonë se tri motra bamirëse myslimane u dhuruan pikërisht këtë urë banorëve për t’ua bërë më të lehtë lëvizjen. Kjo urë përdoret ende nga banorët për të kapërcyer lumin. Enciklopedia na tregon se e veçanta për këtë urë është materiali i përdorur për të forcuar ndërtimin. Bëhet fjalë për rërë të bardhë të përzier me vezë. Me kalimin e viteve, studiuesit kanë arritur në përfundimin se Ura e Brarit është ndërtuar mbi gërmadhat e një ure të vjetër romake, rrënojat e së cilës mund të dallohen lehtësisht edhe sot.
Punimet për rrugën
Një tabelë e vendosur nga Ministria e Transportit dhe Telekomunikacionit, na mëson se ndërtimi i segmentit që kalon përmes zonës së Brarit kap vlerën e afro 333 milionë lekëve të reja. Punimet kanë nisur që në maj të vitit të kaluar, ndërsa ato pritet të mbarojnë po në maj të vitit që vjen. Pak e vështirë për t’u besuar se ajo do të përfundojë brenda këtij afati, duke marrë parasysh ritmin e punimeve dhe gjatësinë e segmentit. Bëhet fjalë për segmentin nga Ura e Brarit deri në hyrjen e tunelit të Qafë-Murrizit. Gjatësia e të gjithë rrugës pritet të jetë 75 kilometra dhe do të lidhë Tiranën me Dibrën e Madhe të Maqedonisë. Rruga e ka origjinën që në periudhën romake dhe pritet të kalojë në 10 zona duke shkurtuar 70 kilometra me Burrelin.
Opinion
Po hidhet në erë shkalla e Tujanit
Ardian Klosi
Në këto anë nuk ka më banorë. Fshati i Tujanit sipër mbi kanion është praktikisht i braktisur. Natyra ka bujisur kudo, është rikthyer me gëmusha e pemë të dendura që nuk i depërton dot. Sepse, për çudi, është ajo që i mbron kodrat nga erozioni, kur njeriu nuk bën dot asgjë. Kurse poshtë natyra nuk ka ç’të bëjë. Aty ushtojnë shpërthimet e dinamitit dhe ga-ga-gatë e buldozerëve, të cilët po hedhin në erë faqen e majtë të Shkallës së Tujanit.
Pyetëm pardje dhe dje në Ministrinë e Mjedisit, nëse ka marrë ndonjë farë leje mjedisore Rruga e Arbrit për këtë shkatërrim. Na thanë njëherë se nuk kishin dijeni, pastaj na thanë se do të hapin padi penale ndaj firmave që kanë filluar shkatërrimin. Po të jetë e vërtetë, do të ishte përmbysje e fatit. Mirëpo shpresa nuk kemi shumë, sepse deri më tani nuk është parë ndonjëherë në këtë qeveri të ngrihen këmbët e t’i bien kokës. Po kushedi, çmenduria ndoshta s’ka vajtur gjer aty dhe mund të nxirret një miratim për 500 metra tunel. Në këto anë nuk ka më banorë. Këtu s’ka kush proteston për grabitjen dhe zhdukjen e monumenteve të natyrës. Këtu kërkesat për VNM ose ankesat pranë Komisionit të Aarhusit duken utopi. Ca fshatarë të rrazbitur lëkunden në furgon, hanë gjithë pluhurin e makinerive vandale dhe duken të kënaqur që po iu afron Rruga e Arbrit.
Lamtumirë Shkallë e Tujanit. Lamtumirë Volf, Sharlote, Nihat, Ruth, gjithë miqtë që i shkelët me mua shpesh këto vende. Një herë për një herë, s’keni pse ktheheni në Shqipëri.
Botuar në 2011