Një ton hidrokarbure në kanalin e Roskovecit | 03/09/2010 | G. Metropol
Çdo ditë derdhen mbetje të papërpunuara në ambiente të hapura
Banorët: Vuajmë nga fenolet në gjak dhe prodhimet bujqësore janë tharë
DURRES- Mbetjet hidrokarbure po kthehen tashmë sërish në një problem shqetësues për zonën bregdetare të Semanit dhe Darëzezës. Në të vërtetë edhe ura e Hoxhares në Topojë është kthyer në vend për grumbullimin e mbetjeve hidrokarbure që vijnë nga zonat naftëmbajtëse të Ballshit e Patosit. Të dhënat e fundit bëjnë fjalë për më shumë se 1 ton mbetje hidrokarbure të derdhura në kanalin e Roskovecit. Autoritetet lokale thonë se e kanë të pamundur të kryejnë pastrim tjetër të kanalit dhe të parandalojnë ndotjen e zonës, pasi vetëm pak kohë më parë u bë pastrim rrënjësor. Por rrjedhjet e shumta të naftës dhe nënprodukteve të saj vazhdojnë të shkaktojnë probleme serioze edhe për jetën e banorëve në të gjithë qarkun e Fierit. Banorët që jetojnë në zonat naftëmbajtëse ankohen se përditë ka rrjedhje të naftës së papërpunuar në ambiente të hapura, gjë që shkakton probleme të shumta me shëndetin e tyre. Të gjithë këta të fundit vuajnë me problemet e karbonit në gjak. Ndërkohë që këtë vit ndotja u ka sjell dëmtime të shumta edhe në të mbjellat. “Jemi të dënuar nga Zoti. I gjithë kanali nga i cili ne mund të marrim ujë për vaditje është i ndotur. Nuk dimë ku të ankohemi për këtë problem. Na janë tharë të gjitha të mbjellat, ndërsa ne po vuajmë edhe problemet me shëndetin tonë kur në çdo muaj duhet të kurohemi për fenolet në gjak. Të gjitha kompanitë e naftës derdhin tonelatat të tëra nafte duke na shkatërruar jetën përditë”, ka deklaruar Fatmir Malaj nga Topoja. Ndërkohë burime nga kompanitë e naftës bëjnë me dije se amortizimi i depozitave të dekantimit të ndërmarrjeve të prodhimit të naftës dhe tubacioneve që bëjnë transportin e saj nga vendburimet në uzinën e përpunimit të Ballshit, ka bërë që derdhjet të shtohen gjithnjë e më shumë. Ndotja në të gjitha këto zona problematike bëhet e padurueshme në mbrëmje dhe në orët e para të mëngjesit. Nga ana e Agjencisë së Mjedisit është deklaruar se kompanitë ndotëse të mjedisit në rrethin e Fierit, ARMO dhe ALBETROL janë vënë në syrin e Ministrisë së Mjedisit. Sipas burimeve zyrtare të Agjencisë së Mjedisit në Fier niveli i ndotjes dhe ankesat e banorëve të zonave përkatëse janë dërguar në një relacion të detajuar pranë Ministrisë së Mjedisit. “Kemi nisur gjithçka pranë kësaj ministrie. Kemi detajuar edhe ndotësit që çlirohen nga nafta dhe hidrokarburet dhe jemi në pritje. Në këto raste kompanitë ndotëse gjobiten me gjoba të rënda”, ka deklaruar specialistja pranë Agjencisë së Mjedisit Angjelina Mërtiri. A. Damini



