Ndotjet

Media të tjera që nuk përfshihen në temat e mësipërme.

Ndotjet

Postonga Edvin » 01 Gusht 2012, 11:15

Ndotjet

Opinione Hënë, Korrik 30th, 2012
FATOS LUBONJA
Gazeta Panorama
Para disa kohësh, Televizioni Klan ndërmori një fushatë kundër plehrave që kanë pushtuar territorin shqiptar, që u duk se ishte në funksion të sezonit turistik e që përmbante edhe denoncime për komuna të caktuara. Peizazhi që shpalosej ishte dëshpërues: plehra, kryesisht në formë turrash me plastmase gjithfarëshe, qeska mbi të gjitha, ku dominojnë ato me atë ngjyrën blu të hapur të keqe dhe transparentja e pisët, shishe plastike, bidonë gjithfarësh që, duke u pleksur me llumin, pluhurin e gjithfarë kalbësirash e mbeturinash të tjera, vijnë e derdhen në bregdet pas një rrugëtimi të gjatë nëpër lumenjtë e tërë Shqipërisë, ku, gjatë rrugës, kanë takuar shoshoqet e tyre. Vende-vende ato as arrijnë të derdhen pasi pllakosin tërë anët e daljes së lumit. Pastaj plehra që dergjen rrugëve rreth e rrotull vendeve të banimit; plehra që shkarkohen nëpër rrëpira; plehra gjithandej. Dhe ne që jetojmë mes tyre pa na bërë përshtypje. Për të na rritur ndjeshmërinë, disa të huaj organizuan para disa kohësh edhe aksione, ku më spektakolari ishte ai i ca të rinjve suedezë që u vunë të pastrojnë plehrat në Lushnje ndërkohë që shqiptarët rrinin e i shihnin me habi; apo ai i disa amerikanëve në Tiranë – me demek për të na vënë në sedër.
Por, duke udhëtuar nëpër rrugët e Shqipërisë këto ditë vere, mund të them se as kërcënimet e denoncimet e disa kryetarëve të komunave nga TV Klan dhe as vënia në sedër nuk ka funksionuar për të ndryshuar ndonjë gjë në peizazhin tonë plehror që vazhdon të mbetet tejet dëshpërues. Imazhi që të përçohet është se ne rrezikohemi nga plehrat; se ato kanë zaptuar gjithandej ambientin, jetën tonë, jo vetëm në kuptimin e shëmtimit të peizazhit urban apo natyror, të shëndetit, por edhe deri mbijetesën ekonomike. Pra plehrat janë bërë protagoniste kërcënuese të jetës sonë, duke na bërë ne viktima në vend që ato të jenë thjesht objekte të pastrimit tonë.
Për plehrat ekzistojnë edhe fjalë të tjera të afërta, si mbeturina, jashtëqitje, bajga, kalbësira etj., që kanë të përbashkëtën dhe të veçantën e tyre. Për shembull, qeveritarët tanë, veçanërisht kur i referohen ligjit që kanë aprovuar për t’i sjellë ato nga jashtë për riciklim, meqë këtu brenda nuk i mbledhin dot, preferojnë fjalën “mbetje”, të cilën kanë filluar ta urrejnë të gjithë ambientalistët me të drejtë. Sipas meje, kur plehrat, mbeturinat apo mbetjet zaptojnë dhe kërcënojnë jetën e një komuniteti, atëherë ato kthehen në ndotje. Prandaj unë po preferoj të përdor kryesisht fjalën ndotje për to. Do të përdor këtë fjalë edhe pse ndotja është një fjalë që e tejkalon plehrat me qeska e shishe plastike. Flitet për ndotje akustike për shembull, dhe ne kemi një ndotje akustike skandaloze. Ashtu siç hedhim plehrat në vendin më të afërt jashtë pragut tonë, ashtu dhe ndërtojmë pranë shtëpive disko e lokale që të çajnë timpanet e veshit. Ashtu siç i hedhim qeset nga makina duke ecur, ashtu edhe e ngremë muzikën e saj në kupë të qiellit, pa pyetur për ç’ka jashtë. Por flitet edhe për ndotje të ajrit për shembull, dhe mjafton të kalosh nëpër Tiranë, por edhe të shkosh në ato vendet nga Kruja e përtej, ku janë ngritur fabrikat e çimentove radhë, për të thithur me mushkëri ndotjen kërcënuese/vrastare. Flitet për ndotje industriale për shembull, dhe mjaft të kalosh andej nga Ballshi apo nga ish-Superfosfati i Laçit, për t’i parë e për t’i ndjerë efektet. Për ndotje urbane po ashtu, ku personalisht, krahas atyre që derdhen ku të munden rrugëve e rrëpirave, do të fusja edhe shëmtimet e vazhdueshme të peizazhit me ato ndërtimet monstruoze ricikluese parash që po shpërhapen si metastaza tumorale trupit të bukur të këtij vendi, gjysma e të cilave janë edhe në gjendje të pambaruar.
Pyetja që ngrihet është: Si ka mundësi që ne nuk arrijmë ta shohim e kuptojmë një gjë kaq të thjeshtë? Sa më shumë thellohem për t’i gjetur përgjigjen kësaj pyetjeje, aq më shumë më duket se arrij në përfundimin se ndotjet që shohim e ndiejmë me shqisat tona janë thjesht e vetëm pamja e jashtme e një fenomeni që do ta quaja ndotja jonë e brendshme.
Të më lejojë lexuesi të bëj një digresion në kujtimet e shkollës së mesme, për ta shpjeguar se për çfarë e kam fjalën kur them “ndotje e brendshme”. Një nga kujtimet që kam prej asaj kohe ishte kur mësuesi im i Letërsisë, i ndjeri Rinush Idrizi, na komentonte Makbethin e Shekspirit duke tentuar të na shpjegonte mes të tjerash, edhe se ç’kuptim kishin magjistricat që i hedhin fall Makbethit duke i parathënë atij fatin. Mësuesi im i dashur përpiqej të na shpjegonte një shprehje të Nolit për to: “Shtrigat, – na thoshte, – janë vizualizata e jashtme e impulseve të brendshme të Makbethit”. Ne, që ishim ende fëmijë, e kishim vështirë të lidhnim pamjen e jashtme të magjistricave, që na dukej se ekzistonin vërtet, me kuptimin abstrakt që merrnin ato si pamje e dëshirave të brendshme të Makbethit. Ishin mësimet e para që merrja për metaforën që sot po rrekem ta përdor në këtë shkrim duke folur për ndotjet si metaforë.
E pra, duke parafrazuar këtë thënie të Nolit për magjistricat e Makbethit, do të thosha se ndotja që ne shohim, dëgjojmë, prekim, nuhasim e shijojmë me shqisat tona në trajtën e plehrave, mbeturinave, kalbësirave, bajgave, dioksinës etj., nuk është tjetër veçse vizualizata e jashtme e ndotjes sonë të brendshme.
E kam fjalën, për shembull, për ndotjen tonë morale. Shikoni ç’bëhet: të duket sikur jemi një popull që e ka të natyrshme – ashtu sikurse të hedhë plehrat nëpër rrugë – të pasurohet duke vjedhur, mashtruar, gënjyer, trafikuar, korruptuar e jo duke punuar me ndershmëri.
E kam fjalën për ndotjen politike. Shikoni ç’bëhet: nuk gjen dot një politikan që t’i përmendësh emrin pa menduar se është i ndotur, e megjithatë emrat e tyre përmenden natë e ditë me respekt të madh – pale kur lëenë ndonjë koalicion e kalojnë në ndonjë tjetër!
E kam fjalën për ndotjen mediatike. Shikoni ç’bëhet: gazetat e televizionet, në vend që të informojnë e të investigojnë për t’i shërbyer publikut, riciklojnë e ambalazhojnë ndotjet e politikës e të korrupsionit të pronarëve të tyre për t’ia shitur publikut, nëpërmjet gazetarësh/kamerierë që të paraqesin menynë të veshur me papion, si ushqim “BIO”.
Ndotje e Drejtësisë. Shkoni ç’bëhet me gjyqet dhe jo gjyqet e shumta që të bëjnë të mendosh se Drejtësia, në vend që të jetë fshesë e pastrimit të krimit, kullon krim e korrupsion vetë.
Ndotje në atë pikë sa, sikurse e thashë, nuk jemi ne që mund ta pastrojmë ndotjen, por është ndotja ajo që na “pastron” ne. A e dëgjuat Kryeministrin se si tha ditët e fundit? Se po u bë ndotje akustike, turistët nuk vijnë më. Por, po ta marrim ndotjen si metaforë, do të shohim se si nuk po ikin vetëm turistët nga ndotja akustike, por po ikin edhe shqiptarët (fizikisht apo nga mendtë e kokës) nga ndotja, ndotja, ndotja që ua ka zaptuar jetën gjithandej.
Shkurt dua të them se nuk ka shans që ne të pastrojmë plehrat e rrugëve pa pastruar ndotjen në rrugët tona të brendshme të trurit. Sepse fakti që ne krijojmë ndotjen në rrugën e përbashkët, në sheshin e përbashkët, në lumin e përbashkët, në parkun e përbashkët, në bukurinë e përbashkët, na buron nga e njëjta ndotje me të cilën kemi shkatërruar qytetet tona, bregdetet tona, malet tona, pyjet tona, politikën tonë, Drejtësinë tonë, gazetarinë tonë etj. Gjithë duke folur metaforikish për “vizualizatën e jashtme të ndotjes sonë të brendshme”, fatkeqësia është se prodhuesit më të mëdhenj të ndotjes po vazhdojnë të prodhojnë me egërsi të paparë ndotje duke e quajtur këtë, kur ua do nevoja, “efekt kolateral të zhvillimit”.
Në fakt, këta njëzet vjet ndotje kanë treguar se që ta kontrollojmë ne ndotjen dhe jo ndotja ne, duhet të bëjmë një ndryshim në ADN-në tonë kulturore, që vlen si për atë fshatarin në majë të malit që hedh plastmaset në përroin më afër shtëpisë për ta larguar nga shtëpia e vet, edhe për kryeministrat e ministrat tanë që kanë punuar e punojnë vetëm për të pasuruar familjet e tyre me “efekt kolateral” masakrimin e të tjerëve. Por, paradoksalisht këtë “ndryshim” nuk mund ta arrijmë duke hequr tej diçka nga ne, siç bëjmë kur hedhim nga ballkoni qeskat e plehrave në ndonjë shesh apo rrugë që s’është pronë e jona. Ky ndryshim mund të arrihet duke futur diçka të re brenda trurit, që s’kemi arritur dot ta bëjmë deri tani: Problemi ynë kulturor është se ne kemi arritur deri te familja si institucion i menaxhimit të interesit të përbashkët, por jo përtej saj. Prandaj dhe shtëpitë i mbajmë pastër e bukur, kurse përtej kemi një hapësirë të shëmtuar që vjen e degradon përditë duke shëmtuar, zhvlerësuar dhe kërcënuar përditë e më shumë shtëpinë tonë të vogël. Ajo që na mungon dhe që interesat e ndotësve familjarë po bëjnë çmos ta largojnë me shembullin e tyre ndotës, është fitimi i vetëdijes se ai sheshi ku hedhim plehrat nga pragu i shtëpisë sonë dhe ai pragu i institucionit publik që drejtojmë, janë më të rëndësishëm se sa shtëpia jonë mu pse, pa vlerësimin dhe mirëfunksionimin e tyre, edhe shtëpia jonë do të rrethohet, deri në mbytje, nga ndotjet.
Avatari i antarit
Edvin
Site Admin
 
Postime: 640
Antarësuar: 22 Shtator 2009, 15:34
Vendodhja: Tiranë, Shqipëri

Ripushtimi i Shqipërisë në 100 vjetorin e Pavarësisë së saj

Postonga Edvin » 10 Gusht 2012, 14:03

Ripushtimi i Shqipërisë në 100 vjetorin e Pavarësisë së saj
9 Gusht, 2012 | Postuar në: Aktualitet,Kryesore,Opinion | Shkruar nga: TemA

Nga Lavdosh Ferruni



(Pjesa e parë)

NATO nuk mund të lejojë një pushtim ushtarak të një vendi anëtar të saj, si Shqipëria. Por NATO nuk ka ç’t’i bëjë pushtimit të Shqipërisë nga plehrat, për më tepër kur kjo bëhet me kolaboracionistët e qeverisë së sotme. Pushtimi i plehrave është i egër, shkatërrimtar i jetës së njerëzve, i çdo krijese të gjallë, degradues i mjedisit, poshtërim i dinjitetit dhe imazhit të vendit, diskriminim dhe çdo të keqe që ka një pushtim me përjashtim të mungesës së çizmes së ushtarit dhe tankut.

Në Han të Hotit dergjen me mijëra ton skrap të importit, që mund të jenë dhe me radioaktivitet, siç ndodh shpesh me importet e skrapit. Sipas një deklarimi të drejtorit të Kurum, 2 vjet më parë, thuajse çdo ditë ka hyrë një tren me hekurishte në Shqipëri i ardhur nga Novi Sad, qyteti ky i Serbisë më shumë i bombarduar nga NATO dhe me ndotje të madhe në mjedis prej bombardimit (skrap i ndotur gjithashtu). Në Shupenzë pritet të zbarkojnë qindra kamionë me plastika nga Maqedonia. Në Devoll kolaboracionistët po bëjnë gati letrat për të hyrë 12 mijë ton plastika nëpërmjet Greqisë dhe nën administrimin e kompanisë turke. Mijëra ton të tjerë pritet të vijnë në Kavajë e Berat. Në Vlorën e turizmit, qarku po bën gati kontratën për të ngritur një djegës plehrash, i cili do kërkoj për djegie mijëra e mijëra ton plehra të tjera, që do vijnë me të gjitha gjasat nga Italia. Në korrik kolaboracionistët nënshkruan që nga bota të vijnë 30,000 ton alumin e të shkrihet në Shqipëri, që pastaj kallëpet e gatshme të shkojnë andej nga erdhën e këtu të mbetet ndotja e tmerrshme e aluminit.

Është gati nënshkrimi i 30 mijë ton makina skrap nga vende të ndryshme deri nga Spanja e Malta për tu bluar në Durrës.

Dhe më 1 gusht (vini re datën e fillim pushimeve masive) të këtij viti jubileut të madh, kryekolaboracionisti firmosi ardhjen brenda vitit të 600.000 ton hekurishte, por tani jo vetëm nga Novi Sad e Bullgaria, siç ishte vendosur në prag Krishtlindjeve të vitit të kaluar (vini re përsëri pragfestën), por nga 175 vende të botës. Kjo sasi e stërmadhe hekuri do zbarkojë e digjet në Elbasanin e vuajtur e viktimizuar keqazi këto 40 vjet. Për këtë turku i Kurum-it, prej kështjellës së rimarrë të metalurgjikut, prej të cilit nuk u çlirua dot për së dyti Shqipëria, po e pushton atë. Së fundmi Kurum ka bërë të veten dhe 120.000 m2 në zemër të Portit të Durrësit, por ankohet se anijet që ai do të përpunojë me skrap janë shumë të mëdha e porti duhet thelluar. Ka kërkuar dhe një HEC që të jetë i tij. Strategjia e deklaruar e KURUM është rritja dhe ekspansioni në Shqipëri.

A ndihet era e pushtimit apo është tashmë pushtuar Shqipëria?

Le të ngelemi tek Kurumi për të kuptuar se termi i përdorur si pushtim nuk është thjesht një metaforë.

Parlamenti e di mirë se në Shqipëri mjedisi po shkatërrohet me ritme të shpejta dita- ditës dhe kontribuues të mëdhenj të kësaj ndotje janë disa investitorë të huaj, që importojnë ndotje në Shqipëri për të rritur fitimet e tyre. Ja si shprehet Gjana, që drejton komisionin që mbulon dhe mjedisin në një takim të këtij komisioni me kompaninë Kurum: “Unë kam bindjen se një pjesë e madhe e kompanive të huaja e synojnë Shqipërinë për klimën e investimeve që është krijuar, por ndonjëherë edhe për hapësirat dhe për lehtësirat që gjejnë duke mos zbatuar kriteret që lidhen me mjedisin. Mjedisi sot është një çështje e kushtueshme, për të cilin bëhen debate shumë të mëdha. Shqipëria ende nuk ka kapacitetet e duhura, logjistikën e duhur, ekspertizën e duhur, laboratorët e duhur dhe kërkesën e duhur për të mbrojtur ambientin”.

Qeveria mund të dijë dhe më shumë për krimin mjedisor në Shqipëri. P.sh Ministria e Mjedisit i di rezultatet tmerronjëse të analizave të tokës në zonën e Elbasanit, ku vazhdon Kurum-i të rrisë ndotjen aty dhe kështu krimin mjedisor: Studimi i Ryan Perroy, profesor–asistent në departamentin e Gjeografisë dhe Shkencës së Tokës në Universitetin e Wisconsin (http://news.uwlax.edu/professors-resear ... n-albania/) nga analizat e tokës brenda metalurgjikut e përreth tij tregon për “nivele ekstremisht të larta” të ndotjes në radhë të parë të kromit, nikelit, plumbit, nivele qindra dhe mijëra herë më të larta se rekomandimet e U.S. EPA (Agjencia e Mbrojtjes së Mjedisit në SHBA). Perroy thotë se ndotja mund potencialisht të përhapet tek njerëzit e kafshët përmes pluhurit të ajrit si dhe bimëve të ndotura dhe kafshëve që ata hanë.

Publiku di deri diku se çfare ka ndodhur e ndodh me mjedisin dhe shëndetin e popullsisë në Elbasan. Por nuk mund të mos risjellim në vëmendje të tij një ngjarje tronditëse të ndodhur në këtë zonë në valën e fushatës zgjedhore të vitit 2009, e të sfumuar prej saj: “Gruaja 22-vjeçare nga fshati Shijon i komunës Bradashesh pranë ish-Kombinatit Metalurgjik në Elbasan ka pësuar gjendje shoku në maternitetin kryesor të Tiranës, pasi ka mësuar se fëmija që ajo pas pak javësh pret të sjellë në jetë, do të lindë pa kokë. (Tiranë, 18 qershor NOA)”. Jo vetëm për faktin se lajmi u eklipsua prej fushatës, por edhe sa lajme të tilla të deformimeve të rënda gjenetike sidomos në kafshë në zonën e Elbasanit janë evidentuar me dhjetëra, në mos me qindra.

Prefekti Shefqet Deliallisi vitin e kaluar kërkoi marrjen e masave ndëshkimore për Kurum, si ndotësin kryesor. Elbasani prej vitesh renditet ndër qytetet më të ndotura në Shqipëri. Instituti i Shëndetit Publik në Elbasan ka bërë një studim, nga ku ka rezultuar se shifrat e personave të prekur nga kanceri dhe sëmundjet e mushkërive janë tepër të larta. Specialistët shprehen se shkaktari kryesor i shfaqjes së këtyre sëmundjeve është smogu, ndërkohë që ish-Metalurgjiku vazhdon të mbetet ndotësi kryesor.

Përveç ish-Metalurgjikut, shkaktarë të ndotjes së mjedisit në Elbasan janë mbetjet e skrapit dhe mbeturinat urbane. Kështu, depozitimi i mbetjeve të skrapit pranë ujërave të lumit Shkumbin vijon të mbetet një problem shumë serioz për qytetin.

Jo më vonë se në numrin e fundit të revistës Klan, ish kombinati metalurgjik etiketohet si “gërdalla kancerogjone kineze”, të cilit sot veçse mund t’i ndërrohet epiteti i fundit nga kineze në turke.

(VIJON)
Avatari i antarit
Edvin
Site Admin
 
Postime: 640
Antarësuar: 22 Shtator 2009, 15:34
Vendodhja: Tiranë, Shqipëri


Kthehu tek Media të tjera

Kush është në linjë

Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar i regjistruar dhe 2 vizitorë

cron