Zhdukja dhe abuzimi ndaj kafshëve të egra në Shqipëri

Informacione dhe diskutime rreth faunës së egër dhe kafshëve shtëpiake, përjashtuar kafshët e rritura në ferma.

Re: Zhdukja dhe abuzimi i kafsheve te egra ne Shqiperi

Postonga Edvin » 29 Dhjetor 2010, 01:02

Rregulla të rrepta për t’u pajisur me armë gjahu
28/12/2010Matilda Troka
GAzeta Shqip
Fier
Gjuetarët japin alarmin për zhdukjen e specieve të rralla
Speciet e rralla të faunës së Myzeqesë, në pjesën më të madhe të tyre janë zhdukur ose janë drejt zhdukjes për shkak të gjuetisë së paligjshme. Lajmi bëhet i ditur nga anëtarë të Shoqatës së Gjuetarëve të Fierit, të cilët konfirmojnë me bindje se disa shpendë janë zhdukur nga zona të cilat njihen si zona me faunë të pasur dhe specifike, siç është pylli i madh i Semanit. Shoqata e Gjuetarëve fierakë e denoncon këtë fakt duke dhënë alarmin tek strukturat përgjegjëse, Drejtoria e Ruajtjes së Pyjeve, për shqyrtimin e kësaj situate.

“Situata është dramatike. Në zonën e pyllit të Semanit janë zhdukur shpendë të rrallë si rosa e egër, bajaku, shkurtëza, këto janë shumë të rrallë, ndërsa thëllëza është zhdukur tërësisht nga kjo zonë. Pylli i famshëm i Semanit sot nuk ka më asnjë thëllëzë. Është zhdukur edhe lepuri i egër, këto i them me kompetencë të plotë, nisur nga përvoja ime shumëvjeçare si gjuetar profesionist. Sot mund të jetojnë në këtë pyll 4 ose 5 lepuj të egër. Semani, që dikur ishte parajsa e gjuetarëve, sot është kthyer në shkretëtirë. Tani ka vetëm një kafshë të egër, se shpendët janë zhdukur, çakalli. Edhe ky ka mbijetuar se nuk hahet mishi i tij, në të kundërt do ishte zhdukur”, - tha Lili Koçi, njëri prej anëtarëve të shoqatës.

Gjuetarët fierakë kërkuan zbatimin e rregullave të gjuetisë dhe ndëshkimin e atyre që abuzojnë.

“Kjo duhet të bëhet fillimisht me armët e gjahut. Duhet të vendosen rregulla të forta për dhënien e lejeve. Aktualisht çdo shtëpi në zonat rurale ka nga një ose më shumë armë gjahu”, - shtojnë gjuetarët.

Myzeqeja është shndërruar në një zonë mjaft të lakmuar prej gjuetarëve vendas dhe të huaj, të cilët kryejnë fushata të vërteta gjuetie pa u kontrolluar dhe ndëshkuar nga askush. Ligji për gjuetinë ndalon rreptësishtë gjuetinë e specieve që janë në rrezik zhdukjeje si dhe në të ashtuquajturin sezonin e shumimit. Kjo do të thotë që për secilën specie ka një sezon përkatës ku lejohet gjuetia dhe thyerja e këtij rregulli ndëshkohet me gjobë deri në burgim. Por, për vite të tëra gjuetia pa kriter ka shkretuar zonën e pasur të pyllit të Semanit dhe askush nuk është ndëshkuar, qoftë edhe me një gjobë simbolike.
Avatari i antarit
Edvin
Site Admin
 
Postime: 640
Antarësuar: 22 Shtator 2009, 15:34
Vendodhja: Tiranë, Shqipëri

Fshatarët e Kukësit dëmtojnë kamerat e shkencëtarëve

Postonga Edvin » 17 Maj 2011, 16:07

Fshatarët e Kukësit dëmtojnë kamerat e shkencëtarëve
2011-05-17Sulejman Dida
Fshatarët e Kukësit dëmtojnë kamerat e shkencëtarëve

“Menduam se ishin vënë nga policia, për ruajtjen e pyjeve”

Një nga kafshët më të rralla në botë dhe më interesante siç është rrëqebulli, rrezikon të zhduket nga pyjet shqiptare, përveç të tjerave edhe nga mungesa e informacionit nga ana e banorëve të zonave të thella malore.

Një program ndërkombëtar kushtuar rrëqebullit është sabotuar së fundi nga fshatarët e zonave malore të Kukësit, të cilët kanë dëmtuar me dashje kamerat vëzhguese të vendosura nga shkencëtarët në pyje për të fotografuar kafshën e rrallë.

Në territorin e Kukësit mendohet se jetojnë në gjendje të egër një numër i konsiderueshëm rrëqebujsh. Inxhinieri i pyjeve, Ilmi Gjana, i interesuar për sensibilizimin e banorëve të zonave të thella tregon se në krejt Ballkanin mendohet se janë vetëm 40 ekzemplarë, nga të cilët rreth 20 individë, pra gjysma e tyre janë në Shqipëri dhe kryesisht në Kukës dhe Librazhd.

Por Gjana tregon gjithashtu se komuniteti jo gjithnjë është bashkëpunues në këtë aspekt dhe persona të caktuar mund të bëhen pengesë për ruajtjen e species, më së shumti, siç tha ai, nga mungesa e informacionit. Është pikërisht rasti dëmtimit të kamerave të fshehta të vendosura në masivet pyjore mes komunave Surroj dhe Arrën në vendin e quajtur Karpat, ku janë dëmtuar dy kamera vëzhgimi. “Kemi biseduar me fshatarët që banojnë në afërsi dhe që njohin shumë mirë zonën. Na thanë se i kanë dëmtuar kamerat, sepse nuk e kanë ditur se për çfarë arsyeje ishin vendosur aty. Kishin menduar se janë kamera të policisë dhe do të vëzhgoheshin ata që dëmtojnë pyllin për dru zjarri”, thotë inxhinieri Gjana, duke shtuar se të dyja kamerat të vendosura në një shteg në afërsi të një burimi, që është i rrallë në atë zonë, i kishin bërë copë-copë.

Ai shpjegon se kamerat kanë qenë të vendosur disa javë më herët nga ekipi kërkimor i PPNEA-s, një shoqatë me partnerë nga Gjermania, Zvicra, Maqedonia dhe Norvegjia për mbrojtjen e mjedisit natyror në Shqipëri. Kjo e fundit nëpërmjet një uebi të saj në internet tregon se në rastin e Shqipërisë kemi të bëjmë me një program për studimin dhe ruajtjen e rrëqebullit (Programi për Rimëkëmbjen e Rrëqebullit të Ballkanit).

Në ditët e marsit të këtij viti kamerat e këtij programi kanë arritur të fiksojnë fotografinë e parë në Shqipëri të rrëqebullit të egër, në lëvizje gjatë orëve të natës çka, siç tregojnë specialistët përbën një ngjarje të rëndësishme.

Kamerat janë të pajisura me sensorë dhe vihen në funksion vetëm kur para objektivit ka lëvizje, e cila fotografohet në çast pa shqetësuar kafshën e egër. Deri vonë, forumet ndërkombëtare të mjedisit dhe në tërësi punëtorët e shkencës nuk pajtoheshin me faktin që në Shqipëri jeton një numër individësh rrëqebulli në gjendje të egër.

Në të vërtetë, konfirmimi i ekzistencës së rrëqebullit në Shqipëri është bërë në mënyrë amatore përmes personave që pasi e kanë vrarë si një kafshë të egër e kanë balsamosur duke e ekspozuar në lokale të ndryshme.

Mbrojtja

Kjo krijesë e egër, elegante, e bukur dhe e fortë mbrohet edhe me ligjin për Mbrojtjen e Faunës së Egër. Rrëqebulli si kafshë e rrallë ka pasur mbrojtje ligjore edhe në dekadat e komunizmit dhe klasifikohet sot e gjithë ditën në Listën e Kuqe si kafshë e rrezikuar në mënyrë kritike për zhdukje. Nga ana tjetër, rrëqebulli mbrohet edhe nga konventat ndërkombëtare si ajo e Bernës, Konventa Ndërkombëtare për Tregtinë e Specieve në Rrezik etj. Por barinjtë nganjëherë veprojnë kundër këtyre konventave nga mungesa e informacionit dhe prishin edhe kamerat e vëzhgimit të fshehtë.
Avatari i antarit
Edvin
Site Admin
 
Postime: 640
Antarësuar: 22 Shtator 2009, 15:34
Vendodhja: Tiranë, Shqipëri

Rrëqebujt e mbushur me kashtë, zbukurim për lokale

Postonga Edvin » 17 Maj 2011, 16:08

Rrëqebujt e mbushur me kashtë, zbukurim për lokale
2011-05-17

Gjatë vitit të shkuar, një rrëqebull është parë në një lokal të Fushë-Arrësit i balsamosur e i mbushur me bar të thatë me formën e përafërt origjinale. Një tjetër rrëqebull i balsamosur ka qenë ekspozuar në Shëmri, në rrugën Kukës-Tiranë, ndërsa një tjetër rrëqebull ndodhet i balsamosur diku në lokalet bri autostradës në afërsi të Laçit. Ndër të tjera, një rrëqebull të balsamosur njerëzit mund ta shohin edhe në një nga lokalet më në zë në qytetin e Kukësit ku gjenden edhe dëshmitë se është gjuajtur në bjeshkët e zonës. Dëshmia më e fundit vjen nga fshati Gabrricë i Kukësit, 14 km larg qytetit përbri Drinit të Zi, ku në janar të këtij viti një bari dhish ka vrarë dy rrëqebuj, të cilët më pas i ka balsamosur. Fshatari nga Gabrrica ka pohuar se nuk e ka njohur problemin e faunës siç e paraqesin specialistët, dhe se ai ka pasur frikë se ndoshta kjo kafshë e egër mund t’i dëmtonte bagëtitë. Por njohësit e faunës tregojnë se rrëqebulli ushqehet kryesisht me dhi të egra dhe thëllëza, ndërsa të fundit që mund të dëmtojnë janë bagëtitë e fshatarëve.
Avatari i antarit
Edvin
Site Admin
 
Postime: 640
Antarësuar: 22 Shtator 2009, 15:34
Vendodhja: Tiranë, Shqipëri

Re: Zhdukja dhe abuzimi i kafsheve te egra ne Shqiperi

Postonga Edvin » 07 Qershor 2011, 12:03

Ndersa kudo ne bote flitet se si te ruhet biodiversiteti dhe kafshet e egra, ne Shqiperi behen plane se si te vriten ato qe kane mbetur gjalle...

Egërsirat, panik në fshatrat e Fierit
2011-06-07
Matilda Troka
Gazeta Shqip

Ujqërit dalin në kope, dhelprat shtojnë sulmet. Banorët kërkojnë fushatë shfarosjeje

Kafshët grabitqare po bëjnë kërdinë mes kafshëve të punës dhe bagëtive në Cakran të Fierit. Ujqërit kanë nisur të shfaqen gjithnjë e më shpesh dhe gjithnjë e më të rrezikshëm në zonë. Prej disa javësh banorët e fshatrave kishin raportuar për zhdukjen e deleve, qengjave dhe kafshëve të punës.
Ujqër në Cakran

Qindra banorë ankohen se po ndiejnë për herë e më shumë kërcënimin e ujqërve dhe të dhelprës. Sipas tyre, kafshët grabitqare po rrëmbejnë jo vetëm bagëtitë, por edhe kafshët e punës. Fakti shqetësues pohohet edhe nga kryetari i komunës Cakran, Vladimir Korçari. Sipas tij, rritja e pranisë së ujqërve pranë banesave ose kullotave ka ardhur për shkak të dendësisë së pyjeve rreth këtyre zonave, e kjo edhe në sajë të kujdesit të vetë banorëve që të mos dëmtojnë pyjet.

Por, fenomeni po bëhet shqetësues edhe në fshatrat Gorishovë, Kreshpan ose në ndonjë fshat tjetër që nuk ka pyje afër. Dhjetëra bagëti janë gjetur të shqyera nga ujqërit, të cilët dalin në kope. Në mjaft raste gjahu i tyre janë bërë edhe kafshët e punës si gomarët, që banorët i marrin me vete kur kullosin bagëtitë. Duke i lidhur, për të mos u larguar, ata bien pre e lehtë e ujqërve.
Dhelpra në Levan

Në fshatin Peshtan të komunës Levan, banorët shprehen se ujqërit rrinë lart në male dhe zbresin në mbrëmje, por më të rrezikshme janë bërë dhelprat. Ato nuk kanë frikë dhe futen natën në qymezet e shpezëve dhe marrin pulat ose shpezë të tjera. “Kohët e fundit dhelprat po bëjnë kërdinë. Janë shtuar shumë, ndoshta për faktin se pylli është bërë i dendur. Duhet që ndërmarrja e pyjores të ndërhyjë duke rralluar pemët ose të na i lënë t’i pastrojmë vetë”, - thotë një banor i zonës.
Fushatë shfarosëse

Barinjtë nuk mund ta shpjegojnë pse janë rishfaqur kopetë e ujqërve, por thonë se e vetmja zgjidhje është riaktivizimi i Shoqatës së Gjuetarëve për të ndërmarrë një fushatë të gjerë kundër kësaj egërsire që po shfaros bagëtitë. Ata kërkojnë ndërhyrjen e komunës, ndërkohë që kjo e fundit ndihet e pafuqishme përballë një fenomeni të tillë. “Në kushtet e krijuara duhet të ndërhyjë shoqata e gjuetarëve ose komuna për të na ndihmuar”, - thotë Myrteza Muçi, banor i zonës. Ndërkohë, kryetari i komunës, Vladimir Korçari, shprehet se kjo është puna e vetë banorëve, të cilët duhet të tregojnë kujdes për ruajtjen e bagëtive. Ndërkohë që policia, sipas tij, nuk ka ndonjë ligj që të ruajë bagëtitë nga ujqërit apo të ndërhyjë në të tilla raste.
Avatari i antarit
Edvin
Site Admin
 
Postime: 640
Antarësuar: 22 Shtator 2009, 15:34
Vendodhja: Tiranë, Shqipëri

Ekzekutohet ujku ne autostraden Durres-Morine

Postonga Edvin » 14 Tetor 2011, 17:38

Gazeta Panorama
Martë, Tetor 4th, 2011
Një aksident i rrallë ndodhi dje në autostradën që të çon drejt Morinit, në dalje të qytetit të Kukësit. Këtë herë pre e aksidentit nuk kanë rënë qentë e rrugës, por një ujk i cili ka dashur të kapërcejë nga njëra anë e autostradës në tjetrën. Një autoveturë me targa kosovare ka përplasur ujkun përtokë duke i shkaktuar plagë të rënda, por jo ngordhjen. Rënkimet e bishës kanë tërhequr vëmendjen e kalimtarëve dhe shumë prej tyre janë ndalur për të parë kafshën e plagosur. Më pas, duke parë se ajo edhe mund të largohej janë thirrur disa gjahtarë të Kukësit, të cilët e kanë ekzekutuar më armë gjahu ujkun, duke e lënë mënjanë rrugës. Gjahtari Ismet Nërguti thotë se kohët e fundit ka pasur shtim të ujqërve rreth zonave të banuara.
Imazh
Avatari i antarit
Edvin
Site Admin
 
Postime: 640
Antarësuar: 22 Shtator 2009, 15:34
Vendodhja: Tiranë, Shqipëri

Kasaphanë me shpendët shtegtarë në Shqipëri

Postonga Edvin » 12 Shkurt 2012, 11:48

Dimri risjell shpendët
12/02/2012 10:00
Top Channel

Dimri siberian që ka pushtuar Europën Lindore dhe juglindore ka shkaktuar migrim masiv të shpendëve, kryesisht nga parqet e Bosnjes, Serbisë, Bullgarisë dhe Rumanisë.

Lumi Danub që grumbullon një numër shumë të madh shpendësh ka ngrirë plotësisht, duke detyruar emigrimin e shpendëve më në jug.

Këto ditë pothuajse përgjatë gjithë bregdetit dhe veçanërisht në zonat e liqenit të Shkodrës, lagunave në Shëngjin dhe Fushë-Kuqe, por edhe në Divjakë, janë shfaqur një numër i pazakontë i shpendëve.

Këtë e konfirmojne edhe gjahtarët amatore, të cilët thonë se numri i shpendëve që kanë mbërritur në këtë periudhë të vitit nuk ishte parë ndonjëherë.

Prej vitesh, në këto zona nuk shfaqeshin tufa të mëdha të shpendëve të ndryshem. Kjo për shkak të gjuetisë pa kriter.

Ndërkohë, këtë dimër shpendët kanë zgjedhur bregdetin dhe zonat e ulta të Shqipërisë si vend më të sigurt nga dimri i acarte, por po priten nga mijëra armë gjahu të ngritura nga qielli.

Pjesa më e madhe e këtyre tufave ka përfunduar në treg pasi gjahtaret nuk mund të konsumojnë vetë numrin e madh të shpendeve që vrasin çdo ditë.

Shihni videon: http://www.youtube.com/watch?feature=pl ... G0AvOJhwOs
Avatari i antarit
Edvin
Site Admin
 
Postime: 640
Antarësuar: 22 Shtator 2009, 15:34
Vendodhja: Tiranë, Shqipëri

Re: Zhdukja dhe abuzimi i kafsheve te egra ne Shqiperi

Postonga Edvin » 12 Shkurt 2012, 11:49

Masakrimi i nje ujku ne qytetin e Kukesit, jepet nga gazeta si lajmet e PPSH gjate viteve 1945-1989.

Ujku zbret në qytetin e Kukësit
2012-02-10
Fillon shpërndarja e ndihmave ushqimore
Ujku zbret në qytetin e Kukësit
Gazeta Shqip

Dimri i ftohë me shumë ngrica dhe dëborë ka bërë që kafshët e egra grabitqare, siç është ujku, të zbresin nga malet e të shfaqen në zonat urbane, madje në qytet. Banorët e lagjes 1 të Kukësit kanë parë dje në mëngjes një kafshë të tillë të kalojë mes përmes pallateve, i ndjekur nga një turmë të rinjsh që e gjuanin me hunj, ndërkohë që kanë pasur shumë frikë t’i afrohen. Njerëzit kanë lajmëruar një gjahtar, i cili ishte në një kafe atypari, por derisa ai ka shkuar në shtëpi për të marrë armën e gjahut, ujku ka hyrë sërish në pyll dhe është zhdukur në zonën e dushkut, duke e çarë dëborën me shumë vështirësi. Disa persona thanë se në orët e vona ujku ishte vrarë nga një rojë stalle, nga frika se do t’i dëmtonte bagëtitë. Tre vjet më parë, në një dëborë të ngjashme, katër ujq zbritën në qytet nga malet e Hasit, ku më pas u vranë nga gjahtarët. Edhe pse vrasja e këtyre kafshëve është e ndaluar me ligj, kur ata janë shfaqur në komunitet të uritur, nuk janë kursyer aspak. Fenomeni i afrimit të egërsirave pranë qendrave të banuara është vërejtur këto ditë edhe në zona të tjera të Europës që po vuajnë pasojat e motit të keq.
Avatari i antarit
Edvin
Site Admin
 
Postime: 640
Antarësuar: 22 Shtator 2009, 15:34
Vendodhja: Tiranë, Shqipëri

Re: Zhdukja dhe abuzimi i kafsheve te egra ne Shqiperi

Postonga Era » 20 Shkurt 2012, 14:43

Zhduket një pjesë e faunës së egër në Durrës
Mark Brunga - Gazeta Shekulli


Disa nga kafshët që dikur popullonin lagunat e bregdetit të Durrësit të njohura në mbarë vendin për faunën e pasur të tyre, janë duke u zhdukur, ose janë larguar përfundimisht. Shoqata e gjuetarëve të Durrësit “ Pali Rroco“ ka lëshuar alarmin pasi në bashkëpunim me policinë specialistë të kësaj organizate ndërmorën një kontroll në zonat e gjuetisë. Kontrolli u krye në zonën e Bisht Kamzës, ndërsa në lagunat e Shën Pjetrit ekipi i policisë pyjore së bashku me efektiva të policisë së shtetit kanë sekuestruar një armë gjahu pa lejë, fakt ky që dëshmon për gjuetinë e paligjshme. Kreu i shoqatës Asti Hanxhari thotë se ka të paktën 3500m gjuetarë të pajisur me armë zjarri, ndërkohë që zyrtarisht kuotizacionin e kësaj shoqate e kanë paguar vetëm 300 vetë. Ai thotë se kontrollet për gjuetinë e paligjshme duhet të jenë më të shpeshta dhe më efikase nga autoritetet, sepse “faktet në terren dëshmojnë që gjuhet edhe jashtë ditëve të miratuara për gjueti”. Gjuetia lejohet vetëm në fundjavë përkatësisht të premteve, të shtunave dhe të dielave, por gjuetarët e zonave rurale e ushtrojnë këtë aktivitet gjatë gjithë javës. Problem akoma i pazgjidhur mbetet fakti që shumë njerëz kanë në shtëpi armë gjahu pa leje. Në jo pak raste vetë Policia e Shtetit ka mundur të sekuestrojë armë të tilla nëpër shtëpitë e banorëve.

Franko Tufa, një gjuetar i vjetër profesionist në Durrës gjuan prej shumë vitesh në brigjet e lagunave. Ai thotë se “tashmë gjuetia ka degraduar”. Nëse para disa viteve lagunat ishin mjaft të pasura kohët e fundit ato janë varfëruar aq shumë sa çdo banor i cili jeton në zonat e njohura të gjuetisë mund ta dallojë këtë fakt. Ka disa lloje shpendësh e kafshësh që janë zhdukur për shkak të gjuetisë pa kriter që bëhet nga gjuetarë jo profesionistë, të cilët jo vetëm që nuk respektojnë ditët e lejuara për gjueti, por përdorin mjete të ndaluara imituese që shkatërrojnë faunen. Rosa e egër është e ndaluar të gjuhet natën, por ky rregull nuk zbatohet dhe ky shpend i natyrës tashmë nuk preferon të qëndrojë në lagunat e bregdetit shqiptar. Veç saj janë zhdukur krejtësisht lepuri i egër, thëllëza e fushës, fazani, etj. Gjuetarët profesionistë pohojnë se në këtë situatë ndikon edhe gjuetia që bëjnë gjuetarët e huaj, të cilët zakonisht gjuajnë me mjete gjahu automatike dhe me imituesa. Gjuetarët konstatojnë se gjuetia për tregti po bëhet një fenomen akoma më shqetësues. Gjuetarët madje edhe familjarë të ndryshëm të tyre përdorin armë zjarri për të vrarë sa më shumë shpendë që shiten më pas në restorante të shtrenjta me çmime të kripura.

Përveç problemeve të mësipërme sekretari i shoqatës Lelo Aleksi thotë se “i kemi kërkuar Drejtorisë së Shërbimit Pyjor dhe Drejtorisë së Policisë që të bëjnë verifikim të të gjithë personave që posedojnë armë gjahu por që nuk kanë lidhje me shoqatën tonë”. “Ne kemi kërkuar”, vijon ai, “që në mbyllje të sezonit të gjuetisë të bëhet vulosja e të gjitha armëve, kontrolli i gjëndjes teknike të tyre, dhe vetëm me fillimin e sezonit të ri të gjuetisë të bëhet rihapja e tyre me komision”. Duke u nisur edhe nga numri i aksidenteve që kanë ndodhur me plagosje në gjueti, duhen evidentuar dhe ndëshkuar në mënyrë të rreptë të gjithë ata prindër që u japin armën pa asnjë përgjegjësi fëmijëve dhe të miturve dhe për fatin e keq ata nuk janë pak, thonë gjuetarët.

Kreu i sektorit të policisë pyjore Haxhi Bici thotë se nga Drejtoria Pyjore janë marrë masa për të ndaluar gjuetinë e paligjshme, por edhe problemet janë të shumta thotë ai. Në qarkun e Durrësit, që përfshin edhe rrethin e Krujës numri i gjuetareve është rreth 6500, ndërsa të anëtarësuar në shoqatën e gjyqtarëve, pra gjuetarë të legalizuar, janë vetëm 350 vetë. Ai thotë se për të mbrojtur zonën që kanë nën juridiksion do të ketë kontrolle të vazhdueshme dhe se masat perveç gjobave të rënda do të shkojnë deri në sekuestrimin e armëve të gjahut sikurse është vepruar në disa raste të mëparshme. “Në disa raste janë vënë edhe gjoba me vlerë 80 mijë lekë të reja”, sqaron ai. Ndryshe nga herët e tjera, kur gjuetia ka vazhduar deri më 15 mars, këtë vit ajo u bllokua që më 15 shkurt për të gjitha llojet e shpendëve, me përjashtim të rosën marsatore që do të gjuhet deri më 15 mars. Pas këtyre datave kushdo që do të kapet duke gjuajtur, do t’i bllokohet arma dhe do të ndëshkohet penalisht.
Avatari i antarit
Era
 
Postime: 21
Antarësuar: 30 Tetor 2011, 17:27

ARIU

Postonga Edvin » 20 Prill 2012, 10:02

ARIU
2012-04-19
Artan Lame

Gazeta Shqip

SHQIPNI TAVOLINASH

U mblodhën para ca vjetësh një grup shkencëtarësh, për të parashikuar shpikjet që do të bëhen në shekullin që sapo nisi. Ndër të tjera, një prej parashikimeve të tyre, ishte se brenda vitit 2030, përmes programeve kompjuterike, do të jemi në gjendje të interpretojmë gjuhët e kafshëve të ndryshme. Ajo që më bëri përshtypje, ishte pasoja e kësaj shpikjeje. Sipas atyre shkencëtarëve, interpretimi i gjuhës së kafshëve do të ketë si pasojë që njerëzimi do të bëhet vegjetarian, pasi, duke ju interpretuar gjuhën, do të jetë praktikisht e pamundur nga ana etike t’i vrasësh kafshët. Do të kthehet në tabu, në një farë kanibalizmi. Në fakt, vrasja e kafshëve të egra është tashmë tabu në hapësirën europiane dhe, po miratohen njëra pas tjetrës konventa, marrëveshje, ligje e rregulla, për vrasjen pa dhimbje dhe stres të kafshëve të mbarështuara për mish.

Ndërsa unë tjerr teoria, Edvini, miku im i palodhur që gjezdis Shqipërinë jashtë rrugëve me asfalt, më fliste s’ka ca ditë, për një këlysh të vockël ariu, gati sa një mace e madhe që, i lidhur me një litar, lodronte me nja dy djem në një rrugë fshati në malësitë mbi Korçë. Edvini: I pyeta se ku e kishin gjetur, më thanë se e kishin marrë në pyll, pasi i kishin vrarë nënën. - E vratë! E pse?! - Po ç’ta bënim, e pamë në mal, e ndoqëm, e qëlluam dhe e vramë!

Masakra e pyjeve tona, është tashmë jo më gjë e njohur, por e mërzitshme. Kemi folur e ulëritur, kemi denoncuar e kemi bërë emisione, kronika e peticione. Asgjë s’ka ndryshuar, përveç faktit që tashmë të flasësh për prerjen e pyjeve shkakton mërzi dhe bezdi dhe njerëzit kthejnë faqen e gazetës apo kanalin e televizorit. Por s’duhet të harrojmë, që prerja e pyjeve, ka sjellë edhe një tjetër tragjedi, edhe më të rëndë, holokaustin e faunës shqiptare. Një mori kafshësh të egra, që dikur gëlonin në pyjet tona, tashmë o janë zhdukur, o po përpiqen të mbijetojnë të tmerruara në skutat më të largëta të mbetura larg nesh. Drerët, kaprojtë, arinjtë, shqiponjat, rrëqebujt, lejlekët, dhelprat, breshkat e ujit, e plot mrekulli të tjera të natyrës, tani s’janë më. U mbijetuan, jo shekujve e mijëvjeçarëve, por miliona vjetëve, për t’u zhdukur e tretur brenda vetëm pak dhjetëvjeçarësh. Dhe, sa më shumë zhduken, aq më shumë konventa kundër gjuetisë së tyre, nënshkruan shteti shqiptar. Dikur ishin këto kafshë krenare që u fusnin tmerrin njerëzve kur i përballnin pyjeve, ndërsa tani rolet janë ndërruar dhe këtë ne e quajmë qytetërim.

Po le t’i kthehemi edhe një herë atij këlyshit që ende merr frymë, se sa për shqipet e pelikanët, ata na kanë lënë puplat me kohë e vakt. Përmes maleve të rrjepura, zhurmës së motosharrave dhe kamionëve të ngarkuar me trungje të prerë, midis tymit dhe flakëve që u vëmë pyjeve çdo vit, midis krismave të dhjetëra mijë çifteve pa leje që lëshojnë breshëri mbi çdo gjë që lëviz, midis guroreve dhe dinamitit të tyre, imagjinoni tani për një moment atë arushën e gjorë që përpiqej të kryente detyrën për të cilën e ka krijuar Zoti për miliona vjet. Në këtë ambient të shkretë, ajo ia ka dalë sidoqoftë të çojë deri në fund shtatzëninë e saj të vështirë dhe të sjellë në jetë tre këlyshë, që pastaj përpiqet t’u mësojë me frikë në zemër sesi t’u fshihen atyre xháxhave me dy këmbë dhe me një shkop të gjatë që nxjerr zjarr. Kadareja ka shkruar dikur për pushkën e gjatë të shqiptarit, por ajo poezi tashmë vlen vetëm për gjuetarët pa leje dhe arinjtë e malit që s’gjejnë derman prej tyre.

Kacavirret e shkreta nënë shkëmbinjve nëpër natë, duke u përpjekur të rrisë këlyshët, që e ndjekin pas pa kuptuar gjë nëpër errësirë dhe t’i ushqejë ata me ç’të mundet e ç’kemi lënë pa marrë, pa zhvatur e pa shitur, neve të qytetëruarit, derisa një ditë..., takimi me njeriun do të ndodhë se s’bën. Vrapon e gjora nënë, e ndjekur nga njerëzit dhe, megjithëse mali është i zhveshur, po të ishte e vetme, mund t’ia dilte t’u fshihej, por pas ka tre këlyshët që nuk i braktis dot, por vetëm i nxit me sy të tmerruar të nxitojnë. Ata e ndjekin pas duke dihatur deri sa dëgjohet: “pam, pum” dhe nëna plaset përdhe e mbuluar në djersë. Një çurkë gjaku që i kullon nga kurrizi dhe një grahmë e fundit që i del nga fyti, ndërsa sheh t’i ngjeshen pranë këlyshët që i thonë: - O mami çohu, pse ndalove, o mami çfarë është ky uji i kuq që po të rrjedh, o mamiiii! Ndërkaq, të qytetëruarit me pushkë në krah, arrijnë dhe i marrin të tre këlyshët, duke i futur në një thes, ndërsa arushën e tërheqin zvarrë të lidhur për këmbe dhe përfundon e shitur në pazarin e Korçës për mish. Mund ta verifikoni, në Korçë mishi i ariut shitet 300 l/kg. Dikur këndohej serenatë “Ky Pazar’ i Korçës / ka vajza pa masë”. Tani që jemi qytetëruar, në Pazar të Korçës hanë mish ariu, ndërsa lëkura pastaj, e mbushur me kashtë, përfundon në restorante si suvenir idiot.

Ata djemtë i treguan Edvinit se njëri nga këlyshët ngordhi pas dy ditësh, ndërsa një tjetër ua kishin shitur ca arixhinjve. Këtë të fundit që u kish mbetur, tani e mbanin lidhur dhe s’dinin ç’ta bënin. Po ta dinim sakaq gjuhën e arinjve, do kuptonim të na pyesë: - O xhaxhi, ku është mami im, po vëllezërit ku janë. - Mamin e vramë. - Po pse, çfarë ju bëri? - E vramë për ta ngrënë. - Për ta ngrënë?!!! – Obobo, mamin tim do të hani? Mami që ishte aq e mirë dhe që kujdesej për mua? - Po tani kush do të kujdeset për mua? - Ne, sa të rritesh. - Po pastaj? - Pastaj do të të vrasim do të të rrjepim dhe do të të hamë? - Do më hani? Po pseee? - Sepse ne jemi njerëz të qytetëruar.

Unë dhe ju që më lexoni, u rritëm me “Ariun artist”, me “Ariun që kërkonte babanë” dhe gëzoheshim në vegjëli kur teatri mbaronte me ariun qaraman që përqafonte babain duke thënë “babi ime, babi ime”. Ndërsa sot jemi në shekullin XXI, qytetërimi ka ecur përpara dhe fëmijët rriten me këlyshët që ju vritet mami për t’u ngrënë! Bëni hesap tani se me ç’mendje do të rriten këta kalamaj!
Avatari i antarit
Edvin
Site Admin
 
Postime: 640
Antarësuar: 22 Shtator 2009, 15:34
Vendodhja: Tiranë, Shqipëri

Re: Zhdukja dhe abuzimi i kafsheve te egra ne Shqiperi

Postonga Edvin » 23 Prill 2012, 07:28

Abuzimi me shqiponjat e kapura, qe u jane prere krahet dhe burgosur neper kafaze te vegjel ne lokale me emer ne Tirane si Bar restorant Tafaj te Rruga e Kavajes ne Tirane, lokali Sofra e Ariut te Rruga e Elbasanit ne Tirane.
Shtojca
sh4.jpg
Shqiponje e masakruar te Bar Tafaj-Tirane
sh4.jpg (133.73 KiB) Parë 4850 herë
sh3.jpg
sh3.jpg (88.98 KiB) Parë 4850 herë
sh2.jpg
Shqiponje te ciles ia kane prere krahet te lokal sofra e Ariut te rruga e Elbasanit
sh2.jpg (175.65 KiB) Parë 4850 herë
36736_404659946652_507221652_4929774_1202496_n.jpg
Shqiponje e masakruar te Restorant Tafaj ne Tirane
36736_404659946652_507221652_4929774_1202496_n.jpg (70.02 KiB) Parë 4850 herë
Avatari i antarit
Edvin
Site Admin
 
Postime: 640
Antarësuar: 22 Shtator 2009, 15:34
Vendodhja: Tiranë, Shqipëri

MëparshmePërpara

Kthehu tek Kafshët e egra & të buta

Kush është në linjë

Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar i regjistruar dhe 1 vizitor

cron