Shqipëria, për shkak të pozitës së saj gjeografike, ka qenë një vend me florë e faunë të pasur. E theksoj ka qenë, pasi me shekuj fauna e Shqipërisë është gjuajtur me ritme të shfrenuara, por masakra me shkatërrimtare që po i ndodh është kjo e fundit, nga viti 1990 e deri më ditët e sotme. Përveç zhdukjes së gjitarëve dhe shpendëve të vendit tonë nga vetë popullata që u armatos në 1997, kemi dhe gjuetarë shqiptarë e të huaj që po zhdukin me një ritëm të shpejtë kafshët e fundit të mbetura. Megjithëse shumë kafshë janë të mbrojtura me ligje shqiptare e nga dhjetëra konventa ndërkombëtare që drejtuesit tanë me zell i firmosin, te ne masakrimi i kafshëve ndodh në ditën me diell, në mes të mijëra personave dhe me license të vetë qeverisë. Nga fillimi i viteve 2000 e deri më sot, me mijëra italianë vijnë çdo vit, të organizuar nga agjenci gjuetie të cilat me 3000-5000 euro leje që paguajnë çdo vit, kanë të drejtë të dhënë nga vetë ministria e mjedisit që të vrasin çdo gjë të gjallë (përveç njerëzve) që u pëlqen, pa kuota e pa kontrolle. Nuk ka statistika për kafshët e mbetura gjallë pasi statistikat do të nxirrnin në pah shkallën e shkatërrimit dhe vrasjeve që njerëzit po i bëjnë faunës në Shqipëri. Vetëm dihet se nga studimet e biologëve e natyralistëve shumë të paktë shqiptarë, që shumë shpendë e kafshë nuk folezojne e ndërtojnë strofkulla më në Shqipëri pasi e dinë që i pret vdekja ose ndoshta vriten para se të arrijnë që të ndërtojnë fole e strofkulla. Te ne ka parqe kombëtare vetëm në letër, pasi parqet kombëtare nuk kanë roje, nuk kanë kontroll dhe me e keqja është se jepen leje për të gjuajtur në parqe kombëtare. Nuk ka nevojë të ikim larg për të parë masakrën e kafshëve të egra në Shqipëri, mjafton të ngjitesh në kodrat që janë rreth 100 larg lagjes në rrugën Medar Shtylla, kodrat ku është vendosur Kopshti Botanik, e të shohësh ushtrinë e gjuetareve që vrasin çdo gjë që lëviz në ato kodra duke vënë kështu në rrezik edhe jetën e mijëra qytetarëve të Tiranes që shkojnë në ato kodra për piknik ose për ajër të pastër.
Abuzimi me kafshët që nuk i vrasin merr përmasa edhe më çnjerëzore. Kafshët e zëna mbahen në kafaze tepër të ngushta, lidhen me zinxhirë, rrihen e plagosen, vihen të luftojnë me qen e lloj lloj formash torturash. Dhe këto tortura nuk ndodhin në ndonjë zonë të harruar larg syrit të publikut, ato ndodhin në mes syve të miliona vetëve, pasi në Shqipëri tortura dhe masakrimi i kafshëve konceptohet nga pronarët e lokaleve e restoranteve, si një gjë që i tërheq klientët megjithëse nuk kane bërë asnjë studim nëse ky konceptim është i saktë apo jo.
Shembuj shumë evident të mbajtjes së kafshëve të egra në robëri kemi në mes të Tiranës, siç është Kopshti Zoologjik dhe restoranti "Sofra e Ariut" ku kafshët e mbrojtura mbahen në kushte çnjerëzore dhe aspak të denja për to. Arinjtë e murrmë janë bërë ikonë e kafshëve që abuzohen më së shumti, megjithëse janë Specie e Mbrojtur Evropiane dhe nëse Shqipëria do të futet në BE, duhet të lirojë me qindra arinj të murrmë që mbahen në robëri. Ky është një problem që nuk prek direkt qytetarët, por që ka krijuar një imazh shumë të keq për Shqipërinë në BE dhe në rrethen ambientaliste në botë.
Si mund të jetojë një ari që ka nevojë për një territor gjuetie e jetese nga 38 km2-1000 km2, në një kafaz 2 me 2 metër hapësirë? Të gjithë besoj se e keni parë ariun e shkretë në plazhin e Durrësit që tërhiqet me anë të një unaze që i kanë vënë duke i shpuar buzën e sipërme, mes një vape përvëluese. Besoj i keni pare vuajtjet e atij ariu dhe se si ia kanë prerë dhëmbët dhe kthetrat në mënyrë qe mos te rebelohet e te sulmoje skllavëruesin e tij. Dhe më e keqja është se plazhistët e stimulojnë skllavëruesin e ariut, duke dalë në foto me ariun në këmbim të një pagese.
Rast tjetër është restoranti "Krasi" në Komunën Krahës në Qarkun e Gjirokastrës, ku ne kushte torturuese mbahet një ari në një kafaz 2 me 2 metra, dhe një ujk i lidhur me zinxhirë, ku herë pas here sulmohet nga qentë që pronari i le siç duket të argëtohen me ujkun e robëruar që në çastin kur ne e fotografuam, ishte i plagosur dhe i rridhte gjak nga kofsha e djathtë.
Për më tepër shihni fotot, ato flasin më shumë se 1000 fjalë ...

