Ndotja nga plastika ne Shqiperi

Diskutime, komente dhe pyetje rreth mbetjeve të ndryshme të prodhuara nga aktivitetet njerëzore, mbeturinave & riciklimit të tyre

Ndotja nga plastika ne Shqiperi

Postonga Edvin » 28 Prill 2011, 22:09

Marrëzia e ambalazhit
ARDIAN KLOSI | 28/04/2011 |Shekulli
Nuk di a ka ndonjë shtetas shqiptar që nuk përdor dhe hedh çdo ditë të paktën nga një qese plastike. Vetë llogaris që çdo ditë zbraz në plehra të paktën 12 të tilla. Në çdo dyqan që të shkosh, çfarëdo që të blesh, është e pamundur që në fund të mos ta mbështjellin gjënë me një qese plastike.
Daç këpucë, daç paracetamol, daç bukë - fundi i historisë është ambalazhimi në plastikë. Shitësit, akti i mbështjelljes i duket bujari, sikur të mos ia pranosh gati-gati ofendohet (sigurisht që është bujar, sepse ai vetë për atë cipë të shëmtuar nuk paguan thuajse asgjë, paguan ambienti).

Disa herë kam ikur pa e blerë sendin pikërisht prej këtij konflikti; më e tmerrshmja është kur ta japin edhe një copë panine në plastikë, e unë detyrohem ta pyes shitësin nëse edhe në shtëpi bukën e kap me plastikë. Me thënë të drejtën, nganjëherë habitem që kusurin ose eurot e kthyera në lekë shitësit nuk m'i fusin edhe ato në qese plastike.

Por se mos janë vetëm qeset. Çdo ditë konsumojmë edhe shishe plastike, të ashtuquajturit bidonë (bidonë dikur quheshin vetëm mbajtësit e mëdhenj metalikë) p.sh., për ujin, koka-kolën etj. Edhe këto njësoj si qeset janë vetëm njëpërdorimshme, e shumta dy, kur ia jep ndonjë fshatari për të shitur qumësht.

Po se mos janë vetëm qeset dhe bidonët. Edhe kartonët ku shitet qumështi, lëngu i frutave, vera etj., janë njëpërdorimshme dhe të gjitha përfundojnë po në një vend, te koshi i plehrave. Ky zakonisht në shtëpitë tona ndodhet nën lavaman. E kemi një ndjenjë lehtësimi kur zhdukim ambalazhin, që na shërbeu vetëm për të mbajtur mall nga dyqani në shtëpi, poshtë lavamanit.

Por lehtësimi më i madh është kur qesen e madhe të mbushur kryesisht me qese më të vogla, me ca mbetje ushqimi, me ilaçe të skaduara, me bateri të vjetra dhe 20 fëlliqësi të tjera e marrim dhe e hedhim te kazani i madh i plehrave që ndodhet anë rrugës. Kur e kemi vërvitur (mundësisht me zhurmë) prodhimin tonë të ditës në atë kazan, së brendshmi dëgjojmë një ahh çlirimi dhe vetja na duket si e pastruar, ndërgjegjja e qetë, gati-gati sikur kemi bërë dush pas një pune gjithë djersë.

Kjo qetësi vjen sidomos ngaqë në qytetet tona ka disa vjet që plehrat largohen rregullisht. Na hiqen sysh, si të thuash. Edhe qentë e macet janë pakësuar qysh nga ajo kohë rrotull kazanëve. Askush s'e lodh më mendjen se ç'u bënë gjithë ato qese e bidonë e kuti që "konsumuam" gjatë ditës.

Dikur, ne të Tiranës edhe na vriste ndërgjegjja kur kalonim pranë Sharrës, varrezave, kombinatit, dhe shihnim tymin helmues që nderej mbi gjithë atë rajon të kryeqytetit, pasi plastika digjej nën qiell të hapur, por tani dhe tymi i djegieve plastike është zhdukur, sepse bashkia ka disa kohë që ato i gropos nën tokë.
Po nën tokë që u zhduk plastika, mos u bë gjë pleh për pjellorimin e tokës? Joo, përkundrazi. Le që plastika, e cila prodhohet nga polimeret e naftës, do dhjetëra vjet të shpërbëhet e, kur shpërbëhet lëshon në mjedis substanca toksike. D.m.th., nëse e fshehim nën tokë, nuk e kemi zhdukur, vetëm e kemi futur në një si purgator, dhe një ditë të bukur ajo na hyn me këto substanca në ujërat nëntokësorë, të cilat i pimë vetë ose i pinë kafshët shtëpiake dhe joshtëpiake.

Ky ishte rasti më i mirë: që bashkia e një qyteti i merr mbetjet tona të përziera (plastikë, pelena me të dhjera, prezervativë, ilaçe të skaduara, bateri, vajra të djegura etj.) dhe i kall në një landfill. Mosdepërtimi i substancave helmuese nga ky landfill në tokë varet prej izolimit të tij, por edhe izolimi më i mirë një ditë epet, përfytyroni sa shpejt epet në Shqipëri, pra dikur masa që futëm me aq lehtësim nën lavaman do të shpërbëhet në natyrë me elementet e veta johelmuese dhe helmuese.
Tani të marrim rastin më të zakonshëm te ne: shumica e bashkive, e komunave dhe individëve mbeturinat e qyteteve, fshatrave, familjeve të tyre nuk i groposin në landfille, por i hedhin të hapura në natyrë. Kushdo që ka ecur pak anë një fshati ka parë plehrat e tij në një djerrinë anësore, ndërsa kur fshati a qytetthi e ka një lumë, plehrat, ku mbisundon plastika, hidhen në faqet e këtij lumi.

Në dimër lumi fryhet dhe i merr plastikat me vete. Kur ulet në pranverë e verë, del se qeset, bidonët dhe ambalazhet e tjera i ka lënë në pjesën më të vogël brigjeve të tij ose majë shkurreve, kurse pjesën më të madhe e ka hedhur në det.
Lumenjtë e vegjël të Shqipërisë ose rrjedhat e sipërme të lumenjve të mëdhenj kanë ende një bukuri të rrallë. Duke qenë terreni i thyer lëndinat nga ato kalojnë përkëmbehen me ngushtica, kanionet me ujëvara. Ngaqë eci shpesh në malësitë e Tiranës e më tej e njoh bukurinë e Erzenit, të lumit të Tiranës etj. Por, kam parë edhe lugina me një hijeshi fantazmagorike, si ajo e lumit të Zezës, midis Zgërdheshit (ish-qytetit antik Adrianopolis) dhe Krujës.

Ishte muaji mars: në pjesën më të madhe bukuria natyrore e luginës përplasej me shëmtinë njerëzore të plastikave të shpërndara andej-këndej si mozaik laragan plagësh. Mendova: sa pak kohë u desh, 20 vjet, as një brez njerëzor që të përçudnohej kjo luginë. Jo se nuk mund të pastrohet, ende mund të pastrohet, por do të duhej një vullnet gjigant i administratës lokale e sidomos vetëdijesim i njerëzve për vendin ku jetojnë, për çka nuk duket deri më sot asnjë shenjë.
Pjesa më e madhe e plastikave siç e thamë, përfundon në det. Edhe, ikën nga ne? Joo, aspak. Valët e detit plastikat na i kthejnë mbrapsht, kështu që një pjesë e mirë e bregdetit shqiptar, sidomos atij të ulëtit Adriatik është tejmbushur me qese, bidonë dhe sende të tjera plastike. Kam ecur më këmbë, bie fjala, gati në gjithë bregun e Shëngjinit deri poshtë në zonën e mbrojtur të lagunave, është një peizazh i bukur në potencë, por i ndyrë në realitet, kryesisht nga plastika.

Sikurse është edhe i gjithë Kepi historik i Rodonit. Aksionet e pastrimit që bëhen çdo fillim sezoni në plazhet kryesore e që me kaq bujë na i transmetojnë televizionet, janë qesharake. Qesharake, sepse kanë të bëjnë vetëm me 5-6 plazhe ku shkojnë pushuesit dhe s'prekin pjesën më të madhe të litoralit tonë, qesharake, sepse plastikat e mbledhura ku shkojnë? Ose hidhen prapë në lumë, ose kallen nën tokë, ose digjen në natyrë të hapur për të helmuar me mënyrat e veta ajrin që nderet mbi këtë vend.

Vitin e kaluar qeveria shqiptare lejoi importimin e mbi 50 llojeve të ndryshme mbeturinash, me argumentin se këto do t'i shërbejnë industrisë ricikluese të vendit. Plastika aty zë vendin e parë. Mirëpo kjo puna e industrisë së riciklimit është një gënjeshtër e madhe. Riciklimi është thjesht një biznes që pasuron disa pak vetë, e që tani do të bëhet me lëndë të parë importi. Ai nuk do t'i shërbejë aspak pastrimit të vendit nga plastika që po na zë frymën.

Edhe sikur të ushqehej vetëm me lëndë të parë nga vendi: po japim vetëm një shifër sa për ta kuptuar se riciklimi i plastikës nuk është aspak zgjidhja: Jared Blumenfeld, përgjegjës i Departamentit të Mjedisit në qytetin e San Françiskos, ka përllogaritur se kushton 4.000 dollarë riciklimi i 1 toni qesesh plastike, për të nxjerrë një produkt që do të shitej pastaj në treg me 32 dollarë!
Dhe përfytyroni ç'problem është mosriciklimi i plastikës edhe për një vend të zhvilluar si SHBA, ku, mes Kalifornisë dhe Havait lundron një gjigant mbeturinash, i quajtur Garbige Patch, me madhësi sa dyfishi i Teksasit, i përbërë në 80% nga plastika! Riciklimi i plastikës duket ka dobi kryesisht në vende si Shqipëria, ku paguhet pak krahu i punës dhe nuk ka taksa mjedisi, ku mund të helmohet pa pengesë ajri dhe toka. Ndaj t'i hapim dyert e importit fëlliqësirave plastike!

Rruga e vetme për t'u çliruar nga makthi i ambalazhit plastik është ndalimi i tij, qoftë dhe i pjesshëm. Vende si Bangla Deshi, Ruanda e shumë të tjera e kanë ndaluar përdorimin e tyre. Po kështu e ka ndaluar edhe qyteti i San Françiskos, të tjerë qytete si Bostoni po e pasojnë. Kina ka ndaluar përdorimin e qeseve plastike pa pagesë. Irlanda ka vënë taksë të fortë mbi to, duke sjellë kështu uljen e përdorimit në 90%.
Ose përfytyroni sikur gjithë uji që tregtohet në Shqipëri të mos futej më në shishe plastike por në shishe të kthyeshme qelqi! Mirëpo si do të pasurohen biznesmenët e shisheve plastike?
Ne u rritëm në një Shqipëri pa qese e pa shishe plastike. Me një rrjetë bëheshin pazaret, kurse shitësi mallrat ushqimore t'i mbështillte në letër. Askush nuk vdiq as u sëmur për këto arsye. Ndërsa shishet e qelqit i kthenim të gjitha dhe me paratë e fituara shkonim në kinema. Nuk jam nostalgjik për atë kohë (kryesisht sepse njerëzit që na drejtojnë janë cok pjella të saj); por sytë i kemi të gjithë në ballë për të kuptuar se lindëm në një vend të bukur dhe do të vdesim në një vend që është në rrugën më të vendosur të shëmtimit.
Duke hequr dorë dalëngadalë nga marrëzia e ambalazhimit, e sidomos e ambalazhimit plastik, mund të mbërrijmë ndoshta te njëra nga kthesat e kësaj rruge, që duhet të ndodhë pikësëpari në kokat tona. Njëkohësisht presim masa radikale nga administrata qendrore, bashkitë dhe komunat. Gjëra konkrete jo letrarizma me ardhmëri e qytetari.
Avatari i antarit
Edvin
Site Admin
 
Postime: 640
Antarësuar: 22 Shtator 2009, 15:34
Vendodhja: Tiranë, Shqipëri

Re: Ndotja nga plastika ne Shqiperi

Postonga rita » 12 Korrik 2011, 09:37

Pershendetje Edvin,

Me pakesimin gradual te naftes do te shpetojme dhe nga plastika.

Qeset plastike mund te zevendesohen me cantat rrjete. Keto mund te thuren dhe vete, me shtiza, me punim dandelle, me fije natyrale nese nuk deshirohet perdorimi i fijeve artificiale.Ne faqen e tranzicionit kam postuar nje udhezim si te thuret canta rrjete.

Per shishet plastike: ka filluar te ndihet ne cmimin e lengjeve te amballazhuara kostua e tyre.
Psh. prodhuesit e medhenj te qumeshtit e kane cuar cmimin e qumeshtit 130 lek, nderkohe qe fshataret vazhdojne ta shesin me 100 lek. Ndoshta kjo diference e madhe ne cmim eshte edhe ngaqe fshataret i riciklojne shishet plastike.


Rita
rita
 
Postime: 59
Antarësuar: 12 Korrik 2011, 08:37

Re: Ndotja nga plastika ne Shqiperi

Postonga Edvin » 21 Shtator 2011, 14:48

Qeset plastike do të shiten me lekë
Sociale e Hënë, Shtator 19th, 2011
Gazeta Panorama

Qeset plastike dhe ambalazhe të tjera të këtij lloji do të shiten me lekë në të gjitha supermarketet apo pikat e tjera tregtare. Praktika europiane tashmë do të hyjë edhe në Shqipëri.Për të parandaluar gjenerimin e mbetjeve nga plastikat, kjo masë është parë e nevojshme për të reduktuar përdorimin e tyre. Ministria e Mjedisit ka gati draftin, të cilin pritet ta dorëzojë shumë shpejt në qeveri. Po kështu, në vendin tonë vitin që vjen nuk do të lejohen më të prodhohen dhe tregtohen qese plastike, të cilat nuk janë të biodegradueshme, pra që kanë përmbajtje të tillë që shpërbëhen dhe dekompozohen nga bakteret ose me mënyra të tjera biologjike. “Shitësit përcaktojnë çmimin e ambalazhit të mallrave që ambalazhohen në pikën e tyre të shitjes dhe e pasqyrojnë atë si zë më vete në faturën përkatëse që i lëshojnë blerësit”, thuhet në draft. Sipas tij, prodhuesit e materialeve të ambalazheve, në zbatim të programeve kombëtare, rajonale e vendore për parandalimin e mbetjeve, hartojnë programet e tyre specifike për parandalimin e gjenerimit të mbetjeve të ambalazheve. “Prodhuesit e ambalazheve, të materialeve të ambalazheve dhe të mallrave të ambalazhuara prodhojnë ambalazhe dhe materiale ambalazhesh apo tregtojnë ambalazhe, me kusht që shuma e niveleve të përqendrimit të plumbit, kadmiumit, mërkurit ose kromit hekzavalent të pranishëm në ambalazh apo pjesë të ambalazhit, nuk kapërcehet”, thuhet në draft. Ministria ka përcaktuar edhe sa do të jenë këto nivele. Po kështu janë vendosur edhe normat e riciklimit si detyrim për prodhuesit. “Çdo prodhues i mallrave të ambalazhuara apo ambalazhues, që ushtron veprimtarinë në territorin e Republikës së Shqipërisë, do të rikuperojë dhe riciklojë minimalisht sasitë e mëposhtme të ambalazheve dhe mbetjeve nga ambalazhet brenda kufijve, gjithashtu rikuperon ose incineron në incineratorë mbetjesh me rikuperim energjie 50-65 % të mbetjeve nga ambalazhet e gjeneruara. Po kështu, riciklon 25-45 % të totalit të peshës të materialeve që përmbahen në mbetjet e ambalazhit, dhe të paktën 15 % të peshës për secilin material në veçanti”, kanë vendosur specialistët.

Parandalimi i gjenerimit të mbetjeve
Shitësit përcaktojnë çmimin e ambalazhit të mallrave që ambalazhohen në pikën e tyre të shitjes dhe e pasqyrojnë atë si zë më vete në faturën përkatëse që i lëshojnë blerësit.
.Prodhuesit e materialeve të ambalazheve dhe ambalazheve, në zbatim të programeve kombëtare, rajonale e vendore për parandalimin e mbetjeve, hartojnë programet e tyre specifike për parandalimin e gjenerimit të mbetjeve të ambalazheve.
Do të ndalohen
Mbas datës 1 shtator 2012, ndalohet prodhimi dhe hedhja në treg e qeseve plastike të pabiodegradueshme nga të gjithë operatorët ekonomikë;
.Mbas datës 1 shtator 2012, ndalohet importimi i qeseve të plastikes të pabiodegradueshme;
.Mbas datës 1 janar 2013, ndalohet përdorimi dhe tregtimi i qeskave plastike të pabiodegradueshme nga të gjitha njësitë tregtare.
.Ndalohet transporti i mbetjeve të ambalazheve me mjetet që transportojnë mbetje organike të përziera shtëpiake/bashkiake.

ZIRINA LLAMBRO
Avatari i antarit
Edvin
Site Admin
 
Postime: 640
Antarësuar: 22 Shtator 2009, 15:34
Vendodhja: Tiranë, Shqipëri

Ndalohen qeset plastike nga janari 2013

Postonga Edvin » 07 Mars 2012, 13:08

Ekonomi, Shekulli Sot|07/03/2012 10:23
Ndalohen qeset plastike nga janari 2013
Imazh
Emirjon Senja

Data 1 janar 2013 do të jetë dita e fundit e përdorimit të qeseve plastike në vend .Qeveria miratoi dje një vendim të posaçëm për prodhimin dhe përdorimin e ambalazheve në vendin tonë, pjesë e të cilit ishin specifikisht ato plastike. Sipas vendimit, bizneset ndalohet të prodhojnë ambalazhe plastike duke filluar nga data 1 shtator e këtij viti, ndërsa doganat do të udhëzohen që të mos lejojnë futjen e qeseve plastike duke filluar po nga jo datë. Pas ndalimit të importit dhe prodhimit do të ndalohet edhe përdorimi.

Vendimi ndalon prodhimin apo futjet e qeseve plastike që përbëhen nga material plastike që nuk degradohet. Megjithatë, ekzekutivi ka planifikuar të lejojë përdorimin e një lloji tjetër qesesh plastike por kësaj radhe të përbëra nga material që degradohet në natyrë. Materiali në fjalë degradohet në kushtet kur trajtohet në lanfillde. “Ndalohen prodhimi, importimi dhe hedhja në treg e qeseve plastike nën 30µ (mikro). Pas datës 1 shtator 2012, ndalohen prodhimi dhe hedhja në treg e qeseve plastike të pabiodegradueshme nga të gjithë operatorët ekonomikë. Pas datës 1 shtator 2012, ndalohet importimi i qeseve të plastikës të pabiodegradueshme”, – përcaktohet në vendimin e djeshëm.

Por pas ndalimit të importit dhe prodhimit të qeseve në shtator 2012, qeveria parashikon edhe ndalimin e përdorimit të tyre përsëri me vendim. Sipas vendimit të djeshëm, të gjithë njësitë tregtare në territorin e vendit ndalohen të përdorin qese plastike të padegradueshme duke filluar nga janari i vitit 2013. “Pas datës 1 janar 2013, ndalohen përdorimi dhe tregtimi i qeskave plastike të pabiodegradueshme nga të gjitha njësitë tregtare”, – përcakton vendimi.

Krahas ndalimit të përdorimit, ekzekutivi ka ndërmarrë rregullime edhe në drejtim të trajtimit të mbetjeve. Vendimi i djeshëm ndalon transportin e përbashkët të mbetjeve urbane. “Ndalohet transporti i mbetjeve të ambalazheve me mjetet që transportojnë mbetje organike të përziera shtëpiake/bashkiake”, – vijon vendimi.
Avatari i antarit
Edvin
Site Admin
 
Postime: 640
Antarësuar: 22 Shtator 2009, 15:34
Vendodhja: Tiranë, Shqipëri


Kthehu tek Mbeturinat dhe riciklimi i tyre

Kush është në linjë

Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar i regjistruar dhe 2 vizitorë

cron