Lajme mbi Mbetjet dhe Ndotjet Mjedisore

Diskutime, komente dhe pyetje rreth mbetjeve të ndryshme të prodhuara nga aktivitetet njerëzore, mbeturinave & riciklimit të tyre

Re: Lajme mbi Mbetjet dhe Ndotjet Mjedisore

Postonga DNP » 30 Korrik 2010, 20:29

Studentët europianë, aksion pastrimi në Gjirin e Lalëzit | Gazeta Shqip | 30/7/2010

Të rinjtë bashkë me ministrin Mediu mblodhën dhjetëra thasë me mbeturina, të grumbulluara nga pushuesit
Rreth 150 studentë nga Europa ndodhen për pushime në kamp në Gjirin e Lalëzit. Ata kanë ardhur për t’u njohur me Shqipërinë dhe ekosistemin që ofron ky vend. Dje, vetë ministri i Mjedisit i ka vizituar, duke zhvilluar edhe një debat për çështjet dhe politikat që po ndërmerren dhe janë prioritet aktualisht në vendin tonë. Për të treguar shembullin e tyre të mirë, por edhe për të përkrahur “platformat ambientaliste”, të rinjtë kanë pastruar dje një pjesë të zonës pranë Gjirit të Lalëzit.

Ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, zhvilloi një takim me një grup studentësh të Gjeo-Shkencave, të ardhur nga vende të ndryshme të Europës. Të akomoduar në një kamping veror me çadra në Gjirin e Lalëzit, rreth 150 studentë do të qëndrojnë në Shqipëri përreth një javë, ku do të njihen me natyrën, mjedisin, gjeologjinë dhe zhvillimin e saj, historinë e Shqipërisë. Duke i falënderuar studentët e huaj për ardhjen e tyre, si dhe për interesimin që ata tregojnë për Shqipërinë, ministri Mediu vuri theksin mbi punën e madhe dhe hapat shumë të rëndësishëm që janë bërë nga Ministria e Mjedisit.

Sipas kreut të politikave ambientaliste, një proces mjaft i rëndësishëm, i cili është prioritet për vendin, është edhe përafrimi i legjislacionit me standardet e BE-së, duke përmendur të gjitha përpjekjet që janë duke u bërë për të krijuar një paketë ligjore edhe më të konsoliduar, gjithnjë në shërbim të mjedisit.

Në këtë pikë u ndal edhe në paketën ligjore që po përgatitet për trajtimin e mbetjeve të plastikës, të cilat në masën 80 për qind janë ndotësit kryesorë edhe në bregdetin e Gjirin të Lalëzit. Ekspertët e mjedisit, që shoqëronin grupin e studentëve, gjatë bisedës me të rinjtë kanë përmendur edhe punën që është duke u bërë në bashkëpunim me vendet fqinje, për ruajtjen e zonave dhe hapësirave ndërkufitare, shtimin e zonave të mbrojtura, menaxhimin e parqeve kombëtare dhe hapësirave pyjore, por edhe për sa i përket ndërgjegjësimit të shoqërisë, e cila tashmë ka nisur të bëhet më e ndjeshme ndaj problemeve dhe çështjeve mjedisore. Në përfundim të këtij takimi, ministri Mediu, së bashku me studentët e pranishëm, organizuan edhe një aksion për pastrimin e plazhit të Gjirit të Lalëzit, duke mbledhur me dhjetëra thasë me mbeturina, të akumuluara gjatë ditëve të fundit nga pushuesit.
Avatari i antarit
DNP
 
Postime: 264
Antarësuar: 28 Shkurt 2010, 05:14

Re: Lajme mbi Mbetjet dhe Ndotjet Mjedisore

Postonga DNP » 30 Korrik 2010, 20:30

Shiko sa turp, duhet te vijne te tjeret te na pastrojne plerat qe hedhim ne!
Avatari i antarit
DNP
 
Postime: 264
Antarësuar: 28 Shkurt 2010, 05:14

Re: Lajme mbi Mbetjet dhe Ndotjet Mjedisore

Postonga Edvin » 31 Korrik 2010, 12:37

DNP shkroi:Shiko sa turp, duhet te vijne te tjeret te na pastrojne plerat qe hedhim ne!

Turp i madh, dhe ministri shkon e i sheh se sa mire te huajt po vijne a pastrojne mbeturinat qe ai dhe bashkeatdhetaret e tij hedhin.
Avatari i antarit
Edvin
Site Admin
 
Postime: 640
Antarësuar: 22 Shtator 2009, 15:34
Vendodhja: Tiranë, Shqipëri

Një vend mbytet në plehra

Postonga Edvin » 04 Shtator 2010, 10:41

Një vend mbytet në plehra
ARDIAN KLOSI | 04/09/2010

Shekulli

Ky ishte titulli i referatit të motrës Maria-Kristina Färber në kongresin "Me përgjegjësinë për Krijimin. Sfida ekologjike në Europën Qendrore dhe Lindore" që po zhvillohet këto ditë në Freising të Gjermanisë.

Ai organizohet nga Renovabis, qendra e ndihmës dhe bashkëpunimit të kishës katolike gjermane për Europën Qendrore dhe Lindore. Vendi që po mbytet në plehra është Shqipëria, referati në fjalë është i pari në sallën e madhe të kongresit, pasi janë dëgjuar fjalët përshëndetëse të organizatorëve, kryetarit të bashkisë së Freisingut, arqipeshkvit Schick.

Ka ikur koha kur na digjnin veshët tek dëgjonim vlerësime të tilla për atdheun në forume të rëndësishme ndërkombëtare. Nuk ndihemi më përgjegjës për këtë vend dhe e dimë që nuk mund të ndryshojmë gjë, as dhe në mendjen e të pranishmëve, sidomos kur ato që dëgjon janë të vërteta.

Heqja e përgjegjësisë (virtuale) nga vetja ka ardhur paralelisht me heqjen e shpresës për të dhënë ndonjë kontribut individual kundër së keqes, ajo nuk përbën ndonjë lehtësim, është thjesht dorëzim i armëve dhe mbyllje e njeriut edhe më shumë në guaskën e tij.

Sidoqoftë, pak u gëlltita kur motra Maria-Kristina e çeli bisedën e saj me pohimin që, sikurse e dinë të pranishmit "Shqipëria është rreth 100 vjet prapa pjesës tjetër të Europës".

Në qoftë se ti nga njëra anë s'e ndjen më veten përgjegjës për gjendjen e vendit tënd, nga ana tjetër je përsëri pjesëtar i tij dhe, kushedi, në mendjen e kolegëve ose interlokutorëve në forume të tilla automatikisht edhe përfaqësuesit nga ky vend duhet të jenë në mënyrë proporcionale 100, 50, 30 vjet prapa tyre.

Është ndoshta mendim absurd, por i vërtetë, si pasojë automatike e identifikimit tënd me kombin.
Duke harruar proceset psikologjike (virtuale) që t'i vë në lëvizje një kongres i tillë, ndoqa me shumë vëmendje ato që po tregonte murgesha.

Ajo punon në Shkodër për urdhrin "Udhërrëfyes shpirtërorë" me organizimin e ndihmës për të varfrit, fëmijët, të sëmurët prej vitit 1991. Është bërë shumë e njohur këtu "Varka e Noes", një qendër edukimi e arsimimi për fëmijë.

Tregimi filloi me përshkrimin e plazhit të Velipojës në qershor të vitit 2010, ku kishin shkuar së bashku me motra të tjera për t'u larë. Ishte e pamundur të gjeje një vend të pastër. Kudo mbeturina, qese dhe shishe plastike, vaj makinash, pampers të përdorur etj.

Pranë derdhjes së Bunës plehrat shumoheshin edhe për shkak të prurjeve të mëdha të lumit në ato ditë. Në një kanal aty pranë, lopë që ushqeheshin me plehra, qen të ngordhur të mbytur me sa dukej nga qese, një erë e padurueshme kërme kudo rrotull. Njerëzit hedhin në plazh gjithçka, copa xhami, mbeturina plastike etj. Të ikim që këtej një orë e më parë.

Velipoja, thotë motra, edhe para 10 vjetësh ka qenë një nga plazhet më të pastra e më natyrore të Shqipërisë. E pakuptueshme ajo që ndodhi në një kohë të shkurtër. E pakuptueshme ajo që ndodh me plehrat në Shkodër e rrethina.

Aty ku banojmë shpesh nuk e mbajmë dot dritaren hapur prej tymit të plehrave që digjen nën qiell të hapur. Varrezat myslimane janë kthyer në një vendgrumbullim plehrash, po kështu varrezat e dëshmorëve. (Kjo është edhe politike, mendova me vete, si i djathtë që është qyteti).

E pabesueshme është gjendja edhe në spitalin e qytetit, ku infermieret hedhin pa asnjë vështirësi nga dritarja age e shiringa të përdorura, fasha e lloj-lloj mbeturinash të tjera spitalore. Oborri i pasmë i spitalit është kthyer në një depozitë plehrash.
Tabloja vjen e plotësohet me detaje të tjera.

Një shoqe e saj murgeshë shpëtoi për fije të perit nga një aksident automobilistik kur iu përplas pas xhamit të parmë të makinës një kuti e shqyer kartoni që bridhte mbi asfalt. Kurse ajo vetë kishte gjetur një ditë në një supermarket të Shkodrës një kavanoz me reçel kajsie gjerman.

Tepër e gëzuar për këtë mall nga shtëpia që i mungonte prej kaq kohësh, e kishte hapur dhe kishte lyer bukën me të - për të kafshuar një gjësend me shije të tmerrshme. Kishte parë pastaj mbi kavanoz datën e skadimit të mallit, 9 vjet më parë.

Po përse njerëzit e lënë veten të mbyten në plehra? Edhe njeriu që po mbytet bërtet për ndihmë, vëren Marie-Kristina.

Ata nuk i njohin mirë pasojat e të jetuarit me plehrat, ata nuk e dinë ç'do të thotë të thithësh përditë dioksinën që vjen nga djegia e tyre, ata nuk e dinë më se si është e bukura, një peizazh ose një qytet pa plehra, ata janë të mësuar me të keqen. Ose e kuptojnë dhe janë depresivë, letargjikë.

Një djalë 25-vjeçar më thotë: kot mundohesh. Ne nuk do të ndryshojmë asnjëherë, ne nuk kemi kulturë. Ose marrin një qëndrim fatalist: dikur do të ndryshojë, d.m.th., e nënkuptuar dikush do vijë dhe do ta ndryshojë, por jo ne.

Ndërsa dëgjon problemet ekologjike që kanë vende të tjera të Lindjes: Hungaria, Rumania, Ukraina, Bjellorusia, vëren se një pjesë janë të ngjashme me ato që ka Shqipëria.

Pas një shfrytëzimi optimist dhe të paskrupullt të rezervave natyrore në frymën e ideologjisë komuniste që thotë se njeriu është zot i natyrës, ka zbritur një kapitalizëm liberal po aq optimist për përfituesit, me moton e rritjes ekonomike dhe GDP-së, por me pasoja tepër të rrezikshme për mjedisin dhe ruajtjen e bazave të jetës. E veçanta e Shqipërisë nuk është thjesht që vendi po mbytet në plehra, jo, kjo është tek e fundit një pasojë e jashtme e një qëndrimi të brendshëm.

Plehrat një ditë do të zhduken dhe nga rrugët, brigjet, plazhet rreth Shkodrës, sikurse po zhduken nga rrugët e Tiranës. E veçanta e Shqipërisë, ajo më e rënda mendoj, është mungesa e mendimit dhe veprimit në bashkësi te shqiptarët. Në rrethinat e Tiranës, ku banoj, plehrat ka disa kohë që po hiqen.

Por, ndërkaq, me shpejtësi të frikshme grabitja e peizazhit, që dikur përbënte kurorën e gjelbër të Tiranës. Janë shtuar vara-vingot e kamionëve të rëndë që bartin dhe hedhin ku të mundin dheun e gërmuar të kodrave, në radhë të parë rreth e përqark liqenit Artificial.

Ekskavatorët po u ngjiten ullishtave të fundit te zona e njohur si e lapidarit dhe po i shkulin rrënjët shekullore nganjëherë me dhjetëra në ditë. Përmes rrugës kryesore të Saukut vrapon një përrua me ujëra të zeza, prej muajsh, banorët anash mesa duket janë të mësuar me të. Kohët e fundit ka ardhur këtu një grup punëtorësh të ujësjellësit të Tiranës, sepse disa banorë kishin hapur tubacionin kryesor dhe duke e këputur për veten e tyre kishin lënë gjysmën e fshatit pa ujë.

Nga këto pak të dhëna kupton se banorët tanë janë të pambrojtur jo vetëm nga pushteti qendror, që nuk është në gjendje të zbatojë asnjë nga masterplanet e tij apo vendimet e KRTSH (për mbrojtjen e kurorës së gjelbër ka vendime të qarta), por as nga vetja. Banorë të pambrojtur nga vetja do të thotë banorë që nuk jetojnë në bashkësi.

Shqiptarët kanë një kundërshtim gati natyror ndaj bashkësisë. Ata përgjithësisht duan familjen, farefisin, por jo fqinjin. Këtu sundon mosbesimi, dyshimi se fqinji po ia hedh dhe po përfiton në kurriz të tij, çka edhe ndodh shpesh, me sa duket ngaqë pritet medoemos.

Te ne banorët vërtet kanë zgjedhur një kryetar dhe një kryesi komune, kryetari, urbanisti, kryeplaku dhe të tjerët e kuptojnë veten veç si shushunja që pinë gjakun e komunës, si shitblerës lejesh ndërtimi, me një fjalë ingranazhe të atij sistemi që po na merr frymën dhe që ka të vetmin parim: tokës mund t'i marrësh gjithçka dhe nuk duhet t'i kthesh asgjë, përveç jashtëqitjeve.

Mungesa e mendimit bashkësinor dhe komunal bashkë me veprimin në bazë të tij, është sot e keqja më e madhe e Shqipërisë. Ne tregojmë nga politikanët si e keqja jonë më e madhe, por këtë e bëjmë vetëm për të qetësuar ndërgjegjen e keqe që nuk bëjmë asgjë me njëri-tjetrin, nuk mbrojmë dot as rrugën ose hyrjen ku banojmë.

Shembulli më i parë dhe klasik janë ata që bërtasin më fort, analistët tanë bie fjala, sepse dhe ata janë krejt të paaftë të krijojnë me njëri-tjetrin ndonjë shoqëri civile. Kjo, natyrisht, u krijon kushte qeveritarëve dhe gjithë njerëzve të tjerë me pushtet të bëjnë qejf me pasuritë e Shqipërisë, t'i tregtojnë e koncesionojnë ato si t'u dojë e bardha zemër.

Ja këto mendime më ngjalli referati i motrës Marie-Kristina për vendin që po mbytet në plehra, në vazhdim të përshkrimit që i bëri ajo letargjisë dhe fatalizmit të banorëve. Në mbyllje, murgesha zvicerane tregoi se si e kishte arritur një organizimin e vogël të heqjes së plehrave nga shkolla Varka e Noes që drejton.

Më së pari i ka bërë të vetëdijshëm fëmijët për domosdoshmërinë e ruajtjes së mjedisit. Ata jo vetëm te kjo shkollë po as në vende të tjera nuk munden më të hedhin plehra në rrugë.

Më tej ka organizuar heqjen e plehrave me një karrocë dhe një kalë, pas një fondi që i erdhi nga Gjermani për këtë punë. Karrocierin e parë e pushuan nga puna se gjetën që i zbrazte plehrat në breg të Liqenit të Shkodrës, por tjetri qëlloi punëtor i ndershëm dhe kështu të paktën ai mjedis i vogël në mes të qytetit sot është i pastër.

Por, pyetja mbetet, nëse duhet ta importojmë edhe mendimin dhe nëse ka rrugë të tjera për të ndrequr sadopak kokat në bashkësitë e vogla dhe të mëdha ku jetojmë.
Freising, shtator 2010
Avatari i antarit
Edvin
Site Admin
 
Postime: 640
Antarësuar: 22 Shtator 2009, 15:34
Vendodhja: Tiranë, Shqipëri

Re: Një vend mbytet në plehra

Postonga DNP » 04 Shtator 2010, 19:46

Edvin shkroi:Një vend mbytet në plehra
ARDIAN KLOSI | 04/09/2010

Shekulli

Ky ishte titulli i referatit të motrës Maria-Kristina Färber në kongresin "Me përgjegjësinë për Krijimin. Sfida ekologjike në Europën Qendrore dhe Lindore" që po zhvillohet këto ditë në Freising të Gjermanisë.

... Sidoqoftë, pak u gëlltita kur motra Maria-Kristina e çeli bisedën e saj me pohimin që, sikurse e dinë të pranishmit "Shqipëria është rreth 100 vjet prapa pjesës tjetër të Europës".

...Një djalë 25-vjeçar më thotë: kot mundohesh. Ne nuk do të ndryshojmë asnjëherë, ne nuk kemi kulturë. Ose marrin një qëndrim fatalist: dikur do të ndryshojë, d.m.th., e nënkuptuar dikush do vijë dhe do ta ndryshojë, por jo ne.

Freising, shtator 2010


Nuk e besoj se Shqiperia eshte 100 vjet prapa!!! Shqiperia eshte nje vend i vogel me qytete gati "qyteza", vec Tiranes. Edhe Tirana perseri eshte qytet relativisht i vogel dhe nje pjese e mire e problemeve qe ka mund te zgjidhen brenda disa viteve po te ekzistoje deshira e mire-qeverisjes dhe menaxhimit urban.
Avatari i antarit
DNP
 
Postime: 264
Antarësuar: 28 Shkurt 2010, 05:14

Re: Lajme mbi Mbetjet dhe Ndotjet Mjedisore

Postonga DNP » 09 Shtator 2010, 16:42

Subjektet pa leje mjedisore, nxjerrin fi time në dëm të jetës | Gazeta Shqip | 9/9/2010

Pakkush e di, por një restorant, një furrë buke apo një punishte blegtorale na shkakton ndotje, pothuajse të njëjtë edhe me fabrikat e gëlqereve. Nëse pranë shtëpisë kemi një restorant që djeg vajra e lëshon në hapësirë gazra që janë gati edhe me përmbajtje kancerogjene, apo një furrë buke, e cila gjatë gjithë natës tund pallatin me pajisjet e saj, atëherë është e sigurt se këto aktivitete nuk janë të pajisura me leje mjedisore. Të parët që duhet të denoncojmë ata që ndotin ambientin e shkaktojnë ndotje mjedisore, duke rritur fitimet mbi kurrizin e shëndetit të banorëve jemi të gjithë ne. Deri tani, Ministria e Mjedisit nga kontrollet e kryera, ka kapur rreth 4 mijë subjekte në të gjithë vendin të cilët kanë biznes fitimprurës, por nuk marrin asnjë masë për të plotësuar kushtet mjedisore, për të mos shkaktuar ndotje apo për të eliminuar në maksimumin e mundshëm shkatërrimin e ambientit përreth. Qytetet më problematike me ndotjen, sipas Ministrisë së Mjedisit mbeten Korça, Tirana e Durrësi. Në këto qytete janë kapur numri më i madh i subjekteve të cilët kanë shkelur rregullat, ushtrojnë aktivitet pa plotësuar kriteret e mbrojtjes së mjedisit dhe duke i shkaktuar ndotje dhe papastërti banorëve të zonës.

Lejet mjedisore
Subjektet që duhet të pajisen me leje mjedisore dhe autorizim mjedisor janë aktivitete të tilla si pika karburanti, linja të industrisë agro-ushqimore, linja të prodhimit të këpucëve, linja të prodhimit të tekstileve, linja të fraksionimit të inerteve, përpunim guri e mermeri. Po ashtu, subjekte të tjera që duhet të jenë të pajisura me leje mjedisore janë aktivitetet e industrisë së ndërtimit, pikat e servisit të makinave, lavazhet, mobileri, shfrytëzim pyjesh, punishtet e përpunimit të bulmetit, furrat e prodhimit të gëlqeres, prodhime plastike, prodhim dhe tregtim tullash, aktivitete blegtorale, furra buke, shtypshkronja, landfille, thertore, ujësjellës, kanalizime, fitofarmacitë, prodhime duralumini.

Kontrollet
“Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, në vazhdën e punës së saj, për kontrollin e subjekteve që ushtrojnë aktivitet me ndikim në mjedis, në bashkëpunim me strukturat tatimore, ka ndërmarrë një inspektim në shkallë vendi, duke evidentuar 3669 subjekte, që ushtrojnë aktivitet, pa qenë të pajisur me Leje Mjedisore apo Autorizim Mjedisor”, deklaroi dje Alfred Deshati, drejtor i Kontrollit të Mjedisit.

Sipas tij, të 3669 subjektet janë lajmëruar për shkeljen që kanë kryer dhe për sanksionet me të cilat do të përballen, nëse brenda 15 ditëve, nuk fillojnë procedurat për pajisjen me Lejen Mjedisore apo Autorizim Mjedisor.

“Theksojmë edhe një herë, se Ministria e Mjedisit, nëpërmjet strukturave të kontroll-inspektimit, do të ushtrojë me një vullnet të hekurt të gjitha kompetencat e saj ligjore, në sigurimin e një mjedisi të pastër, si dhe do të penalizojë me ndëshkime maksimale, të gjithë ato subjekte që ushtrojnë aktivitet në kundërvajtje me ligjet dhe normat mjedisore”, sqaroi Deshati.
Avatari i antarit
DNP
 
Postime: 264
Antarësuar: 28 Shkurt 2010, 05:14

Re: Lajme mbi Mbetjet dhe Ndotjet Mjedisore

Postonga ari... » 14 Shtator 2010, 21:13

do te doja te me ndihmonit me disa info ne lidhje me ekologjine e qytetit te fierit .....se me duhet te prezantoj....ju lutem
ari...
 
Postime: 1
Antarësuar: 14 Shtator 2010, 21:09

Re: Lajme mbi Mbetjet dhe Ndotjet Mjedisore

Postonga DNP » 15 Shtator 2010, 03:59

ari... shkroi:do te doja te me ndihmonit me disa info ne lidhje me ekologjine e qytetit te fierit .....se me duhet te prezantoj....ju lutem


Per c'info saktesisht ke nevoje? Dihet qe zona e Fierit (dhe Ballshi, Patos-Marinza) nder problemet kryesore ka ndotjen nga nafta, nese nuk gabohem. Per kete jane kryer disa studime nga UNEP http://www.unep.org/ dhe tashme se fundmi eshte marre edhe nje grant per pastrim nga BERZH-i: http://www.ebrd.com/pages/news/press/2009/090511a.shtml Nje problem i shkaktuar nga nafta eshte se ka ndotur lumin Gjanice i cili derdhet ne Seman dhe perfundon ne det.
Avatari i antarit
DNP
 
Postime: 264
Antarësuar: 28 Shkurt 2010, 05:14

Re: Lajme mbi Mbetjet dhe Ndotjet Mjedisore

Postonga Edvin » 17 Shtator 2010, 18:32

Grumbuj plehrash arrijnë deri në dritaret e pacientëve
EGLANTINA BARDHI | 17/09/2010
Shekulli
Bluzat e bardha fajësojnë papërgjegjshmërinë e prindërve të pacientëve që hedhin mbeturinat. Po rrezikohet seriozisht shëndeti i pacientëve

Pamje e trishtë sa është vështirë ta besosh se je në mjediset e një spitali fëmijësh. Grumbuj të mëdhenj plehrash ngrihen shumë afër dritareve të pacientëve të shtruar në Pediatrinë e Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza". Madje, pikërisht, pacientët që kanë imunitet shumë të dobët, fëmijët më sëmundje të rënda gjaku, këto plehra i kanë shumë afër.

Bluzat e bardha të Pediatrisë theksojnë se një ambient i tillë është shumë i rrezikshëm për pacientët dhe për këtë situatë fajësojnë në radhë të parë prindërit, të cilët hedhin mbeturina nga dritarja, por edhe drejtorinë e QSUT-së, e cila nuk merr masa për t'i pastruar.

Në fakt, burime zyrtare pranë kësaj drejtorie theksojnë se ky ambient është pastruar shpesh herë, por prindërit e papërgjegjshëm të fëmijëve vazhdojnë dhe hedhin mbeturinat në këtë zonë.

Ndërsa, disa nga prindërit e pacientëve të vegjël të pyetur nga gazeta, kjo situatë u duket krejtësisht e papranueshme dhe për këtë fajësojnë edhe njerëzit që hedhin mbeturinat nga dritarja, por edhe drejtorinë që nuk merr masa emergjente për ta pastruar.

"Është e turpshme që është ky mjedis në spital. Fajtorët kryesorë jemi vet ne njerëzit që e krijojmë, por edhe drejtoria duhet të marrë masa për t'i pastruar së më shpejt mbeturinat", - pohon nëna e Joanës, pacientes së shtruar në shërbimin e Onko-hematologjisë.

Ndotja

Plehrat janë bërë grumbuj sa të krijojnë idenë se kanë shumë kohë aty. Është pamje vërtet aspak e këndshme, sepse shikon gjithfarë gjërash të hedhura në një mënyrë të shëmtuar sa edhe fëmijëve të vegjël nuk do t'iu falej.

Një hapësirë e tërë e rrethuar nga muret e larta të spitalit ngjan si një kazan i stërmadh plehrash ku të gjithë kanë hedhur sa kanë mundur mbetjet. Nëse je në katin e dytë të pediatrisë mund të ndjesh erën e mbeturinave që kundërmon.

"Është e tmerrshme. Shikojeni vetë ambientin. Mund të them se fëmijët janë të parët ata që e vuajnë këtë ambient, sepse ata vuajnë sëmundje të rënda dhe higjiena për ta duhet të jetë në maksimum, ndryshe mund t'iu rrezikohet edhe jeta.

Për fat të keq, ata duhet të vuajnë këtë mjedis që e prodhojnë të rriturit, madje prindërit e tyre, sepse i hedhin plehrat nga dritarja me papërgjegjshmërinë më të madhe", - pohon një nga mjekët e shërbimit të Onko-hematologjisë në Pediatrinë e QSUT-së, duke shtuar se kjo situatë është e pafalshme dhe se njerëzit duhet të ndërgjegjësohen që të mos ndotin ambientin, sepse veprimi që bëjnë në radhë të parë vret fëmijët e tyre. Sipas bluzave të bardha, është e pamundur për të ndaluar hedhjen e mbeturinave që bëjnë prindërit e pacientëve, sepse ata nuk mund të rrinë roje gjithë kohës, ndaj dhe kërkohet ndërgjegjësim për ta ndalur këtë veprim.

"Para pak javësh erdhi vetë drejtori i spitalit në Pediatri dhe ne i treguam grumbujt e mëdhenj të plehrave që ishin krijuar. Në fakt, urdhëroi menjëherë punonjësit që të vinin t'i pastronin dhe kështu ndodhi. Nuk kaluan as dy ditë dhe situata u përsërit sërish dhe u arrit në këtë gjendje që po e shikoni edhe vetë", - pohon njëra nga infermieret e Pediatrisë.

Drejtoria: Prindërit të mos ndotin ambientin e fëmijëve të tyre

Prindërit e pacientëve duhet të jenë më të përgjegjshëm në radhë të parë për fëmijët e tyre, sepse janë ata që po u krijojnë një ambient aspak pozitiv, por të rëndomtë dhe të pistë. Kështu u shprehen burime zyrtare të drejtorisë së Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza", të cilët theksuan se ai ambient është pastruar disa herë, por sërish papërgjegjshmëria e qytetarëve e ka katandisur në atë mënyrë. "Është lënë sërish që të pastrohet me firmën private edhe sanitaret e spitalit.

Por, duhet të dini se kjo nuk varet vetëm nga pastrime që do të bëhet sërish, por kjo varet nga ndërgjegjësimi i njerëzve për të mos kryer veprime të tilla në një mjedis publik, aq më tepër në spital ku janë të shtruar fëmijët e tyre, sepse janë këtë të fundit që do ta vuajnë më shumë se të gjithë", - pohojnë burime zyrtare të drejtorisë së QSUT-së, duke shtuar se ky mjedis u pastrua para dy javësh dhe sërish u ndot në atë mënyrë.

Ndërkohë, burime zyrtare të QSUT-së pohojnë se në dhomat e spitalit ndodhen koshat e mbeturinave, ku njerëzit mund të hedhin plehrat në mënyrë që të mos krijojnë një ambient armiqësor për vete dhe fëmijët e tyre.

Sipas drejtorit të QSUT-së, Dashi, shefat e pavijoneve t'i dorëzojnë deri në fund të shtatorit, në të kundërt do të ketë masa administrative

Dashi: Shefat e shërbimit të realizojnë protokollet e mjekimit

Të gjithë pavijonet, të cilat nuk kanë realizuar si duhet protokollet e mjekimit, duhet të përfundojnë hartimin përfundimtar të tyre deri në 30 shtator.

Ky ka qenë ultimatumi i Drejtorit të Spitalit Universitar "Nënë Tereza", Ilir Dashi, drejtuar shefave të shërbimit, duke shtuar se nëse nuk zbatohet ky afat do të do të ketë masa administrative. Në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" është zhvilluar dje takimi i Komisionit të Udhërrëfyesve dhe shefave të shërbimeve. Në këtë takim kanë marrë pjesë përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, Drejtori i QKCSAI-t, Isuf Kalo, si dhe Drejtori i QSUT-së, Ilir Dashi.

Gjatë këtij takimi është diskutuar mbi punën e deritanishme të hartimit të protokolleve të mjekimit dhe udhërrëfyesve. Raportimet e bëra nga pavijonet dhe zyra e Cilësisë së Shërbimit Spitalor ka rezultuar se nga 45 shërbime, 31 prej tyre i kanë realizuar me sukses hartimin e protokolleve të mjekimit. Ndërkohë që pjesa tjetër ka nevojë për rishikime minore dhe rregullime për një përmbajtje më të mirë të tyre.

Ndërsa drejtori i QKCSAI, Isuf Kalo, ka theksuar se periudha e verës i ka bërë më të ngadaltë në punë, por për ata është e rëndësishme që kjo të mos jetë më një sfidë, por një punë e realizuar nga ne të gjithë. Do të jetë mbledhja në fillim të muajit tetor, ajo që do të përcaktojë rrugën që do të ndiqet për zbatimin e këtyre protokolleve të mjekimit tek pacientët.
Imazh
Avatari i antarit
Edvin
Site Admin
 
Postime: 640
Antarësuar: 22 Shtator 2009, 15:34
Vendodhja: Tiranë, Shqipëri

Re: Lajme mbi Mbetjet dhe Ndotjet Mjedisore

Postonga Edvin » 10 Tetor 2010, 19:56

Inertet ndotin qytetin, bashkia nuk ka fonde për pastrim
10/10/2010
Gazeta Shqip

Kukës
Prej gati një viti, grumbujt e mbeturinave inerte vazhdojnë të ndotin mjediset në qytetin e Kukësit. Në hapësirat e gjelbra, në trotuare dhe rrugë firmat private, si dhe vetë qytetarët kanë hedhur materiale të ndryshme inerte duke shkelur edhe ligjin në përputhje të të cilit janë dhënë edhe lejet e ndërtimit apo të shtesave. Në këtë mënyrë lagjet e qytetit si qendra të banuara janë kthyer në kantiere ku askush nuk mban përgjegjësi për mbetjet e investimeve që kryen. Gjendja është më emergjente në rrugët hyrëse të qytetit, si dhe në rrugicat e brendshme të lagjeve ku ka grumbuj tullash, hekurash dhe mbetjesh të ndryshme plastike. Grumbujt e materialeve inerte i sheh jo vetëm në rrugë dhe mjedise të gjelbra, por edhe në sheshin para Prefekturës së Kukësit, para Pallatit të Kulturës, si dhe pranë bashkisë. Punonjësit e pastrimit dhe gjelbërimit të qytetit, të kontaktuar nga gazeta “Shqip” thonë se e kanë krejt të pamundur të pastrojnë qytetin edhe nga inertet. “Ne nuk paguhemi për inertet dhe mjaft po bëjmë për të larguar mbeturinat urbane”, tha një punëtorët e pastrimit. Ai shtoi se grupit të vogël të pastrimit të mbetjeve urbane i mungonin edhe mjetet teknike për të realizuar një proces të tillë. U shkurtua granti, s’ka para për pastrim. Në lidhje me situatën e krijuar nga mbetjet urbane drejtuesit e Bashkisë së Kukësit, duke pohuar gjendjen e rënduar, thonë se për momentin nuk mund të bëjnë asgjë, sepse nuk kanë fonde për këtë qëllim. "Nuk mund të bëjmë asgjë për largimin e mbeturinave inerte, për këtë qëllim duhen fonde të caktuara, të cilat nuk i disponojmë", tha njëri prej drejtuesve të zyrës së shërbimit publik në bashki. Nëpunësi i bashkisë tha gjithashtu se këtë vit institucioni kishte pasur shkurtime të grantit të dërguar nga qeveria, gjë që kishte shkaktuar reduktimin e numrit të shërbimeve për qytetarët. Nga ana tjetër, institucionet kompetente vazhdojnë të lejojnë ndotjen e mjedisit duke mos marrë asnjë masë për të vënë para përgjegjësisë ndotësit e mjedisit.
Avatari i antarit
Edvin
Site Admin
 
Postime: 640
Antarësuar: 22 Shtator 2009, 15:34
Vendodhja: Tiranë, Shqipëri

MëparshmePërpara

Kthehu tek Mbeturinat dhe riciklimi i tyre

Kush është në linjë

Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar i regjistruar dhe 2 vizitorë

cron