Cilesia e ajrit ne Tirane

Diskutime, komente dhe pyetje rreth ndotjes së ajrit.

Re: Cilesia e ajrit ne Tirane

Postonga Edvin » 27 Shtator 2010, 19:57

Marrë nga Revista MAPO

Një renditje paraprake e vendos Tiranën si qytetin me ajrin më të ndotur në vend e menjëherë pas tij vijnë Elbasani me Metalurgjikun, Fushë-Kruja me fabrikën e çimentos, Patosi me puset e gazit, Ballshi me puset e naftës, Durrësi me mbetjet kimike etj.

Të jetojmë si metropolitanë ndoshta na bën më të suksesshëm, por jo më të shëndetshëm. Nëse do kishim zgjedhur të jetonim si “hippie” maleve e lëndinave për të qenë “fëmijët e luleve”, nuk i dihet nëse do ishim më të lumtur, por është e sigurt që do ishim më jetëgjatë. Sipas specialistit të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), Agron Deliu, një kryeqytetas është i destinuar të jetojë deri në 2 vjet më pak se sa një bari bjeshkësh, dhe kjo vetëm prej blozës e pluhurit që thithim përditë në ajër. Sigurisht që të gjithë e dinë se, tek ne, ajri pa asnjë kokrrizë pluhuri mund të frymëmerret vetëm në Alpe, por, saktësisht, jo të gjithë mund ta dinë se ku rri pezull pluhuri më i dendur.

Raporti midis këtyre dy panoramave të vë përballë krahasimeve të frikshme. Në qendër të Tiranës, tek Poliklinika Qendrore, tek “21 Dhjetori”, tek “Zogu i Zi” dhe tek Rruga e Elbasanit, ajri është mesatarisht 35 herë më i ndotur sesa në Theth, në Valbonë, në Liqenet e Lurës, në “Syrin e Kaltër”, apo në Lin. Krahasimi në pikun e ndotjes, që rezulton të jetë mesdita gjatë stinës së verës, e çon këtë raport në 1 me 50. Sepse, në zonat “background”, ku klasifikohen këto të fundit, niveli i ndotjes së ajrit rezulton fare i papërfillshëm, < 5 µg/m3 (më e vogël se 5 mikrogramë për metër kub), ndërkohë që tek kryqëzimi i “21 Dhjetorit”, tek Zogu i Zi, tek “9 katëshet”, e deri në “Kinostudio”, ky parametër i ndotjes shënon vlerat nga 70 - 252 µg/m3, nga 40 µg/m3, që është limiti i caktuar nga standardet e BE-së. Dhe këtu, të llogaritura vetëm pluhuri me kokrriza me diametër më të vogël se 10 mikronë, të cilit, përveç pluhurave më të imët dhe blozës, i renditen përkrah edhe gazet e tjera helmuese, si dyoksidi i azotit NO2, dyoksidi i squfurit SO2, ozoni O3, benzeni C6H6, sulfuri i hidrogjenit H2S dhe plumbi Pb.

Një renditje paraprake e vendos Tiranën si qytetin me ajrin më të ndotur në vend e menjëherë pas tij vijnë Elbasani me Metalurgjikun, Fushë-Kruja me fabrikën e çimentos, Patosi me puset e gazit, Ballshi me puset e naftës, Durrësi me mbetjet kimike etj. “Duke përjashtuar qytetet periferike në veri e jug të vendit, si dhe zonat rurale, klasifikimi i nivelit të ajrit të ndotur për qytetet e mëdha dhe me një lëvizje të konsiderueshme urbane, rendit si më të pastrit, Korçën dhe Vlorën. Por edhe këto dy qytete qëndrojnë përsëri me nivel ndotjeje të ajrit përtej normës së lejuar, qoftë sipas standardit europian, qoftë atij shqiptar”, sqaron Deliu. Tek Poliklinika Qendrore e qytetit te Vlorës dhe tek Biblioteka e Korçës, vlerat e matura të pluhurit në ajër janë përkatësisht 86 dhe 92 µg/m3, nga 40 µg/m3 që është norma e caktuar e BE-së. Ndërkaq, qyteti më i helmatisur mbetet Ballshi dhe zonat rurale përreth tij, Marinëz, Visokë, Usojë, për shkak të emetimit të dyoksidit të squfurit SO2, benzenit C6H6 dhe sulfurit të hidrogjenit H2S.

Me gjithë tolerancat e limiteve të vendosura sipas këtyre standardeve, përsëri Shqipëria qëndron në nivelet më kritike. Statistikat e të dhënave më të fundit lidhur me ndotjen e ajrit tregojnë se, nëse sot do të ishim një nga vendet e anëtarësuara në Bashkimin Europian, atëherë do të kualifikoheshim si vendi me ajrin më të ndotur në të.

Dhe ky është një proces fatkeq që duket se po njeh vetëm progresion rritës. Për vitin 2010, matjet më të fundit janë bërë për Tiranën, qytetin më të ndotur në të gjithë vendin, pikërisht gjatë muajve të verës (maj-korrik), përmes aparaturave të teknologjisë së fundit, të vendosura në dy pika strategjike: tek Poliklinika Qendrore, pranë Prokurorisë dhe tek ISHP (Instituti i Shëndetit Publik), në afërsi të malit të Dajtit, atje ku edhe avantazhi i të qenit pranë një parku natyror, nuk i shpëton vlerësimit për një ndotje deri në 50 % më të lartë se norma e lejuar.

“MAPO” sjell ekskluzivisht vlerat e këtij raporti të fundit të ISHP-së lidhur me ndotjen e ajrit në kryeqytet gjatë muajve maj-korrik të këtij viti. Lajmi është bërë i ditur nga specialistë të këtij instituti për disa media të shkruara gjatë javës së shkuar, duke vënë në dukje rrezikun që i kanoset përditë e më shumë të gjithë qytetarëve të Tiranës, por, përveç krahasimeve, të dhënat e vlerave të matura për zërat e ndotësve, që sapo janë depozituar pranë dikastereve qendrore, nuk ishin bërë ende publike. Ky është ende një raport i papublikuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Mjedisit.

Interpretimi i rezultateve
Të dhënat e përftuara tregojnë se tejkalohet sistematikisht përmbajtja e dyoksidit të azotit NO2 në stacionin e qendrës së qytetit (Alba 2). Ky gaz lidhet kryesisht me shkarkimet e automjeteve.

Dyoksidi i squfurit, SO2, po ashtu është në sasi të konsiderueshme në ajrin e qendrës së qytetit, ndonëse brenda vlerës limit të vendeve të BE-së. Ky gaz lidhet aktualisht me përmbajtjen e squfurit në karburantin Diesel, të përdorur prej rreth 80 për qind e automjeteve në vendin tonë..

Ozoni O3 është një ndotës i tipit sekondar, që formohet nga reaksione komplekse mes hidrokarbureve dhe oksideve te azotit, në prani të rrezatimit diellor. Për periudhën maj-gusht 2010, ai rezulton brenda vlerës limit të vendeve të BE-së, por përmbajtja e tij në ajrin e qendrës së qytetit është rreth dy herë më e lartë sesa në zonën periferike të ISHP-së, ku është vendosur nënstacioni i dytë i matjeve (Alba 1). Në orët e ditës, veçanërisht në ato të mesditës, vlerat e tij janë mjaft të larta.
Përmbajtja e grimcave të pluhurit në ajrin e monitoruar prej dy stacioneve jep një tablo edhe më interesante. Matjet janë kryer, për herë të parë, të ndara për tri kategori të madhësisë së grimcave të pluhurit në ajër, PM 10, PM 2.5 dhe PM 1 (respektivisht me diametër më të vogël se 10, 2.5 dhe 1 mikron), që të mbledhura së bashku përbëjnë atë që specialistët e quajnë (LNP), Lëndë e Ngurtë Pezull). Pa llogaritur pikat që sjellin vlerat eksterme, mesatarja e përmbajtjes së të tri këtyre lloj grimcave në ajër, rezulton mbi limitet e vlerave të vendeve të BE-së, ku tejkalimet janë 3-4 herë mbi to në qendrën e qytetit, ndërsa në zonën periferike, në afërsi të malit të Dajtit 50 për qind më të larta.

Grimcat PM 10 janë grimca që qëndrojnë në ajër prej trafikut të automjeteve, të cilat vijnë kryesisht nga pluhuri i rrugëve apo mbetjet inerte të ndërtimeve të ndryshme. Ndërsa grimcat e imta e super të imta, PM 2.5 dhe PM 1, janë të lidhura me shkarkimet e grimcave të blozës që del prej automjeteve të cilët kanë motorë Diesel.

Përfundimet e specialistëve
Grimcat e pluhurit dhe blozës në ajrin e Tiranës janë ndotësi kryesor dhe përmbajtja e tyre është në nivele të konsideruar të rrezikshëm për shëndetin publik.

Grimcat “e ashpra” PM 10 mund të ulen si përmbajtje, nëse do të përmirësohet efektivisht cilësia e rrugëve dhe pastrimi i tyre.

Grimcat e imta PM 2.5 dhe PM 1 kërkojnë ndërhyrje serioze në kontrollin e cilësisë së punës së motorëve Diesel, karburantin e përdorur në vendin tonë dhe përmirsimin e rrjedhjes së trafikut në rrugët e qytetit. Kjo ndërhyrje është e vlefshme edhe për uljen e nivelit të dyoksidit të azotit NO2, i cili po njeh rritje të pandërprerë dhe tani tejkalon vlerën limit të BE-së në qendër të qytetit.

Bloza e qeverisë dhe pluhuri i opozitës
I kemi parë e dëgjuar politikanët tanë, pushtetarët e majtë e të djathtë, krerët vendorë e ata lokalë, të zihen për ndarje postesh, zonash, votash, kompetencash, përgjegjësish, vlerash e popullariteti. Së fundi ka ardhur momenti të ndajnë dhe pluhurin, jo atë që dashur pa dashur qëllon ta shkundin nga supet e njëri tjetrit, por pluhurin në ajër, të të njëjtit ajër që thithin përditë të dy palët. Secili do mbajë pjesën e vet të fajit e përgjegjësisë, llogaritur bukur deri në përmasat më mikroskopike. Nuk i dihet, ndoshta së shpejti mund të ketë përsëri debate e polemika, me argumente e kundër-argumente, për fajtorë e të pafajshëm, por kësaj radhe ka për të qenë një luftë molekulash përkthyer në nivel mikronësh. Sepse raporti më i fundit i llogaritjes së nivelit të ndotjes së ajrit në kryeqytet, bërë nga ISHP, i ka rezervuar secilit përgjegjësinë e vet. Bashkisë pluhurin e ashpër ndërsa qeverisë blozën, pluhurin e imët dhe gazrat toksike.

Gjithë këto kohë nuk është folur pak për ndotjen e mjedisit, e sidomos për ajrin. Ka pasur gjithmonë raporte studimore, sidomos për kryeqytetin, të lakuara si dramatike për sa u takon vlerave të publikuara. Përballë këtyre fakteve, siç ndodh rëndom, ka pasur disa kandidat për përgjegjës nga ana e pushtetarëve, hiq këtu papërgjegjshmërinë qytetare, por asnjëherë një përgjegjës, aq më tepër të vetëdeklaruar. Për ministrinë e Mjedisit, i gjithë faji vinte prej Bashkisë së Tiranës, asaj “që mban pezull punimet në rrugë, asaj që operon me lejet e ndërtimit të pallateve pa kritere mjedisore, asaj që ktheu në “legjendë” punimet në Bulevard... Sepse nga të gjitha këto vjen ky ajër i pisët që qëndron pezull mbi Tiranë, si një re masive pluhuri...” Nga ana e saj, Bashkia e Tiranës justifikonte pikërisht vonesat e këtyre punimeve në rrugë, bulevarde e pallate, si shkak i burokracive e shkopinjve nën rrota që i bënte qeveria dhe ministritë përgjegjëse. Dhe të gjitha diskutimet vërtiteshin pikërisht rreth këtij qarku të mbyllur, derisa ISHP, vendosi “të ndante shapin nga sheqeri”.

“Për grimcat e pluhurit me diametër më të vogël se 10 mikronë PM 10, mban përgjegjësi Bashkia, sepse vijnë nga ndërtimet në rrugë e pallate, nga mungesa e pastrimit e kanalizimet e hapura. Ndërsa, për grimcat më të vogla se 2.5 dhe 1 mikronë (PM 2.5 dhe PM 1), për dyoksidin e azotit NO2, dyoksidin e squfurit SO2, ozonin O3, benzenin C6H6, sulfurin e hidrogjenit H2S dhe plumbin Pb, mbajnë përgjegjësinë kryesore organet kompetente të pushtetit qendror”, shprehet Agron Deliu.

Të gjithë këta ndotës përhapen në ajër së pari si rezultat i blozës dhe squfurit të emetuar nga automjetet me motorë Diesel, kryesisht të vjetër dhe jo të standartit “Euro 5”, së dyti nga cilësia e keqe e karburanteve që hyjnë në Shqipëri, së treti nga trafiku i rënduar në rrugë, së katërti nga krateret e djegies së mbeturinave, TEC-et, fabrikat e punishtet, të mëdha e të vogla që punojnë pa respektuar asnjë kusht mjedisor, etj. Se nga anon peshorja e fajit, këtë le ta thonë specialistët. Ajo që duhet theksuar është fakti se të gjithë këta elemente në ajrin tonë, janë në prag, ose kanë tejkaluar normën e lejuar, dhe nga viti në vit, rritja është e dukshme duke lënë pas pasoja të pashmangshme shëndetësore e një jetë..., në mos më të shkurtër, më të vështirë për tu përthithur.
Avatari i antarit
Edvin
Site Admin
 
Postime: 640
Antarësuar: 22 Shtator 2009, 15:34
Vendodhja: Tiranë, Shqipëri

Re: Cilesia e ajrit ne Tirane

Postonga Edvin » 04 Tetor 2010, 15:05

Edvin shkroi:Marrë nga Revista MAPO
Të jetojmë si metropolitanë ndoshta na bën më të suksesshëm, por jo më të shëndetshëm. Nëse do kishim zgjedhur të jetonim si “hippie” maleve e lëndinave për të qenë “fëmijët e luleve”, nuk i dihet nëse do ishim më të lumtur, por është e sigurt që do ishim më jetëgjatë. Sipas specialistit të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), Agron Deliu, një kryeqytetas është i destinuar të jetojë deri në 2 vjet më pak se sa një bari bjeshkësh, dhe kjo vetëm prej blozës e pluhurit që thithim përditë në ajër. Sigurisht që të gjithë e dinë se, tek ne, ajri pa asnjë kokrrizë pluhuri mund të frymëmerret vetëm në Alpe, por, saktësisht, jo të gjithë mund ta dinë se ku rri pezull pluhuri më i dendur.


Prape vazhdohet me kete genjeshtren sikur jetesa ne Tirane te shkurtohet vetem 2 vjet nga ndotja; kjo eshte nje genjeshter e turpshme qe i hidhet syve te atyre qe nuk e dine te verteten...

Studimet ne Uashington, dhe Londer kane treguar qe nga ndotja ne keto qytete te permenedura, jeta e banoreve aty shkurtohet respektivisht me maksimumin 4 dhe 9 vjet jete. Prandaj si eshte e mundur qe ne Tiranen 4 here me te ndotur se Londra, jeta na u shkurtoka vetem dy vjet? Sipas disa doktoreve qe jane marre me semundjet e frymemarrjes ne Tirane, por qe nuk pranojne te flasin publikisht nga frika, jeta ne Tirane shkurtohet nga 10-15 vjet, si pasoje e ndotjes se ajrit. Shkurt, jetesa ne Tiranes eshte rrezik per jeten, per ata qe nuk i kane problem 10-15 vjet jete.
Avatari i antarit
Edvin
Site Admin
 
Postime: 640
Antarësuar: 22 Shtator 2009, 15:34
Vendodhja: Tiranë, Shqipëri

Re: Cilesia e ajrit ne Tirane

Postonga DNP » 12 Tetor 2010, 14:30

Edvin shkroi: Sipas disa doktoreve qe jane marre me semundjet e frymemarrjes ne Tirane, por qe nuk pranojne te flasin publikisht nga frika, jeta ne Tirane shkurtohet nga 10-15 vjet, si pasoje e ndotjes se ajrit. Shkurt, jetesa ne Tiranes eshte rrezik per jeten, per ata qe nuk i kane problem 10-15 vjet jete.


Po perse duhet te kene frike doktoret te flasin? Perse nuk e thone hapur mendimin e tyre?
Avatari i antarit
DNP
 
Postime: 264
Antarësuar: 28 Shkurt 2010, 05:14

Re: Cilesia e ajrit ne Tirane

Postonga Edvin » 12 Tetor 2010, 19:44

DNP shkroi:
Edvin shkroi: Sipas disa doktoreve qe jane marre me semundjet e frymemarrjes ne Tirane, por qe nuk pranojne te flasin publikisht nga frika, jeta ne Tirane shkurtohet nga 10-15 vjet, si pasoje e ndotjes se ajrit. Shkurt, jetesa ne Tiranes eshte rrezik per jeten, per ata qe nuk i kane problem 10-15 vjet jete.


Po perse duhet te kene frike doktoret te flasin? Perse nuk e thone hapur mendimin e tyre?

Sepse asnje nga ata nuk do te humbase vendin e punes, ose te marre ndonje kercenim per jeten e tyre apo te familjes se tyre.
Avatari i antarit
Edvin
Site Admin
 
Postime: 640
Antarësuar: 22 Shtator 2009, 15:34
Vendodhja: Tiranë, Shqipëri

Re: Cilesia e ajrit ne Tirane

Postonga Edvin » 24 Shtator 2011, 15:49

Tumoret në tru, 400 raste të reja çdo vit
2011-09-24
Mbetjet toksike, kush i depoziton, 15 vite burg
Gazeta Shqip

Niveli i lartë i ndotjes së ambientit ku jetojmë si dhe duhanpirja llogariten si ndër shkaktarët kryesorë të sëmundshmërisë së lartë të tumoreve. Diagnostikimi me aparatura moderne ka nxjerre në pah së fundmi se kemi rreth 400 raste të reja në vit me tumore në sistemin nervor, çka i rendit këto sëmundje të dytat për numrin e madh të vdekjeve pas sëmundjeve kardio-vaskulare.

Në një seminar me mjekë neurologë, radiologë, neurokirurgë dhe onkologë është theksuar diagnostikimi i shpejtë i tumoreve në sistemin nervor, me qëllim për të ulur numrin e vdekshmërisë dhe për të rritur cilësinë e jetës së pacientit falë teknologjisë së mbërritur në pavijonin e këtyre sëmundjeve.

“Shenjat me të cilën prezantohen tumoret janë shumë më të ndryshme dhe shumë më të shpeshta se sa dhimbjet e kokës.

Nëse 90 % e njerëzve vuajnë nga dhimbjet e kokës, vetëm 10 për qind e tyre e kanë këtë shenjë si pasojë e tumorit. Shenjat më të shpeshta janë ndryshimet e karakterit, krizat epileptike, mpirjet, rëndimet, çrregullimet e ekuilibrit, shikimet dysh, të cilat janë shenja më specifike neurologjike", - thotë Mira Rakacolli, presidente e Shoqatës së Neurologëve.

“Ndotja e ambientit është një nga faktorët që sot është provuar dhe këtu futen të gjitha grimcat e ndotjes nga djegia e plastikës, hidrokarburet dhe duhanpirja. Ne si shoqëri duhet të reflektojmë për të marrë masat nëpërmjet edukimit, duke nisur që tek fëmijët”, - tha shefi i pavijonit të neurokirurgjisë, Mentor Petrela.
Avatari i antarit
Edvin
Site Admin
 
Postime: 640
Antarësuar: 22 Shtator 2009, 15:34
Vendodhja: Tiranë, Shqipëri

Ekspertët: Tirana është e mbuluar nga një re toksike

Postonga Edvin » 02 Nëntor 2011, 11:58

02 Nëntor 2011 - 09:27 | Shqiperi

Ekspertët: Tirana është e mbuluar nga një re toksike
Ekspertët: Tirana është e mbuluar nga një re toksikeTIRANË- Ajri që thithin çdo ditë banorët e Tiranës është disa herë më i ndotur se normat e lejuara. “Gazeta Shqiptare” në numrin e sotëm i referohet ekspertëve të fushës, të cilët theksojnë se ndër ndotësit kryesor në kryeqytet janë makinat.

Dhimitraq Trajani, profesor i Inxhinierisë Mekanike thotë se institucionet përgjegjëse jo vetëm nuk kanë marrë masa për shpërbërjen e resë toksike që mbulon kryeqytetin, por ajo madje sa vjen e dendësohet duke paralajmëruar prej kohësh një stuhi të fortë. Sipas Trajanit, fajtorët kryesorë për këtë situatë janë amortizimi i madh i automjeteve.

Në një shkrim të gjatë analizues ai sqaron se pavarësisht viteve të gjata, institucionet përkatëse nuk kanë arritur të japin të dhëna specifike se sa për qind e ndotjes i dedikohet pluhurit për shkak të ndërtimeve, sa për qind amortizimit të automjeteve dhe sa për qind cilësisë së karburanteve. Ai propozon që të ndryshojnë tekstet me të cilat mësojnë studentët, ndërkohë që studentët e Politeknikut dhe të Mjekësisë të bëjnë matjet specifike në terren.
(Lexoni shkrimin e plotë në Gazeta Shqiptare)
(m.a/BalkanWeb)
Avatari i antarit
Edvin
Site Admin
 
Postime: 640
Antarësuar: 22 Shtator 2009, 15:34
Vendodhja: Tiranë, Shqipëri

Ekspertët: Tirana është e mbuluar nga një re toksike

Postonga Edvin » 02 Nëntor 2011, 21:39

Ekspertët: Tirana është e mbuluar nga një re toksike
02/11/2011 - 15:45

Gazeta Shqiptare

Esmeralda Keta

Ajri që thithin çdo ditë banorët e Tiranës është disa herë më i ndotur se normat e lejuara. Dhimitraq Trajani, profesor i Inxhinierisë mekanike thotë se institucionet përgjegjëse jo vetëm nuk kanë marrë masa për shpërbërjen e resë toksike që mbulon kryeqytetin, por ajo madje sa vjen e dendësohet duke paralajmëruar prej kohësh një stuhi të fortë. Sipas Trajanit, fajtorët kryesorë për këtë situatë janë amortizimi i madh i automjeteve. Në një shkrim të gjatë analizues ai sqaron se pavarësisht viteve të gjata, institucionet përkatëse nuk kanë arritur të japin të dhëna specifike se sa për qind e ndotjes i dedikohet pluhurit për shkak të ndërtimeve, sa për qind amortizimit të automjeteve dhe sa për qind cilësisë së karburanteve. Ai propozon që të ndryshojnë tekstet me të cilat mësojnë studentët, ndërkohë që studentët e Politeknikut dhe të Mjekësisë të bëjnë matjet specifike në terren.
Ndotja
Për profesor Dhimitraq Trajanin problemi nis që në burimet e matjeve, raportet e të cilave më pas bëhen publike. Sipas tij deri më tani, institucionet përgjegjëse për matjen e cilësisë së ajrit japin vetëm të dhëna të përgjithshme, por pa zbuluar shkakun e vërtetë të ndotjes. "Të dhënat që na serviren janë të dhëna të përgjithshme. Institucionet nuk na japin se sa kanë ndikuar në këtë nivel ndotjeje, amortizimi i automjeteve, cilësia e karburantit, mbeturinat urbane apo faktorë të tjerë, ndërkohë që ekzistojnë aparatura specifike të cilat mund të të japin këto të dhëna", - ka shpjeguar ai. Pikërisht për këtë arsye ai duket dyshues ndaj të dhënave që japin institucionet dhe nuk nguron të thotë se situata është vërtetë alarmante. "Duke mos besuar shumë në institucionet shtetërore të monitorimit të ajrit, për shpërbërjen e asaj reje gjigante toksike që mbulon kryeqytetin tonë, që sa vjen po dendësohet, dhe që prej kohësh ka paralajmëruar stuhinë që ajo mbart, iu drejtova me një shkrim një reviste shkencore të një Universiteti publik në Tiranë. Në shkrim pasi bëja një paraqitje të përgjithshme të zhvillimeve intensive konstruktive në dy dekadat e fundit për automjetet në përgjithësi dhe veçanërisht në sistemet e motorëve dhe nënvizoja edhe trendin e kërkimeve shkencore në alternativat energjetike të së ardhmes dhe sidomos arritjet e teknologjisë gjermane në bashkëpunim me një nga korporatat amerikane më të njohura në prodhimin e automjeteve, për përdorimin e hidrogjenit si lëndë e parë energjetike në disa automjete të prodhuara pas vitit 2000; por që akoma këto informacione nuk "kanë gjetur rrugën për në faqet" e literaturës sonë teknike, bëja edhe një propozim konkret, gjithmonë edhe si një element parësor të reformës në arsimin e lartë, që mendoj se realizimi i tij do të ishte një risi jo vetëm në funksion të mësimit, por edhe të vetë punës shkencore, si pjesë parësore e reformës në sistemin tonë arsimor. Meqenëse Instituti i Shëndetit Publik, sipas të dhënave që merr nga disa stacione për matjen e komponimeve toksike, të montuara në Tiranë dhe në ndonjë qytet tjetër, na jep edhe disa të dhëna se sa më të larta janë ato vlera nga normat e BE-së, na tregon se "Tirana është e toksikuar, është e sëmurë", por nuk na jep asnjë rekomandim se si të kurohet! Është e kuptueshme se informacionet e tij janë të përgjithshme, ai nuk specifikon burimet e tyre sigurisht nuk mundet të japë as edhe masat respektive dhe veçanërisht nga automjetet si burimi më potencial i emetimit të tyre, sepse nuk ka as specialistët e fushës dhe as infrastrukturën e nevojshme të matjeve; pa përmendur se në vende të Evropës, ata vlerësohen në gr/km për rrugë të kryer ose ppm/km (pjesë për milion), me matje direkt në tubot e shkarkimit të motorëve, duke i konsideruar më të sakta rezultatet kur mjeti është në lëvizje", - shpjegon Trajani.
Propozimi
Sipas profesor Trajanit propozimi ka të bëjë me angazhimin e studentëve të Inxhinierisë dhe të Mjekësisë. Ata të profilit inxhinierik të transportit, do përcaktonin masat e komponimeve toksike dhe sigurisht zonat më toksifikuara; studentët e mjekësisë, do të observonin pasojat e komponimeve toksike në grup mosha të ndryshme, pikërisht në banorët pranë rrugëve dhe shesheve me vlera të larta me emissione dhe komponime toksike. "Dhe tani, do e përsërisë atë propozim, por si një apel i dy universiteteve më me përvojë në vendin tonë në fushën e mësimdhënies, Universitetit Politeknik dhe Universitetit të Tiranës, që kanë mundësi të kryejnë më shumë eksperimente dhe studime, që atë që nuk e kanë bërë institucionet shtetërore në vendin tonë, edhe pse e kanë një nga detyrat parësore të tyre, ta realizojnë vetë studentët dhe pedagogët e shkencave inxhinierike, të natyrës dhe të mjekësisë, si një detyrim moral dhe intelektual ndaj qytetarëve. Për t'i studiuar dhe eksperimentuar këto dukuri, publikimin e tyre, për të sensibilizuar qytetarët për rreziqet që mbartin këto komponime, akoma sa gjendja mjedisore në vendin tonë s'ka hyrë në shkallën e rrezikshmërisë të lartë, veçanërisht për banorët e zonave urbane, ku pasojat tani shkencërisht të provuara, janë më të rënda te fëmijët dhe adoleshentët, dhe në të ardhmen e afërt, në qoftë se ato nuk do të parandalohen, fatkeqësisht pasojat do të jenë shumë të rënda", - ka përfunduar profesor Dhimitraq Trajnani. Duke iu referuar edhe përmbajtjes së teksteve tona shkollore, që janë larg atyre të vendeve të tjera të zhvilluara, ai me të drejtë shtron pyetjen se kur institucionet tona arsimore, në kuadrin e reformimit në drejtim të integrimit të informacionit të ri, do i japin vendin e duhur në literaturën mësimore, këtyre dukurive e fenomeneve të reja, që para dy dekadave s'paralajmëronin ndonjë rrezik, kur ne nuk jemi në gjendje të adaptojmë as edhe një filtër mbrojtës në tubot e shkarkimit të motorëve, por kurrë nuk na lejohet që të mos i njohim mirë ato.
Avatari i antarit
Edvin
Site Admin
 
Postime: 640
Antarësuar: 22 Shtator 2009, 15:34
Vendodhja: Tiranë, Shqipëri

"Gazrat që emetohen dëmtojnë edhe ADN"

Postonga Edvin » 02 Nëntor 2011, 21:41

"Gazrat që emetohen dëmtojnë edhe ADN"
» Dërguar më: 02/11/2011 - 15:46
Gazeta Shqiptare
Esmeralda Keta

Gazrat që emetojë automjetet kanë efekte mjaft të dëmshme në shëndetin e popullatës. Komponimet toksike që çlirojnë motorët me naftë mund të dëmtojnë fetusin e grave shtatzënë, janë kancerogjene dhe dëmtojnë deri edhe ADN-në.
Efektet
"Që në fillim duhet të theksoj se gazrat që emetohen nga automjetet janë tepër aktive me veprime të drejtpërdrejtë në rrugët e frymëmarrjes duke shkaktuar: pharyngits, laringits, rinits dhe irritime të mukozës", - shpjegon profesor Dhimitraq Trajani. Sipas tij njerëzit që janë më të ekspozuar në mjedise me shkallë të lartë të pranisë së mbetjeve toksike, ndjejnë dhimbje koke, lodhje ("këputje") etj. Më tej ai shpjegon se në përgjithësi këto efekte akute, dobësojnë aparatin e sistemit mbrojtës respirator, rritin infeksionet në rrugët e frymëmarrjes dhe shkaktojnë pneumoninë; shpeshtojnë krizat astmatike dhe bëhen më problematike në njerëzit me sëmundje kronike të bronkeve me procese emphysema të mushkërive dhe kardiopati të koronareve. Ato sulmojnë dhe lenë pasoja edhe te krijesat gjatë periudhës të shtatzënisë. "Komponi-met toksike: SO2, NO2, TSP dhe O3, që çlirohen kryesisht nga motorët me naftë, shkaktojnë bllokimin e bronkeve, sëmundje kancero-gjene deri në dëmtime të AND-së dhe me pasoja të njëjta me ato të radioaktivitetit, por që shfaqen pas një periudhe kohore relativisht të gjatë dhe në qoftë se nuk do ndërhyjmë sa më shpejt që të jetë e mundur këto dukuri, brezat pasardhëse nuk do na i falin për sëmundjet e radioaktivitetit që po ja trashëgojmë. Këto mbetje kanë efekte në shkallë më të lartë te fëmijët dhe të rriturit, për shkak të shpeshtësisë ose frekuencës të lartë të frymëmarrjes të tyre, duke i shkaktuar dëmtime të sistemit nervor deri në frenimin e zhvillimit intelektual dhe deformim të sistemit eshtror", - ka shpjeguar ai. Më tej ai sqaron se ka deklarata të besueshme dhe të provuara shkencërisht, sidomos nga Agjencia Ndërkombëtare e Studimit të Kancerit (IARC), se produktet toksike të emetuara nga motorët me benzinë, shkaktojnë sëmundje kancerogjene të tipit 2A, dhe ato të motorëve me naftë, të tipit 2B. "Për ta ilustruar shkallën e rrezikshmërisë dhe të pasojave të produkteve toksike që përmenda, po sjell dy shembuj nga Los Anxhelos, që konsiderohet shteti dhe qyteti më i pastër ekologjikisht në botë, ku zbatohen praktika të mbrojtjes të mjedisit tepër rigoroze. Së pari, vetëm 10% të automjeteve të atij qyteti, që konsiderohen të amortizuara, por jo jashtë kushteve teknike të lejuara për përdorim, emetojnë deri 70 për qind të masës të përgjithshme të emissioneve toksike nga sektori i transportit. Së dyti, nga studime ka rezultuar se 10-15 për qind të fëmijëve të atij qyteti, vuajnë nga rënia ose dobësimi i funksioneve të bronkeve. Mundet të japë Qendra Spitalore Universitare, si qendra më e kualifikuar shëndetësore dhe institucioni më lartë arsimor në vend, ndonjë përgjigje bazuar në studimet dhe observimet e saj? Dhe a ka publikuar në ndonjë media të shkruar ose vizive informacione të kësaj natyre, pse jo edhe t'i bjerë "kambanave të rrezikut", bazuar në rezultatet e studimeve të klinikave të saj dhe departamenteve të FM me të cilat bashkëpunon?! A i ka tërhequr vemendjen një statistikë që japin disa institucine të vendeve evropiane, se kanceri në mushkëri, te punonjësit e sektorit të transportit dhe të karburanteve, është 600 herë më i lartë nga ato të sektorëve të tjerë, si te ata të postave dhe telekomunikacioneve, që nuk afektohen direkt nga hidrokarburet? Natyrisht të njëjtat pyetje do i drejtoja edhe Institutit të Shëndetit Publik dhe Agjencive Mjedisore.
Tekstet mësimore
Profesori i Inxhinierisë mekanike ka pakënaqësi edhe sa u përket teksteve me të cilat mësojnë të rinjtë në auditorët e universiteteve. "Aktualisht ne nuk pasqyrojmë në tekstet mësimore sa duhet, pse të mos themi se në mjaft raste ai mungon, informacionin e ri mbi strukturat e reja inxhinierike të zbatuara në motorë pas viteve '80-të, dhe konkretisht për qarqet elektronike: kompjuterat, sensorët, (inputet, outputet), dhe vepruesit (actuators), që përcaktojnë saktë të gjitha parametrat e motorit dhe drejtojnë pajisje dhe funksione kryesore të tij, duke përfshirë raportet më të gjetura të përzierjes ajër-lëndë djegëse, injektimin në momentin më të përshtatur të tyre në hapësirat e djegies në motor, sigurisht në sinkron me flakërimin e kandeleve dhe që drejtojnë edhe ndryshimin e shpejtësisë të automjetit tërësisht me drejtim elektronik (në automjetet me kambio automatike)", - ka shpjeguar Trajani. Sipas tij, arsyet e mbrojtjes mjedisore nga burime toksike të lëvizshme, i kanë orientuar shkencat inxhinierike të zbatuara në to, të integrojnë si pjesë funksionale të motorëve, disa sisteme të monitorimit të mbetjeve, që para viteve '90-të ishin të panjohura. "Mjafton t'i referohemi strukturës ndërtimore të sistemit të furnizimit me lëndë djegëse, të automjetit "Toyota", dhe do vëmë re se ajo na paraqit një skemë inxhinierike komplekse, ku gjejnë zbatim dukuri të shkencave të fizikës, kimisë, mekanikës fluide, elektronikës, të llogaritura saktësisht me metoda të analizës matematikore inxhinierike, por sa shpjegohen ato në arsimin politeknik të mesëm dhe inxhinerik?", - thotë ai.
Avatari i antarit
Edvin
Site Admin
 
Postime: 640
Antarësuar: 22 Shtator 2009, 15:34
Vendodhja: Tiranë, Shqipëri

Sanatoriumi, spitali që të mbush mushkëritë me tym dhe blozë

Postonga Edvin » 08 Nëntor 2011, 23:32

Sanatoriumi, spitali që të mbush mushkëritë me tym dhe blozë mbeturinash urbane

Publikuar te Dielen, 06 Nentor 2011 01:00
Shkruar nga SOT NEWS

Zona, ku dikur ndodhej vetëm spitali i Sanatoriumit, sot është kthyer në një zonë të mirëfilltë banimi. Popullimi i kësaj zone nga banorët e ardhur nga disa zona të Shqipërisë, është bërë pa marrë parasysh se pikërisht në këtë pjesë të Tiranës, ndodhet spitali, në të cilin shtrohen ata që vuajnë nga sëmundjet e mushkërive. Dikur kjo zonë ka qenë e papopulluar nga njerëzit, ndërsa sot aty janë vendosur të ardhurit nga rrethet e ndryshme të Shqipërisë, dhe askush nga instancat shtetërore nuk e ka vrarë mendjen se pasojat e popullimit të kësaj zone do i vuanin pikërisht pacientët e spitalit “Shefqet Ndroqi” të Sanatoriumit. E themi këtë, pasi nga vëzhgimet e bëra në këtë zonë të Tiranës, kuptohet qartë se pacientët e këtij spitali jetojnë mes pirgjeve të mbeturinave, ajrit të ndotur dhe gazrave që çlirojnë makinat.
Pacientët e Sanatoriumit të rrezikuar
Jo më shumë se 20 metra larg këtij spitali, janë vendosur kazanët e mbeturinave, të cilat jo vetëm janë të tejmbushur, por rreth e rrotull tyre të zë syri pirgje mbeturinash, të hedhura nga banorët e kësaj zone. Kjo është rrezikshmëria më e madhe që u kanoset pacientëve të shtruar në këtë spital, të cilët thithin ajrin mbytës që vjen nga prania e këtyre mbeturinave, pothuajse ngjitur me këtë spital, të cilat vizitohen shpesh nga qentë dhe macet e kësaj zone. Por, rreziku më i madh për të shtruarit e këtij spitali, vjen kur banorët e kësaj zone vendosin që të djegin mbeturinat, jo shumë larg zonës ku ndodhet spitali i Sanatoriumit. Nga djegia e këtyre mbetjeve çlirohen sasi të mëdha tymi dhe dyoksid karboni, të cilat vënë në rrezik jetën e pacientëve, që vuajnë nga mushkëritë. Në periudhën e zgjedhjeve elektorale u përfol ideja se ky spital do të vendosej në një zonë tjetër, madje edhe se do të merreshin masa serioze që afër këtij spitali, do të ndalohej qarkullimi i automjeteve dhe aktiviteti i bizneseve që veprojnë në këtë zonë. Por, deri tani në këtë zonë nuk është ndërmarrë asnjë masë, dhe deri në marrjen e këtyre masave, pacientët e spitalit të Sanatoriumit do të jetojnë mes smogut dhe ajrit të ndotur të kësaj zone. Rreth 30 metra afër Sanatoriumit, është një fushë, në të cilën nëse nuk merren masa të menjëhershme, rrezikon që të kthehet në një zonë të grumbullimit dhe të djegieve të tyre. Por, sikur të mos mjaftonte prania e këtyre mbetjeve ngjitur me Sanatoriumin, pacientët e këtij spitali nuk duhet të dalin as në dritare, për të marrë ajër të pastër, sepse nëse dalin, ata do të thithin ajrin e rëndë që çlirohet nga lokalet përreth, në të cilat pihet raki dhe piqen pula, pa e vrarë mendjen se tymrat që çlirohen nga pjekja e tyre, ndikon në shkurtimin e jetës së atyre, që janë shtruar në këtë spital. Por, në këtë pjesë të Tiranës, që tashmë duket se është lënë në harresë, shfaqet edhe problemi i qarkullimit të automjeteve, shumë pranë këtij spitali, për të cilat vetëm pak kohë më parë, është përfolur se do t’u ndërrohet drejtimi, për t’i lënë sa më larg spitalit. Për aq kohë sa kjo zonë lihet në harresë, dhe bashkia nuk merr masa për të veçuar spitalin nga zona e banimit, pacientët janë të detyruar, që të jetojnë aty ku digjen mbeturinat, ku piqen qofte dhe ku xhirojnë makinat.
Avatari i antarit
Edvin
Site Admin
 
Postime: 640
Antarësuar: 22 Shtator 2009, 15:34
Vendodhja: Tiranë, Shqipëri

Re: Cilesia e ajrit ne Tirane

Postonga Dasius » 09 Nëntor 2011, 12:47

Ne postimet e mesiperma ka shume informacion te vlefshem ne lidhje me ndotjen, por ka edhe shume fjale. Do te ishte nje pune shume e mire organizative nese shifrat dhe faktet do te nxirreshin menjane ne nje liste.

Flm
Dasius
 
Postime: 14
Antarësuar: 14 Shtator 2011, 15:46

MëparshmePërpara

Kthehu tek Ndotja e ajrit

Kush është në linjë

Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar i regjistruar dhe 1 vizitor