Cilesia e ajrit ne Tirane

Diskutime, komente dhe pyetje rreth ndotjes së ajrit.

Cilesia e ajrit ne Tirane

Postonga Edvin » 21 Tetor 2009, 19:58

Cilesia e ajrit ne Tirane ka shkuar ne perkeqesim e siper qe nga viti 1990. Nese sot do te ishim ne BE, Tirana do te ishte qyteti me ajer me te ndotur ne te gjithe BE-ne. Ndotja e ajrit ne Tirane kalon 3-4 here normat e lejuara per frymethithje te BE-se.

Ajri i Tiranës, Korçës dhe Vlorës, 2-3.5 herë mbi normat e BE
Publikuar më 31/07/2008
Gazeta Ballkan

Autori i Lajmit: Denisa Kona
Shqipëria është në vendet e dyta për shkallën e ndotjes nw rang botwror. Duke parë hartën e dhënë nga OBSH, vihet re se midis 6 shkallëve të klasifikimit, në 4 shkallë renditen vendet me ajër më të shëndetshëm dhe vetëm një shkallë përfshin vende me ajër më të ndotur se Shqipëria. Paradoksalisht, vende si Italia apo Greqia që janë kaq afër nesh, kanë një cilësi ajri krejt tjetër. Ngjyra e gjelbër që i përfshin ato, tregon se janë tepër larg nesh. Shqipëria krahasohet me vendet e Kaukazit. Megjithëse ka vite që bien kambanat e alarmit për ndotjen e frikshme, nuk shihet asnjë politikë zyrtare që do të kishte ulur këto parametra dramatikw, të cilët janë bërë precedent për shëndetin e popullatës në mënyrë afatgjatë dhe që ne, shqiptarëve, nga një popull vital, me një gen të shëndoshë, po na shndërrojnë në një popull të cënuar nga sëmundje të rënda.
Qytetet e mëdha të Shqipërisë po kthehen dora-dorës në të pajetueshme. Cilësia e ajrit të tyre nuk siguron më një jetë të shëndetshme dhe ç është më e keqja, prej vitesh nuk vihet re asnjë përmirësim, dhe në disa parametra vihet re vetëm përkeqësim.
Monitorimi më i fundit që Instituti i Shëndetit Publik ka kryer gjatë periudhës janar-qershor 2008 në qytetet Tiranë, Korçë dhe Vlorë, tregoi se cilësia e ajrit nuk ka pasur asnjë tendencë përmirësimi. Qëllimi i studimit ishte njohja me saktësi të besueshme kohore e hapësinore e cilësisë së ajrit urban në tri ndër qytetet më të mëdha të vendit i cili do të vazhdojë edhe në 6-mujorin e dytë të vitit 2008.
Gjatë kësaj periudhe të vitit 2008 në qytetet Tiranë, Korçë dhe Vlorë janë marrë monstra ajri në 8 stacione për 16 ditë/muaj (6 stacione në Tiranë, 1 stacion në Korçë (tek biblioteka e qytetit) dhe 1 stacion në Vlorë, tek poliklinika), duke përdorur aparaturat ekzistuese manuale në ISHP. ”Eshtë i gjashti vit, që monstrat e ajrit merren në të njëjtat pika, gjë që përbën avantazh për nxjerrjen e tendencave, përmirësimit apo përkeqësimit të cilësisë së ajrit,-thotë specialisti që ka mbikqyrur monitorimin në këto stacione, kimisti toksikolog, Agron Deliu. Të gjitha këto monstra janë analizuar gjatë këtyre muajve në laboratorin e ajrit të Institutit të Shëndetit Publik.
Lënda e ngurtë pezull
Ajri i Tiranës është më i ndoturi me grimca pluhuri, nga krahasimi i tri qyteteve. Mesatarja e të gjitha pikave ku janë bërë matje, tregon se ajri i kryeqytetit përmban 309 µg/m3 LNP (lëndë e ngurtë pezull ose pluhur total), kur sipas normave të caktuara për Shqipërinë, nuk duhet të kalojë limitin prej 140 µg/m3. Ndërkohë, normat e vendeve të Bashkimit Europian janë edhe më të larta: 100 µg/m3, që do të thotë, edhe më të pakapshme e të largëta për t u arritur. Kjo lloj ndotjeje ka rezultuar më e lartë në zonën tek Hotel “Mondial”, duke kaluar 5-6 herë normat e BE-së dhe 4 herë normat për Shqipërinë. Zona e dytë më e ndotur e kryeqytetit (ndër 6 pikat ku janë bërë matje) rezulton zona tek Instituti Hidro-Meteorologjik (që ndodhet disa dhjetëra metra larg autostradës në të dalë të Tiranës dhe e treta, zona e Ish-Bllokut me 295 µg/m3 pluhur total. Zona më e pastër ka rezultuar në Kinostudio (tek ISHP), 165 µg/m3 pluhur total, por edhe këtu, ndotja e ajrit i ka kapërcyer normat e lejuara, si ato kombëtare, edhe ndërkombëtare.
Ndërkohë, dy qytetet e tjera kanë rezultuar më pak të ndotura me lëndë të ngurtë pezull LNP sesa Tirana në vlera mesatare: Vlora është pak më mirë se Korça, por edhe këto dy qytete i kanë parametrat e ajrit përtej normave, gati dyfishin e lejuar të ndotjes prej tyre.
Grimcat e imta të pluhurit
Mushkëritë e kryeqytetasve janë të ngarkuara me grimca të imta pluhuri me diametër më të vogël se 10 mikron, rreth 3 herë më tepër se mushkëritë e qytetarëve të vendeve të Bashkimit Europian. Monitorimi i ajrit në 6 stacione të kryeqytetit gjatë periudhës janar-qershor 2008, tregoi se Tirana është rreth 2 herë më e ndotur sesa normat e lejuara të vendosura për Shqipërinë. Ashtu si në rastin e LNP, edhe këtu, zona më e ndotur evidentohet tek IHM dhe zona më pak e ndotur pranë malit të Dajtit, tek ISHP. Por ky faktor duket se nuk është marrë në konsideratë në çmimet e tregut të banesave të kryeqytetit, gjë që tregon një ndërgjegjësim të paktë edhe të vetë banorëve të tij, për rëndësinë që ka ajri në cilësinë e jetesës. Zona e ish-Bllokut mbetet nga më të shtrenjtat, por ajo gjithashtu është edhe ndër më të ndoturat me PM 10, grimca të respirueshme të cilat janë përgjegjëse për shumë sëmundje të frymëmarrjes, deri edhe për kancerin e grykëve dhe të mushkërive. Ndërkohë, ndotja e e qyteteve Korçë dhe Vlorë me PM10 është thuajse në gjysmat e vlerave të ndotjes në kryeqytet; në Korçë- 87 µg/m3 dhe në Vlorë- 80µg/m3, diçka më të larta se normat e vendosura për Shqipërinë (70µg/m3).


Avatari i antarit
Edvin
Site Admin
 
Postime: 640
Antarësuar: 22 Shtator 2009, 15:34
Vendodhja: Tiranë, Shqipëri

Re: Cilesia e ajrit ne Tirane

Postonga Edvin » 25 Tetor 2009, 17:24

Ajri i Tiranës, 2 vite jetë më pak për çdo banor
TIRANE-Cilësia e ajrit që thithin banorët e kryeqytetit kalon normat e parashikuara nga BE-ja, duke ulur deri në dy vjet jetëgjatësinë e qytetarëve të Tiranës. Smogu i automjeteve, pluhuri dhe djegia e mbeturinave, janë tre nga faktorët më të rëndësishëm që bëhen shkak për ndotjen mjedisore. Ekspertët që kanë kryer hulumtimin për ndotjen e ajrit në Tiranë paralajmërojnë se nëse nuk merren masa urgjente, humbja e pritshme e jetëgjatësisë në kryeqytet do jetë 1-2 vjet për banor. Të dhënat tronditëse mbi pasojat negative që shkakton ndotja e ajrit lidhen direkt edhe me vdekshmërinë e përvitshme. Duke iu referuar statistikave të OBSH-së, rreth 200 vdekje në vit në Shqipëri janë të lidhura vetëm me ndotjen e ajrit, duke u bërë kështu shkak për prishjen e cilësisë së jetës. Studimi i Institutit të Shëndetit Publik tregon se, rreth 1400 raste të reja me kancer që shfaqen çdo vit ndodhin për shkak të faktorëve të ndotjes së ambientit. Kanceret, sipas studimit, janë të llojeve të ndryshme, ku ato të mushkërive dhe lëkurës që vijnë direkt nga mjedisi, janë faktorët kryesorë.
Studimi
Nga një studim i Institutit të Shëndetit Publik që prek disa nga pikat e kryeqytetit, rezulton se ndotja është 2.5 herë më i lartë se standardi dhe në disa vende të tjera, gati 4.5 herë. Matja e cilësisë së ajrit është kryer me një aparature moderne, e cila është vendosur në disa zona të Tiranës, ku është parashikuar edhe shkalla e ndotjes. Studimi tregon se më problematike është niveli i lartë i lëndës së grimcuar në atmosferë. Raporti tregon se problem kryesor në kryeqytet është prania e lartë e grimcave në ajër, nga 100 që është norma në 348, ndërkaq niveli i lartë i azotit ka tashme vlera të konsiderueshme në shumicën e pikave të Tiranës, ku janë kryer matjen. Studimi i monitorimit të ajrit tregon se zonat më problematike janë "21 Dhjetori" si dhe "Zogu i Zi", ku grimcat e shkarkuara në mjedis dhe çlirimi i gazrave nga makinat kapin shifra disa herë më të larta se standardet e lejuara. Edhe pse prej kohësh flitet për ndryshime të cilësisë së ajrit, shifrat as që i afrohen standardeve të parashikuara nga Evropa, madje janë të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve që thithin çdo ditë smogun e Tiranës.


(d.b/GSH/BalkanWeb)
Avatari i antarit
Edvin
Site Admin
 
Postime: 640
Antarësuar: 22 Shtator 2009, 15:34
Vendodhja: Tiranë, Shqipëri

Ndotja e ajrit, vendi ynë më problematiku në Europë

Postonga Edvin » 16 Shkurt 2010, 16:27

Eglantina Bardhi | 16/02/2010 | Shekulli

Ndotja e ajrit mbi normat e lejuara po shkakton situatë alarmante mbi shëndetin e popullatës. Rezultatet e monitorimit të cilësisë së ajrit për vitin 2009-të në gjashtë qytete Shkodër, Durrës, Tiranë, Fier, Korçë dhe Vlorë konfirmojnë se nivelet e ndotjes së ajrit janë mjaft të larta. Monitorimi i ajrit është realizuar nga Instituti i Shëndetit Publik dhe specialistët theksojnë se ndotja e ajrit vazhdon të jetë 3 herë më e lartë se normat e lejuara nga BE.
Gazeta publikon raportin e fundit të ndotjes së ajrit dhe qytetet më të ndotura në vend, të cilat i kanë kaluar normat e rekomanduara nga BE-ja.

Monitorimi
"Krahasuar me normat e lejuara të vendeve të BE-së, ato janë përgjithësisht 2-3 herë me të larta. Këto vlera vazhdojnë të jenë ndër më të lartat në shifra absolute në krejt vendet e BE-së, duke na klasifikuar pa ndonjë ndryshim sinjifikativ në zonën e rrezikut shëndetësor", - pohojnë specialistët e ISHP-së. Në bazë të monitorimit, qyteti më i ndotur në vend vazhdon të jetë Tirana, pasi normat e ndotjes janë afërsisht 3 herë më të larta se të BE-së.
"Tirana me ndotjen nga LNP (grimca totale) rezulton me një mesatare 323, ndërkohë që normat e BE-së janë 80, ndërsa ndotja nga PM 10 (grimcat e respirueshme) janë 148, ndërsa normat e lejuara nga BE- janë 148.

Ndërkohë, Tirana është i vetmi qytet që i ka kaluar normat e BE-së edhe sa i takon ndotjes nga NO2, pasi ka arritur në 52 nga 40 që janë në normat e BE-së", - pohojnë specialistët, duke shtuar se pas Tiranës qyteti më i ndotur është Durrësi i pasur nga Shkodra Fieri dhe Korça.

Ndotësit
Problematike për ndotjen e ajrit, sipas specialistëve të ISHP-së, mbetet sidomos grimcat e ngurta. "Ato kapërcejnë dukshëm nivelin më të lartë të kufirit të përcaktuar prej Udhëzimeve mbi Cilësinë e Ajrit të OBSH për PM 10 (grimcat e respirueshme) dhe LNP (grimca totale) si edhe standardet e cilësisë së ajrit të përdorur në vendet e Bashkimit Europian lidhur me këta indekse", shpjegojnë specialistët e ISHP-së. Ndërkohë, ata pohojë se përbërësit e tjerë të ajrit të monitoruar gjatë vitit 2009-të në të njëjtat pika janë përgjithësisht brenda normave të lejuara respektive.
Vetëm përmbajtja e dyoksidit të azotit NO2 po rritet gradualisht, gjë që shpreh ndikimin vendimtar të shkarkimeve të automjeteve në rritjen e përmbajtjes së tij në ajër. "Me këto ritme rritjeje brenda pak vitesh edhe ky gaz toksik do të kapërcejë normat e BE-së në ajrin urban të qyteteve kryesorë të ne", pohojnë specialistët e ISHP-së, duke shtuar se në Tiranë vlera e tij mesatare tashmë kapërcen normën e BE-së. E njëjta gjë vërehet edhe për përmbajtjen e benzenit C6H6 në ajër, që është një ndotës me veti të njohura kancerogjene.
Sipas studimeve të ISHP-së, mendohet se jetët e shqiptarëve shkurtohen me rreth 2 vjet dhe sjell rreth 1400 raste të reja me kancer
Pasojat e ndotjes, kancere dhe vdekshmëri e lartë
Ndotja e ajrit e ajrit po sjell situatë alarmante në efektet negative që po sjell mbi shëndetin e popullatës. Madje, specialistët e shëndetit publik shpjegojnë se vendi ynë është klasifikuar në zonën e rrezikut shëndetësor. Kancere dhe rritje të vdekshmërisë, këto janë pasojat kryesore që sjellë ndotja e ajrit. Ndërkohë, specialistët shpjegojnë edhe shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit.
"Kjo ndotje pakëson jetëgjatësinë e banorëve, rrit vdekshmërinë për efekt të sëmundjeve kardiovaskulare, kontribuon për avancimin dhe keqësimin e sëmundjeve kardiovaskulare e respiratore, dhe gravizon frekuencën e ashpërsinë e simptomave astmatike e të sëmundjeve akute respiratore të fëmijëve", - pohojnë specialistët e ISHP-së.

Pasojat
Ndotja e ajrit në vendin tonë është mbi normat e lejuara nga BE-së dhe kjo po shkakton pasoja të parikuperueshme mbi shëndetin e si pasojë po ulet jetëgjatësia e njerëzve.
"Ekspertët që kanë kryer hulumtimin për ndotjen e ajrit në Tiranë, paralajmërojnë se nëse nuk merren masa urgjente, humbja e pritshme e jetëgjatësisë në kryeqytet do të jetë 1- 2 vjet për çdo banor", - theksojnë specialistë të ISHP-së, duke shpjeguar se pasojat negative që shkakton ndotja e ajrit nuk mbarojnë këtu, pasi bëhet fjalë edhe për qindra jetë njerëzish që humbasin çdo vit. Kështu, sipas studimit të fundit të Institutit të Shëndetit Publik tregon se, në vendin tonë mendohet të ketë rreth 1400 raste të reja me kancer që shfaqen çdo vit, dhe kjo për shkak të ndotjes së ambientit.
Kanceret, sipas tyre, janë të llojeve të ndryshme, sidomos ai i mushkërive, lëkurës dhe shumë sëmundje të tjera. "Këto të dhëna, të kryera nga Instituti i Shëndetit Publik, konsiderohen mjaft alarmante dhe nevojitet menjëherë të ndërhyrjet për përmirësimin e situatës", pohojnë specialistët, duke shtuar se plan veprimi për cilësinë e ajrit, do të ketë vëmendjen e duhur në terma ligjorë institucionalë, programorë dhe financiarë.

Shkaktarët
Shkaktarët e ndotjes së ajrit janë të shumtë, por specialistët rendisin tre shkaktarët kryesorë, të cilat mbajnë edhe peshën kryesore të nivelit të ndotjes. "Automjetet e vjetruara dhe trafiku i makinave është një ndër shkaqet kryesore të ndotjes së ajrit", pohojnë specialistët, duke shpjeguar se kjo lidhet edhe me rrugët e prishura.
Ndërkohë, sipas specialistëve, faktor tjetër i ndotjes janë edhe ndërtimet, të cilat nuk zbatojnë kriteret për të evituar ndotjen apo djegia e mbeturinave vend e pa vend.

Rezultatet mesatare,viti 2009
LNP PM 10 O3 SO2 NO2 Pb
Shkodra 230 112 68 15 24 0,25
Durrësi 250 121 72 18 28 0,27
Tirana* 323 148 90 21 52 0,4
Fieri 225 110 74 33 27 0,25
Korça 221 93 75 12 31 0.24
Vlora 212 87 91 9 31 0.27


Norma BE 80 50 110 50 40 0,5

*************

Sipas drejtorit të Shëndetit Publik në Ministri, Bejtja, ndryshimet klimaterike sjellin efekte negative mbi shëndetin

Bejtja: Vendi ynë i rrezikuar edhe nga ndryshimet klimaterike

Ndryshimet klimaterike do të thotë të ketë më shumë valë të nxehti, pra verë të nxehtë dhe në zona të caktuara, sidomos në vendet mesdhetare nga ku nuk bën përjashtim as vendi ynë. Specialistët e shëndetit publik pohojnë se dhe vendi ynë tashmë do përballet edhe me efekte negative të ngrohjes globale. Drejtori i Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazment Bejtja, shpjegon efektet negative mbi shëndetin që sjell ngrohja globale.
"Fenomenet negative, të cilat godasin direkt personat që kanë më shumë sëmundje kardiovaskulare apo të qarkullimit të gjakut", pohon Bejtja, duke shtuar se efekte të tjera negative është edhe elementi ndikimit në prishje të infrastrukturës, prishjes apo rrjedhës së ujërave të zeza, të bardha, pasi mund të kenë përzierje të tyre dhe krijojnë rrezik për epidemi dhe ky rrezik ishte edhe për përmbytjet në Shkodër.
Sipas tij, çështja e klimës dhe efekti i ndryshimeve klimaterike në shëndet është një nga problemet kryesore të shumë vendeve dhe praktikisht është e provuar, tashmë, nga një plan ndërkombëtar që ndryshimet klimaterike janë evidente.
"Ne si shëndet publik na takon të marrim sa më shumë masa me politika dhe strategji për të zbutur efektet e ndryshimeve klimaterike në shëndet dhe për të ndaluar efektet e dëmshme", pohon Bejtja, duke shpjeguar se edhe përmbytja që ndodhi në Shkodër në një masë të caktuar i atribuohet ndryshimeve klimaterike aq më tepër që shfaqet në ekstreme.
Sipas tij, tashmë është vënë re në dekada një ngitje e temperaturës, por në fund të fundit ngritja e temperaturës shoqërohet në luhatje vjetore të shprehura me fenomene natyrore, si përmbytje, thatësira uragan, shira etj. Të gjitha këto shoqërohen me ndikime të tjera negative në faunë, florë, në pyje dhe eurozione të tokës, të cilat shfaqin ndikime negative mbi shëndetin.
Ndërkohë, ai shpjegoi se aktualisht po realizohet një projekt në vendin tonë për ndryshimet klimaterike, i cili mbështetet nga Ministria e Shëndetësisë në Gjermani me koordinimin e OBSH-së.
Sipas tij, projekti konsiston në evidentimin e rreziqeve më të mëdha që janë hasur në Shqipëri sa i takon ndryshimeve klimaterike dhe më pas se çfarë masash duhet të marrim që të jemi të përgatitur për këto ndryshime. "Shqipëria është shumë e prekur nga valët e të nxehtit ndaj dhe ne jemi të preokupuar që të dalim me rekomandime", pohon Bejtja.

Djegiet plastike, burim sëmundjesh
Mbeturinat plastike duan mijëra vjet të dekompozohen, ndërsa djegia e tyre sjell sëmundje kancerogjene brenda pak vitesh. Kështu shprehen ambientalistët për problemin e mbetjeve plastike, të cilët rekomandojnë se zgjidhje më e mirë është riciklimi i tyre. Sipas specialistëve, djegia e mbetjeve plastike po kërcënon çdo ditë e më shumë njerëzit.
Ky fenomen vihet re sidomos në qytet e mëdha si Tirana, Durrësi dhe Fieri. "Djegia e mbetjeve plastike çliron në ambient gazra helmuese, të cilat sjellin sëmundje të rënda. Në fakt, kemi të bëjmë me një problem shumë të madh sa i takon trajtimit të mbetjeve plastike.
Njerëzit nuk e dinë se ato janë shumë të rrezikshme, sidomos kur digjen, pasi kjo ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e tyre", - theksojnë specialistët. Ndërkohë, pikërisht për problemin e mbetjeve plastike UNICEF po realizon program në disa shkolla të vendit për sensibilizimin për ndotjen plastike.

OBSH: Të maten më shumë element ndotës të ajrit
Ndotja e ajrit është problem për vendin tonë, ndaj kërkohet cilësi më e madhe në monitorimin e ajrit. Sipas nëndrejtorit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Shqipërinë, Vasil Miho, matjes së ndotjes së ajrit duhet t'i shtohet edhe ozoni, benzeni dhe indikatorë të tjerë, pasi kjo do të sillte monitorim më cilësor.
Madje, ai pohon se ambientalistët kanë hedhur idenë që rezultatet e matjes së ajrit të bëhen transparente për gjithë publikun dhe të ekspozohen çdo ditë në një vend të dukshëm.
"Është hedhur ideja se në një vend të dukshëm të kryeqytetit të jepen të gjitha të dhënat për ndotjen e ajrit, çdo ditë si të ishte parashikimi i motit", pohon Miho. Sipas tij, për të pasur një monitorim sa më cilësor për ndotjen e ajrit, tashmë OBSH-ja me mbështetjen e Qeverisë Gjermane do të realizojnë blerjen e dy aparaturave moderne për matjen e ajrit.

PM 10 gjatë pesë viteve të fundit në ajrin urban në Shqipëri

µg / m3 Viti 2005 Viti 2006 Viti 2007 Viti 2008 Viti 2009
Shkodra 107 100 101 108 112
Durrësi 91 93 100 116 121
Fieri 93 106 102 112 110
Tirana* 172 163 159 173 148
Korça 63 82 91 92 93
Vlora 72 86 89 86 87
Mesatare 100 105 107 114 112

Norma BE 50 50 50 40 40

*Mesatare
e 4 pikave
Avatari i antarit
Edvin
Site Admin
 
Postime: 640
Antarësuar: 22 Shtator 2009, 15:34
Vendodhja: Tiranë, Shqipëri

Re: Cilesia e ajrit ne Tirane

Postonga Edvin » 31 Mars 2010, 17:07

Ja dhe shenjat e para te ndotjes si pasoje e tymit te fabrikes se cimentos ne Fushe Kruje. Nje rast shume i ngjashem me Fushe Krujen eshte edhe Elbasani, ku u deshen vetem pak vjet qe deformimet gjenetike te fillonin pas hapjes se Metalurgjikut aty.

Imazh
Imazh
Burimi: balkanweb
Avatari i antarit
Edvin
Site Admin
 
Postime: 640
Antarësuar: 22 Shtator 2009, 15:34
Vendodhja: Tiranë, Shqipëri

Të fitosh miliona prej… makinave e mushkërive tona!!!

Postonga Edvin » 28 Prill 2010, 15:46

Të fitosh miliona prej… makinave e mushkërive tona!!!
27/04/2010
Shpëtim Luku

Gazeta Shqip

Kur ministri i ri i Ekonomisë, Dritan Prifti, shkoi të prezantonte drejtorin e ri të Inspektoratit Qendror Teknik një lumë vërejtjesh vërshuan nga goja e tij për punën e dobët të këtij inspektorati. Dhe për ta konkretizuar në mënyrën më të thjeshtë të mundshme, ministri përdori vuajtjen e tij prej konsumatori. "Kam blerë një makinë të re dhe jam i detyruar të shkoj gjithnjë e më tepër në servis dhe e gjitha kjo vetëm prej cilësisë së dobët të karburantit", tha pak a shumë Prifti. Mirëpo, situata duket se nuk ka ndryshuar aspak në veprimtarinë e IQT me emërimin e drejtorit të ri, pasi ankesat si ajo që ministri përdori për të argumentuar domosdoshmërinë e ndryshimit të drejtuesve janë shtuar së tepërmi. Çdo ditë në koncensionaret e makinave të reja ka ankesa dhe reklamime nga klientë të ndryshëm për mënyrën e funksionimit të makinës. Dhe të gjitha diagnostifikimet e realizuara qoftë këtu në Shqipëri e qoftë në fabrikat "mëmë" nga vijnë makinat nxjerrin vetëm një fajtor: karburantin jashtë çdo standardi. Kemi të bëjmë pra me një dukuri të paperceptueshme në kushte e një shteti normal: nga njëra anë makinat e reja përfaqësojnë teknologji gjithnjë e më të avancuara, nga ana tjetër cilësia e karburantit në Shqipëri i bën ato të "papërshtatshme" për t’u përdorur këtu. Nëse do të pyesësh në IQT, sigurisht do të thonë se karburanti që hyn në Shqipëri është i një cilësie shumë të lartë dhe i garantuar. Kështu thoshte edhe drejtuesi paraardhës, kështu thonë edhe fletët e analizave që kompanitë importuese paraqesin në doganë. Mirëpo, ky pretendim bie ndesh me verifikimin fizik dhe shqisor që bëjnë çdo ditë konsumatorët e këtij produkti, pra me atë që quhet perceptim i klientit mbi cilësinë e produktit. Ankesat dhe reklamimet nëpër subjektet e tregtimit të makinave të reja janë njëri argument që e provon këtë. Por edhe logjika të ndihmon t’i japësh të drejtë pikërisht klientëve në konkluzionin e tyre. Tregu i pakicës së karburanteve është konfiguruar në një mënyrë të tillë ku të paktën, 800 distributorë përfaqësojnë investime të "tepërta", pa asnjë logjikë ekonomike. Konkretisht, Shqipëria numëron rreth 1200 distributorë të tregtimit me pakicë të karburanteve, ndërkohë që me një mirëvendosje të tyre, nevoja është vetëm për rreth 400. Nëse pyet biznesmenët që merren me tregtimin e karburanteve, qoftë me shumicë e qoftë me pakicë, të gjithë të ankohen për keqfunksionim të tregut. Dhe jo vetëm ankohen, por kanë koincidenca mes tyre edhe për mënyrën se si e parashtrojnë situatën problematike që karakterizon tregun ku operojnë, për normat tepër të ulëta të fitimit, për konkurrencën tejet të ashpër etj., etj. Atëherë si mund të mbijetojnë qindra subjekte të tregtimit me pakicë të karburanteve, ndërkohë që sa i takon logjikës ekonomike ato përfaqësojnë investime të gabuara, të keqorientuara, pse jo edhe të dështuara. Përgjigjja është lehtësisht e kuptueshme. Mbijetesa sigurohet nëpërmjet manovrave mashtruese në kurriz të konsumatorit shqiptar. Të atyre manovrave që përkeqësojnë cilësinë e karburantit, që vjedhin konsumatorin nga ana sasiore e të tjera mënyra si këto. Tregtimi i karburanteve pa cilësi e standard, është shoqëruar, ndërkohë edhe me një sërë procesesh të tjera negative, përveç shëndetit të dëmtuar të popullsisë. Duke gëzuar dyshimin e përhershëm të konsumatorëve vetë këta të fundit janë orientuar drejt makinave me një moshë mbi 10-vjeçare, manovër kjo e diktuar nga logjika: shpenzo sa më pak për një makinë, kur nuk di se çfarë karburanti i hedh. Kjo ka sjellë faktin e padëshirueshëm që pjesa më e madhe e inventarit të automjeteve në Shqipëri të dominohet nga kjo grupmoshë. Edhe politikat reformuese në sektorin e tregtimit të makinave kanë qenë të kushtëzuara, pikërisht nga cilësia e dyshuar e karburantit. Pra, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, tregtarët e makinave në përgjithësi, e atyre të reja në veçanti, përbëjnë grupin e dytë të njerëzve që ndihen të viktimizuar nga cilësia e dobët e karburanteve. Pasi kjo do të bëjë të mundur edhe realizimin e reformave në këtë sektor. Standardizimi i cilësisë së karburanteve me normativat e BE-së do të shoqërohet së shpejti edhe me adoptimin e politikave të tilla të ndjekura në BE në tregun e makinave sikurse është p.sh vendosja e standardit euro 4 apo euro 5. E si mund të kryhet ky hap, kur në Shqipëri tregtohet kryesisht diezel i përshtatshëm për traktorë e peshkarexha, për kaldaja e kamionë? Si mund të ndërmerreshin hapa të tillë, kur eurodiezeli, që konsiderohet si naftë cilësore zë vetëm 10-15% të tregut? Kjo është edhe arsyeja pse konsumatori nga ballafaqimi i tij i përditshëm me këta spekulantë është i bindur që po ble mashtrimin, por është i pafuqishëm për të reaguar. Pasi evidentimi i tregtarit të ndershëm dhe ndëshkimi i mashtruesit është një detyrë shumë e vështirë kur i ndershmi është minorancë dhe mashtruesi dominues. Një detyrë e tillë ligjore i takon Inspektoratit Qendror Teknik, mirëpo sa kohë kjo detyrë nuk do realizohet ajo përbën leje që tregtarët karburanteve të fitojnë miliona në dëm të makinave dhe mushkërive tona.
Avatari i antarit
Edvin
Site Admin
 
Postime: 640
Antarësuar: 22 Shtator 2009, 15:34
Vendodhja: Tiranë, Shqipëri

Re: Cilesia e ajrit ne Tirane

Postonga Edvin » 28 Maj 2010, 15:22

Tirana e ndotur mbi normalen, shkaqet te papercaktuara
Gazeta Shqip

Ndotja e ajrit ne kryeqytet nga grimcat e pluhurit rezulton dy deri tri here me e larte se parametrat e Bashkimit Europian.
Eksperti i OBSH-se per ajrin ne Tirane tregon se edhe me aparaturat e reja te sapo instaluara ne dy pika kryesore, Tirana ka ndotje shume me teper se parametrat e lejuara.
Niveli i ndotjes se ajrit ne Tirane tejkalon me 20-30% limitet e percaktuara nga vendet e Bashkimit Europian. Nga monitorimi i arritur nepermjet aparaturave te posacme prane ISHP-se dhe poliklinikes qendrore ne kryeqytet, rezulton se ndotja vjen kryesisht nga djegiet e ndryshme, te cilat shkaktojne edhe nje sere semundjesh dhe ne uljen e jetegjatesise se kryeqytetasve.
OBSH-ja me fonde te qeverise gjermane ka mundesuar vendosjen e dy aparaturave te sofistikuara per monitorimin e ajrit. Ne inaugurimin e laboratorit te aparateve monitoruese te nivelit te ndotjes ne kryeqytet ishin te pranishem edhe ambasadori i Gjermanise Borchard dhe ministri i Shendetesise, Petrit Vasili.
“Rezultatet e deritanishme tregojne 20% deri ne 30% me shume se limitet e BE-se. Megjithate kerkohet nje monitorim me i zgjatur ne kohe, ne menyre qe te percaktojme burimet e kesaj ndotjeje dhe tendencat se si shkon kjo ndotje. Ndotesit me problematike jane grimcat e vogla ne ajer, te cilat shkaktohen nga djegiet e ndryshme dhe pluhuri. Si Organizate Boterore e Shendetesise jemi te shqetesuar per keto grimca, te cilat ndikojne ne rendimin e semundjeve te zemres, qarkullimin e gjakut dhe uljen e jetegjatesise se njerezve”, u shpreh eksperti i OBSH-se per ajrin, doktor Michal Krzyzanowski.
Ambasadori gjerman i pranishem ne ceremonine e perurimit te aparatures u shpreh se si qellim eshte ndihma e Shqiperise ne rritjen e standardeve te saja ne kete fushe, qe te behet nje vend anetare e BE-se.
Avatari i antarit
Edvin
Site Admin
 
Postime: 640
Antarësuar: 22 Shtator 2009, 15:34
Vendodhja: Tiranë, Shqipëri

Re: Cilesia e ajrit ne Tirane

Postonga Edvin » 01 Qershor 2010, 01:19

Problematika te ajrit urban ne Shqiperi – Si te kontribuojme per te thithur ajer te shendetshem
Endri Haxhiraj, Asistent i Fushates Kombetare Mjedisore “Vepro Tani” per ceshtjen e Ajrit

Ne 25 Maj, ne kuader te Fushates Kombetare Mjedisore “Vepro Tani” per ceshtjen e Ajrit u organizua tryeza e rrumbullaket me fokus ajrin urban. Kjo tryeze u organizua me mbeshtetjen e organizates Milieukontakt International, zyra lokale ne Tirane.
Ne fjalen hapese Znj. Valbona Mazreku dha nje prezantim te organizates Milieukontakt International, punes qe po ben kjo organizate lidhur me Fushaten Kombetare per Ndryshim ne Mjedis dhe perkatesisht mbi 4 fushatat qe po ndermerren mbi Ajrin, Ujin, Mbetjet dhe Pjesmarrjen Publike.
Ne vijim Znj. Edlira Mulla, menaxhere e Fushates se Ajrit, beri nje prezantim me te detajuar mbi veprimtarite e kryera ne kuadrin e Fushates Kombetare te Ajrit. Nder tjera ajo permendi shperndarjen e fletevolanteve ndergjegjesues me tematika “Ndotja e ajrit nga industria”, “Ndotja e ajrit nga trafiku rrugor”, “Ndotja e ajrit nga djegia e mbeturinave” dhe “Indiferenca publike ndaj ndotesve te ajrit”; prezantimin e fushates ne median elektronike dhe ate te shkruar, takimin me pale te interesuara ne fushen e ndotesve te ajrit, futjen e kapitullit te “menaxhimit te cilesise se ajrit urban” ne kurrikulen e studimeve Master [DND] ne deget Gjeomjedis dhe Inxhinieri Gjeologjike dhe po ashtu prezantoi edhe stikerin me mesazh nxites qe do te perdoret ne automjetet e transportit publik.

Tryeza vazhdoi me disa prezantime te cilat ishin: “Rezultatet e monitorimit te ajrit ne vitin 2009 dhe tendencat disa vjecare te ndotesve te ajrit ne Tirane” nga perfaqsues te ISHP-se; “Situata lidhur me mjetet Rrugore” nga perfaqsues te DPSHTRR-se dhe “Ndikimi ne Shendet i Ndotesve te Ajrit” nga perfaqesues te ISHP-se. Prezantimet dhane nje pasqyre te qarte te situates lidhur me ndotesit e ajrit ne te gjitha qytetet shqiptare, ku problematike vazhdojne te mbeten Lenda e Ngurte ne Pezulli (LNP) dhe Lenda e Ngurte 10 mikroneshe (PM10) te cilat kane qene mbi normat e BE-se dhe mbi normat shqiptare gjate gjithe dekades se fundit. Ajo qe vihet re eshte nje tendence ne rritje e perqendrimit te ndotesve te tjere si SO2, NO2 etj. Madje perqendrimi mesatar i NO2 per vitin 2009 ka rezultuar mbi normen shqiptare ne tre stacione monitorimi ne Tirane. Ne prezantim u tha se NO2 ne ajer eshte direkt i lidhur me numrin gjithnje ne rritje te automjeteve, te cilat ne vendin tone shtohen me afro 22 mije ne vit. Tirana dhe Durresi rezultojne qytetet me te ndotura pasi ketu eshte regjistruar edhe gjysma e automjeteve te vendit tone, pa permendur edhe automjetet e rretheve te tjera qe kalojne neper keto qytete. Pervec vjetersise se automjeteve dhe gjendjes se tyre teknike, ne ndotesit qe clirohen ne ajer dihet se ndikon edhe cilesia e karburantit qe perdorin. Nga afro 400 mije mjete rrugore ne vendin tone, rreth 82 % e tyre perdorin nafte, megjithese ne vitet e fundit ne blerjet e makinave te reja po vihet re nje tendence rritjeje e numrit te makinave me benzine. Te gjithe ndotesit e ajrit kane pasoja ne shendetin e njerezve. Sipas specialisteve te ISHP-se, po te ekstrapolohen vleresimet qe behen per uljen e jetegjatesise se njerezve per shkak te niveleve te larta te ndotesve te ajrit, kjo shifer do te ishte 1.5-2 vite jete me pak per cdo banor te Tiranes.
Ajo qe ndoqi prezantimet ishte shtrimi per diskutim i nje sere pyetjesh, kryesisht ne lidhje me numrin e madh te automjeteve, per qendren teknike te kontrollit te automjeteve, per sistemin e ri te taksimit te automjeteve, monitorimin e ndotjes se ajrit dhe probleme te tjera. Ne diskutime u vleresua se qendra e kontrollit teknik te automjeteve ka rol te rendesishem ne permiresimin e cilesise se ajrit urban, megjithe sfidat qe ka ky sektor aktualisht dhe te ardhmen premtuese qe pritet pas dhenies me koncesion.
Lidhur me sistemin e ri te taksimit, nga autoritet shihet si nje hap pozitiv lidhur me uljen e interesit te qytetareve per te blere dhe perdorur makina te vjetra, qe jane pjeserisht shkaktare te ndotjes se ajrit. Ky sistem i taksave, nga ana tjeter do te ndikoje edhe tek vete pronaret e automjeteve qe do ta vleresojne me shume impaktin e mjeteve te tyre ne mjedis.
Cilesia e karburanteve ishte nje tjeter pike e rendesishme, ku u diskutua se duhet punuar me shume nga qeveria, nga kompanite prodhuese dhe ato importuese te lendeve fosile per te pasur realisht standardet Europiane te cilesise se tyre ne tregun tone te hidrokarbureve.
Te kombinuara, keto probleme shpesh here sjellin edhe konfuzion ne perllogaritjen e ndotjes reale nga automjetet: a ndikon me shume mosha e automjeteve, cilesia e karburanteve, apo mirembajtja e automjeteve? Per kete arsye u theksua rendesia qe ka kontrolli rigoroz i mjeteve nga ana e kompanise koncesionare SGS.
Ne kuader te Menaxhimit te cilesise se ajrit u theksua rendesia e informimit te publikut mbi kete ceshtje. Shume te rendesishme jane edhe punimi me mjete efikase per monitorimin e ndotesve te ajrit.

Pjesa e dyte e diskutimeve u fokusua te pyetja “Si te kontribuojme per te thithur ajer te shendetshem”.
Rekomandimet qe dolen nga ky diskutim per autoritetet kompetente ishin:
- Te krijohet mundesia e lejimit te kalimit te taksive ne hapesirat e rezervuara te qarkullimit urban, te shfrytezuara aktualisht vetem nga autobuzet. Shume qytetare do te perdornin taksite e jo makinat e tyre private per te shkuar ne pune, ndoshta te grupuar si 4-she kolegesh, duke eliminuar keshtu 4 makina private ne rruge.
- Ne kurrikulat universitare mund te nxitim futjen e lendeve per mjedisin. Te kembengulim te bejme tema studimore reale. Universiteti mund te bashkepunoje me ISHP-ne dhe te kryejne kerkime shkencore me grupe pune te perbashketa qe lidhin ndikimin e ndotesve te ajrit ne shendetin e njerezve.
- Te investohet drejt kompjuterizimit ne institucionet spitalore lidhur me rregjistrimin e pacienteve dhe per pasoje krijimin e mundesive te studimeve te ndikimit ne shendet te ndotesve te ajrit dhe per te bere edhe korrelacione te sakta mes niveleve reale te ndotesve te ajrit dhe ndikimit real te tyre ne shendet.
- Nevojitet te kete me shume pika monitorimi te ndotesve te ajrit per te pasur nje pasqyre te sakte te perqendrimeve te ndotesve ne ajer.
- Pjesemarresit ishin te mendimit se puna e te gjithe institucioneve shteterore lidhur me mjedisin duhet fokusuar tek legjislacioni dhe forcimi i zbatimit te tij.

Disa sugjerime qe dolen nga Tryeza jane:
- Qytetaret duhet te ndergjegjsohen per te pergjedhur me kujdes automjetet qe duan te blejne lidhur me moshen e tyre dhe gjendjen teknike.
- Duhet punuar me shume per ndergjegjesimin e qytetareve qe te perdorin karburante te cilesise Europiane dhe per t’i kryer sherbimet e duhura te mirembajtjes makinave te tyre.
- Nevojitet me shume pune ndergjegjesuese nga secili prej aktoreve: autoritetet ne te gjitha nivelet, institucionet shkencore dhe shoqeria civile.
- Nevojitet te behet edhe sensibilizimi i medias lidhur me ceshtjet mjedisore ne pergjithesi dhe per ajrin ne vecanti, pasi media eshte nje mjet efikas per komunikimin ne pjesen me te madhe te popullsise.

Shpresojme se Tryeza e Rrumbullaket solli sadopak ne vemendjen e vendimmarresve dhe te qytetareve ceshtjen e cilesise se ajrit.
Avatari i antarit
Edvin
Site Admin
 
Postime: 640
Antarësuar: 22 Shtator 2009, 15:34
Vendodhja: Tiranë, Shqipëri

Re: Cilesia e ajrit ne Tirane

Postonga Edvin » 28 Qershor 2010, 12:57

Tiranë, grimcat e pluhurit janë 4-fishuar
Tiranë, grimcat e pluhurit janë 4-fishuarTIRANE-Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik deklarojnë se ndotësit e ajrit në Tiranë, jo vetëm që i kanë kaluar normat e lejuara të vendosura nga BE-ja dhe OBSH-ja, por ato janë disa herë më të larta. "Një nga ndotësit më problematikë mbeten grimcat e pluhurit, norma e të cilave është katërfishuar". Kështu shprehet specialisti i ISHP-së për monitorimin e ajrit, Agron Deliu. Ai thotë se shkaku i rritjes së normës së grimcave janë gjendja jo e mirë e rrugëve në Tiranë. Por, ndotjen e ajrit në Tiranë e pranojnë dhe drejtuesit e Ministrisë së Mjedisit. Zv/ministri Taulant Bino deklaron se ndotja e ajrit në Tiranë është tepër e lartë, duke e renditur këtë të fundit si kryeqytetin më të ndotur në Europë. Kjo sipas Binos, vjen si pasojë e mungesës së hapësirave të gjelbra, të cilat nuk janë sa duhet, por edhe rrugëve si pasojë e punimeve, për të cilat Bashkia e Tiranës nuk plotëson parametrat mjedisore.

"Dioksidi i azotit është gati pranë normave të BE-së, ndërsa grimcat e imëta e të ashpra janë katër herë mbi normë në pikën e qendrës siç e patë aty. Ndërsa për grimcat fine mund të themi se janë dy herë mbi normë. Përmbajtja më e lartë e grimcave PM10 në qendrën e Tiranës tregon që rrugët nuk janë të mira. Të gjitha këto të kombinuara me një trafik të çrregullt përfundojnë në mushkëritë e qytetarëve të Tiranës", - thotë Agron Deliu, specialist i ISHP-së.

Për herë të parë në vendin tonë, prej një muaji specialistët e ISHP-së po bëjnë matje nëpërmjet dy pikave, në qendër të Tiranës dhe pranë ISHP-së me aparatura bashkëkohore, një projekt i financuar ky nga qeveria gjermane. Monitorimet tashmë për cilësinë e ajrit i kalojnë dhe OBSH-së.

(d.bGSH/BalkanWeb)
Imazh
Avatari i antarit
Edvin
Site Admin
 
Postime: 640
Antarësuar: 22 Shtator 2009, 15:34
Vendodhja: Tiranë, Shqipëri

Re: Cilesia e ajrit ne Tirane

Postonga DNP » 26 Gusht 2010, 19:05

Ndotja e ajrit shkurton 2 vjet jeten e qytetareve | Zirina Llambro | gazeta Panorama

Tirana eshte sot nder qytetet me te ndotura ne Evrope. Ndertimet pa kriter ne vitet e fundit, mungesa e strategjive dhe planeve konkrete per te ruajtur mjedisin, si dhe shkelja e ligjit nga Bashkia e Tiranes ne anashkalimin e lejeve mjedisore, kane bere qe kryeqytetasit te thithin cdo dite ajer 3 here me te ndotur se normat e lejuara.
Kjo ka qene situata perpara nisjes se punimeve ne sheshin "Skenderbej". Deri ne perfundimin e tyre pritet qe ndotja jo vetem e ajrit, por edhe ajo akustike(zhurmat) do te jete mesatarisht 20%-40% me e larte, kjo si pasoje e procesit te nderhyrjes mbi shesh. Specialistet e shendetesise ngrene alarmin se shendeti i qytetareve eshte ne rrezik. "Humbja e pritshme e jetegjatesise se banoreve Tiranes per shkak te ndotjes se ajrit, do te kapercente 1.5-2 vjet", - thote zv/ministri i Shendetesise, Bardh Spahia, duke iu referuar vleresimit te ekspertizes se OBSH (Air Quality in Tirana) dhe studimeve te fundit te ISHP. E thene ndryshe, banoreve e Tiranes iu eshte ulur jetegjatesia 1.5 deri 2 vjet, per shkak te kesaj ndotjeje. Duke leshuar akuza konkrete mbi Bashkine e Tiranes, e cila ka lejuar ndertimet pa kriter, ka tkurrur hapesirat e gjelbra duke i zevendesuar me masat e betonit, nuk ka zbatuar asnje plan konkret per ruajtjen e mjedisit, nuk ka asnje plan per zgjidhjen e trafikut dhe mban pezull investime te rendesishme si Unaza e Madhe e Tiranes, nderkohe qe po ve ne pikepyetje te vetmen mushkeri qe ka kryeqyteti, Parkun e Liqenit Artificial. Zv/ministri, Bardh Spahia, ben apel per ndergjegjesimin e qytetareve te Tiranes per me shume pergjegjesi ne zgjedhjen e personave qe kane ne dore fatin e tyre dhe te femijeve.
Zoti Spahia, ne raportin e fundit te Institutit te Shendetit Publik (ISHP) thuhet se ndotja e ajrit ne qender te Tiranes qe perpara nisjes se punimeve per rikonstruksionin e sheshit ka qene 3 here me e larte se normat e OBSH-se. Sipas mendimit tuaj, jo vetem si zv. minister i Shendetesise, por edhe si mjek, sa e kercenon kjo situate shendetin e qytetareve?
Eshte e vertete qe ndotja e ajrit nga monitorimet qe kane bere ekspertet ne 5 vitet e fundit eshte 3 here me e larte se norma. Por me nisjen e punimeve ne qender, te cilat jane ne kundershtim me ligjin "Per mbrojtjen e mjedisit", pasi investitori akoma nuk eshte i pajisur me leje mjedisore, ndotja parashikohet te ritet me shume, deri ne 40 per qind, cka e ben situaten alarmante. Permbajtja ne ajer e grimcave me diameter me te vogel se 10 mikron PM 10 eshte sot ne nivele te frikshme dhe pergjegjesia direkte bie mbi Bashkine e Tiranes, e cila pjesen me te madhe te lejeve te ndertimit e ka dhene duke anashkaluar ligjin. Keto permbajtje te rritura tej normave te lejuara te PM 10 ne ajrin urban shkaktojne ndryshime akute e kronike te funksionimit te mushkerive si dhe nje incidence te larte te infeksioneve te rrugeve te frymemarrjes. Nese vleresimet e bera ne pjese te tjera te Evropes do te pershtaten me Tiranen, humbja e pritshme e jetegjatesise se popullates ne kryeqytet per shkak te ndotjes se ajrit, do te kapercente 1.5-2 vjet jete per cdo banor. Do t'iu beja une juve nje pyetje, cili qytetar i Tiranes eshte i gatshem t'i fale 2 vjet jete papergjeshmerise qe vjen si pasoje e korrupsionit te Bashkise se Tiranes?
Ju thoni se ka pasur papergjegjshmeri per qindra ndertime te bera vitet e fundit, e po ashtu edhe me nisjen e punimeve ne rikonstruksionin e sheshit "Skenderbej". Ku bazoheni per kete akuze?
Kete nuk e them vetem une, po eshte nje vleresim i eksperteve profesioniste qe shqyrtojne impaktin mjedisor te cdo ndertimi. Pajisja me leje mjedisore eshte nje kusht qe duhet zbatuar nga te gjithe subjektet investuese. Ne rastin e punimeve ne qender, firma ndertuese ka neglizhuar aspektin ligjor mjedisor per t'u pajisur me leje mjedisore, pa folur qe investime te ketyre permasave do te kerkonin jo vetem mendimin e specialisteve per impaktin mjedisor, dhe i eksperteve te Shendetit Publik per impaktin ne shendetin e popullates, por dhe nje konsensus me te gjere nga eksperte te fushave te ndryshme si dhe vete qytetare te Tiranes. Ne rastin konkret, sipas nenit 9 te ligjit "Per mbrojtjen e mjedisit" eshte detyrim qe impakti i ketyre punimeve dhe masat konkr-ete qe do te merren per te zbutur problemet te pasqyroheshin ne nje raport te thelluar per ndikimin ne mjedis. Por mesa duket, Bashkia e Tiranes nuk i jep rendesi aspak ketij problemi madhor dhe vazhdon ne menyre sistematike te shkele ligjin, ashtu sic ka bere gjithe keto vite me aferat e saj.
Cilat jane disa nga masat qe do te duhej te merreshin sipas jush per te minimizuar ndotjen ne kryeqytet , por edhe per te ndergjegjesuar popullaten per rrezikun qe i kercenon shendetin?
Kryeqytetasit sot vuajne pasojat e ndotjes akustike dhe ndotjes se ajrit, te cilat jane shkaktuar nga mungesa e strategjive konkrete te Bashkise se Tiranes, per t'u siguruar atyre nje mjedis me gjelberim, te paster dhe me infrastrukture normale. Sot Tirana eshte e betonizuar, pavaresisht reklames qe i behet mbjelljes se disa pemeve apo rikonstruksionit per te disaten here te nje rruge. Ndryshimi duhet te filloje nga qytetaret. Ata duhet te jene me te vemendshem ndaj asaj qe ndodh rreth tyre dhe te mos lejojne keto abuzime e afera, te cilat kane kosto direkte mbi cilesine e jetes se tyre. Por sakaq, ka ardhur koha qe Bashkia e Tiranes te kuptoje se nuk mundet me asnje qytetar te genjehet nga disa fasada te "lyera bukur", apo mbushja e ndonje grope te vogel, te cilat nuk mund te mbulojne humnerat e medha qe shkakton shkelja e ligjit dhe korrupsioni, pasi kushdo e sheh masakren urbane qe qe eshte bere ne kryeqytet.
Avatari i antarit
DNP
 
Postime: 264
Antarësuar: 28 Shkurt 2010, 05:14

Re: Cilesia e ajrit ne Tirane

Postonga DNP » 08 Shtator 2010, 18:31

Qendra e Tiranes, e ndotur ne nivele alarmante | Lorina Mixha | Gazeta Shqip

Nese qendra duket se eshte vendi me i mire per te pasur shtepine, per te shetitur, por edhe per t'u qetesuar, ky konsiderohet thjesht nje perceptim. Me mire do te ishte qe qytetaret e Tiranes te mendonin per te kaluar me shume kohe ne zonen periferike, madje edhe te banonin me shtepi jashte asaj qe quhet "vije e verdhe" e qytetit. Cdo vit, Instituti i Shendetit Publik dhe Ministria e Mjedisit kryejne matjet per nivelin e ndotjes se ajrit ne disa zona te Tiranes. Vitet e fundit, problemi i ndotjes ka ardhur drejt perkeqesimit dhe jo drejt permiresimit.
Keto jane perfundimet e statistikave te grumbulluara ne vite nga eksperte dhe analizat vjetore te monitorimit te ajrit. Kete vit Instituti i Shendetit Publik ka realizuar matjet e nivelit te ndotjes se ajrit ne kryeqytet, por me aparatura te specializuara. Keto aparatura jane klasifikuar edhe nga Organizata Boterore e Shendetesise, si pajisje te sofi stikuara me nje marzh te paperfillshem gabimi. Keshtu, sipas raportit te fundit te Institutit te shendetit Publik, rezulton se qendra e qytetit eshte e ndotur 4 here me shume se niveli i lejuar. Ne periferi kjo ndotje eshte 2 here me shume se niveli i normes se lejuar.

Ndotja
"Te dhenat me te fundit qe japin aparaturat supermoderne te vendosura ne Tirane, per tre muajt e fundit, tregojne se ndotja ka pasur me shume rritje, nga sa eshte raportuar deri me tani. Raporti i fundit referonte se ndotja ka qene 3 here mbi normat e lejuara dhe rezultatet e matjeve te muajve te fundit tregojne se ka pasur edhe me shume rritje. Po t'u hedhim nje sy te dhenave verehet qarte qe shkaku kryesor i ndotjes jane pluhurat e makinave dhe grimcat nga papastertite e rrugeve dhe nga mospastrimi i tyre", deklaroi zevendesministri i Shendetesise, Bardh Spahia. Sipas tij, keto shifra, jane gjithmone me tendence ne rritje. "Rritja deri ne 40 per qind ka qene si pasoje e punimeve ne sheshin "Skenderbej". Keto shifra alarmante vijne si shkak i moszgjidhjes se problemit te trafi kut, mosmarrjen e masave te duhura per pastrimin e qytetit dhe mungesa e hapesirave te gjelbra me nivelet e vendeve normale", theksoi Spahia.
Sipas raportit te Institutit te Shendetit Publik, por edhe sipas vleresimit qe ka bere Organizata Boterore e Shendetesise, grimcat qe qarkullojne ne mjedisin e kryeqytetit konsiderohen te rrezikshme. Ne matjet e bera me aparaturat e reja tregohet se grimcat e imeta ne qender e kalojne normen e lejuar me 4 here. Nderkohe qe te njejtat grimca ne periferi e kalojne normen e lejuar te ndotjes 2 here me shume. Ndotesit e ajrit te verifikuar ne matjet e Institutit te Shendetit Publik jane kryesisht dyoksid azoti. NO2 kryesisht shkaktohet nga shkarkimi i automjeteve. "80 per qind e automjeteve ne vendin tone perdorin motor diesel qe nxjerr squfur", thuhet ne raportin e ISHP-se per monitorimin e ajrit. Ozoni 03 ndotes sekondar nga reaksioni i hidrokarbureve me diellin, eshte tej normave te lejuara.
Nderkohe, duke krahasuar te dhenat e raportit mjedisor te vitit 2009, publikuar ne shkurt te ketij viti, pergjate 6 muajve kemi rritje te ndotjes ne kryeqytet....
Avatari i antarit
DNP
 
Postime: 264
Antarësuar: 28 Shkurt 2010, 05:14

Përpara

Kthehu tek Ndotja e ajrit

Kush është në linjë

Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar i regjistruar dhe 2 vizitorë

cron