Shqiperia dhe ndryshimet klimatike

Diskutoni, informohuni dhe pyesni rreth ndryshimeve klimatike dhe ndikimit të tyre në Shqipëri.

Shqiperia dhe ndryshimet klimatike

Postonga Edvin » 27 Nëntor 2009, 12:35

Ndryshimet klimatike ne Shqiperi kane filluar te ndjehen qe ne gjysmen e dyte te viteve nentedhjete, duke u bere me evidente rreth 1997, vit kur dimri erdhi me pak, dhe ne shume zona te Shqiperise, me aspak bore. Zakonisht, ne zonat malore te Shqiperise binte shume bore gjate dimrit (nganjehere shkonte deri ne 2-3 m lartesi, por ne 1997 i gjithe dimri ishte i ngrohte, dhe pranvera erdhi e nxehte, me nje mars e prill te nxehte e me pak shi. Qe nga ai vit, dimrat ne Shqiperi jane bere gjithnje e me te shkurter e me te ngrohte, ndersa verat jane bere me te gjata dhe me te nxehta, nganjehere me temperatura mbi 40⁰C.
Thatesirat ne vere, te shoqeruara nga permbytje ne vjeshte, jane bere fenomene te pervitshme. Ndikimet e ndryshimeve klimatike jane bere tashme te dukshme me sy te lire. Brigjet pergjate Adriatikut po gerryhen ne te gjithe gjatesine e bregdetit per shkak te rritjes se nivelit te detit--ne disa zona, deti ka perparuar deri ne 50 m ne brendesi te tokes, duke shkaterruar pyjet bregdetare dhe bimesine, si dhe duke rritur kripesine e lagunave dhe fushave prane bregdetit. Rritja e nivelit te detit ka sjelle demtime serioze ne pyjet e bukur me pisha mesdhetare qe gjendeshin pergjate gjithe bregdetit te Adriatikut. Shume nga pemet jane thare e po thahen nga rritja e kripesise. Ne pika te tjera, sasia e kripes ne ujin e puseve te fshatrave bregdetare eshte rritur ndjeshem, duke shkaterruar ekonomine e ketyre fshatrave.

Ndryshimet klimatike kane rritur gjithashtu dhe numrin dhe intensitetin e zjarreve ne Shqiperi. Gjate 2006-2007, kishte 352 zjarre qe dogjen parqe e pyje ne te gjithe Shqiperine, duke shkaterruar ekosisteme te tera. Ne disa zona, mund te ecje me makine me kilometra te tera pa pare nje peme qe i kishte shpetuar zjarrit. Ndersa dihen demet e komuniteteve qe jetonin ne zonat malore, nuk dihet aspak demi qe i eshte shkaktuar ekosistemeve ne zonat e djegura. Shkaqet e zjarreve te shpeshta mund te jene temperaturat teper te larta ne vere, thatesirat e tejzgjatura dhe shkrirja heret e bores neper male. Ne Kukës, mali Gjallica (2468 m mbi nivelin e detit) kishte majen e tij te mbuluar nga bora nga Shtatori deri ne Qershor. Tani mezi mund te gjesh bore ne maje ne muajin Prill ose Maj. Ndryshimet klimatike sollen dimrat te bute, qe favorizuan rritjen e bimeve tropikale edhe ne Shqiperi, dhe solli shfaqjen e mushkonjave ne lartesi mbi 400-500 m mbi nivelin e detit (mushkonjat ishin te pranishme vetem ne lartesi te uleta para 1990). Stinet kane ndryshuar gjithashtu, tashme pemet nuk leshojne gjethet ne tetor dhe nuk celin lule ne mars, ato leshojne gjethet vone ne nentor dhe celin lule edhe ne fund te janarit.

Ne 2009, ndryshimet ishin edhe me te theksuara--pati nje dimer te bute me shume shi, por ajo qe ishte me habitshme ishte se vera erdhi me shume shi, nje shi i pazakonte per veren shqiptare, ndersa ne Indi musonet erdhen me shume vonese duke shkaterruar te korrat e fshatareve atje.

Qeveria dhe publiku shqiptar jane te pandergjegjesuar dhe te painformuar per ndryshimet klimatike dhe ndikimet e tyre, ka nje padituri dhe shume here mohim te ketyre efekteve. Instituti i Politikave Mjedisore po punon shume qe kjo ceshtje te ngrihet ne nivelet qe duhet dhe te informoje publikun mbi kete ceshtje.

Edvin Pacara

http://www.climatefrontlines.org/en-GB/node/249
Shtojca
P8232049.jpg
Pishat e rrezuara nga deti ne avancim e siper.
P8232049.jpg (183.68 KiB) Parë 33120 herë
Avatari i antarit
Edvin
Site Admin
 
Postime: 640
Antarësuar: 22 Shtator 2009, 15:34
Vendodhja: Tiranë, Shqipëri

Ndryshimet klimatike dhe konsumi i shqiptarëve

Postonga Edvin » 09 Dhjetor 2009, 01:27

Nga Camille Nuamah
Marrë nga Gazeta Panorama

Kanë kaluar 20 vjet që nga rrëzimi i diktaturës, por ndikimet e ndryshimeve klimatike do të duan më pak se 20 vjet që të jenë të prekshme. A janë shqiptarët gati të zgjedhin një model konsumi më të qëndrueshëm?

Shqipëria është ndër vendet më të prekura në rajon përsa i takon prirjes së ndryshimeve klimatike. Gjatë 15 vjetëve të fundit janë vënë re tashmë modele të ndryshimit të motit me rritje të temperature, pakësimit të reshjeve dhe në mënyrë më të shpeshtë se më parë fenomene ekstreme, si përmbytje apo thatësira. Pyet çdo operator të hidrocentraleve të vogla, nëse për çdo vit që kalon reshjet e dëborës janë pakësuar ose jo, nëse bora shkrin më herët dhe më shpejt. Parashikimet tregojnë se reshjet e shiut në verë do të pakësohen me 10%, deri në 2020 dhe me 20% deri në 2050.

Këto ndryshime do të kenë një ndikim direkt mbi bujqësinë dhe prodhimin e energjisë, dhe si rezultat, edhe mbi jetën e gjithsecilit. Fakti i thjeshtë është se produktet që blejmë, i përdorim dhe pastaj i hedhim pa kujdes kudo, konsumojnë burimet natyrore shumë më shpejt sesa mund të rikuperohen nga funksionet ekologjike të planetit tonë. Nëse nuk do të merrnim masa të ndryshonim modelet aktuale të konsumit dhe menaxhojmë kërkesat e ardhshme, burimet thjesht do të pakësoheshin. Mënyra e jetesës për fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve tanë nuk do të ishte e mundur.

Për më tepër, Shqipëria ka mundësi të mëdha të papërdorura. Situata aktuale e mungesave në furnizimin dhe përdorimin e ujit, energjisë dhe burimeve të tjera natyrore, mund të ndryshonte për mirë me një kosto financiare relativisht të ulët. Veprime të tilla mund të ndihmonin të menaxhoheshin ndikimet e ndryshimeve klimatike. Por kjo do të kërkonte nga çdo shqiptar, dhe jo vetëm qeveria apo sektori privat, që të bëhej i ndërgjegjshëm për ndryshimin e sjelljes së vet.

Që nga fillimi i tranzicionit, shqiptarët janë përpjekur të kapin çdo moment të humbur: të kapërcejnë vitet dhe kujtimet e mungesave, duke blerë dhe konsumuar si gjithë fqinjët e tyre. Vendi i ka kapur nivelet e të ardhurave të disa prej republikave ish-Jugosllave dhe tani aspiron të arrijë nivelet e konsumit të miqve dhe fqinjëve në Itali, Greqi dhe vende të tjera të BE-së. Por në fillimet e dekadës së dytë të mijëvjeçarit të ri, ne gjendemi përballë një kërcënimi të ndryshëm, jo më të tiranisë politike, por të realitetit mjedisor. Burimet e planetit tonë po pakësohen me një ritëm të shpejtë dhe Shqipëria do ta vuajë këtë së bashku me pjesën tjetër të botës.
Pra, ç’mund të bëjë çdo shqiptar? Ka shumë mundësi, të cilat do ta ndryshonin në mënyrë të dukshme jetën tonë.

Le të marrim konsumin e energjisë. Për shembull, përdorimi i llambave ekonomike, inkandenshente në vend të atyre të zakonshmeve (CFL) do ta ulte tri herë konsumin e energjisë elektrike për ndriçim. Instalimi i paneleve diellorë, vendosja e dritareve me xham të dyfishtë apo izolimi termik do të ndikonte edhe më shumë. Çmimet e energjisë elektrike po rriten, sepse kostoja e sigurimit të saj nuk përfshin vetëm koston e prodhimit, por edhe koston mjedisore të humbjes së energjisë elektrike. Kursimi i saj do të ishte jo vetëm përgjegjshmëri ndaj mjedisit, por edhe fitimprurës nga pikëpamja financiare.

Ose të marrim konsumin e ujit. Burimet ujore të Shqipërisë përdoren për furnizimin me ujë, energji, industri dhe bujqësi. Por pikërisht, sepse ka pak kërkesë në menaxhimin e tyre dhe shumë shpërdorime, Shqipëria konsumon dy herë më shumë ujë sesa shpenzon konsumatori evropian në vit. Çmimi për ujin dhe ujitjen është kaq i ulët, saqë përpjekjet për ta kursyer atë janë të pakta.

Ndoshta shembulli më i fundit më i rrezikshëm është ai i ndotjes së ujit, tokës dhe ajrit. Shihen shpesh hapësira të lira, shtretër lumenjsh, rrugë dhe plazhe që janë kthyer në vende ku mund të hidhen plehra dhe mbeturina pa limit. Por ajo që sot është një hapësirë e lirë, nesër ndoshta mund të kthehet në një sipërfaqe të papërdorshme për ndërtimin e një shkolle apo qendre shëndetësore të re, për të cilën komuniteti ka aq nevojë. Sigurisht që pushteti qendror dhe ai vendor duhet të luajnë rolin e tyre, por njerëzit sot me pakujdesinë dhe sjelljen e tyre dritëshkurtër, vetëm sa ngrenë kostot e pastrimit të nesërm, taksat apo borxhet që do të paguhen për ta pastruar.

Kanë kaluar 20 vjet që nga rrëzimi i diktaturës, por ndikimet e ndryshimeve klimatike do të duan më pak se 20 vjet që të jenë të prekshme. A janë shqiptarët gati të zgjedhin një model konsumi më të qëndrueshëm për një të ardhme më të mirë?

*Camille Nuamah është Përfaqësuese e Përhershme e Bankës Botërore në Tiranë. Banka Botërore mbështet menaxhimin e mjedisit në Shqipëri përmes një numër projektesh dhe programesh. Kohët e fundit, Banka Botërore sponsorizoi konsultime dhe dialog mes teknicienëve, studiuesve dhe hartuesve të politikave mbi mënyrat e adaptimit të sektorit energjetik ndaj ndryshimeve klimatike. Për më shumë ju lutemi vizitoni: www.worldbank.org.al.
Avatari i antarit
Edvin
Site Admin
 
Postime: 640
Antarësuar: 22 Shtator 2009, 15:34
Vendodhja: Tiranë, Shqipëri

Kopenhageni si simbol kthese

Postonga Edvin » 12 Dhjetor 2009, 18:56

Kopenhageni si simbol kthese

Nga Edvin Pacara dhe Ilir Kalemaj*

Gazeta Shekulli, dhjetor 2009

Sektori teknologjik i energjisë së pastër mendohet të shndërrohet në një industri prej 1.6 triliardë eurosh, dhe të zërë vendin e tretë në 2020 mbas sektorit industrial dhe atij të automobilëve sipas agjencisë së lajmeve AFP e cila ka cituar Fondin Botëror për Natyrën. Gjermania, Shtetet e Bashkuara dhe Japonia janë vendet lider në këtë proces, ndërkohë që përkushtimi i Kinës, Brazilit dhe grupit të vendeve me zhvillim të shpejtë ekonomik, pjesë e G-20ës po shtohet me ritme të jashtëzakonshme duke sinjalizuar një ndërgjegjësim në rritje të vendeve të industrializuara për rrezikshmërinë që vjen nga ngrohja globale dhe efektet shkatërruese të një pjese të industrisë në mjedis. Ndërkohë që në kuadër të Samitit të Kopenhagenit, vendet e BE-së me në krye Britania e Madhe, të ndjekur nga Franca dhe Gjermania, u zotuan që BE do të kontribuojnë me 2.4 miliardë euro në vit për vendet e varfra që të përballen me ndikimet e ngrohjes globale, duke filluar nga janari i viti të ardhshëm dhe duke tejkaluar dukshëm zotimin e mëparshëm.

Administrata e Obamës bëri një kthesë radikale të hënën me 7 dhjetor, duke vendosur kuota në ndotjen e lejuar nga makinat, fabrikat dhe uzinat pasi fakte të pakundërshtueshme të paraqitura nga EPA (Agjencia e Mbrojtjes së Mjedisit) që tregonin së gazet që shkaktojnë ngrohjen globale, dëmtojnë shumë edhe shëndetin e njeriut. Kjo administratë, me bekimin e Presidentit Obama dhe vendosja e kuotave limit për ndotjen e lejuar kanë bërë që SH.B.A të shënojë një kthesë 180 gradëshe në krahasim me sjelljen e administratës Bush që mbështeste lobin e industrialistëve dhe arriti sa të tërhiqej nga Protokolli i Kiotos. Kur Al Gore, nisi fushatën për rritjen e ndërgjegjësimit për efektet e ngrohjes globale shumë pak e morën seriozisht Aktin e Ajrit të Pastër, të amenduar që në 1990, por marrja e çmimit Nobel për këtë qëllim (bashkë me panelin e shkencëtarëve ambjentalistë të OKB-së me të cilët e ndau), e shoqëruar me të dhëna shkencore mjaft të besueshme për efektet e shkaktuara dhe të pritshme, bënë që brenda pak kohe, ky të kthehet në problemin kryesor të njerëzimit. Sot bota është e bashkuar më tepër se kurrë drejt një qëllimi të përbashkët: shpëtimit të planetit dhe parametrave të pranueshëm ekologjikë dhe diferencat janë kryesisht në metodat që duhen ndjekur dhe thuajse askush nuk kundërshton procesin.

Me të drejtë lind pyetja: po Shqipëria si po i përgjigjet kësaj dinamike të zhvillimit të ngjarjeve? Cilat janë masat konkrete praktike apo të reflektuara në legjislacion që dëshmojnë për një filozofi të re në lidhje me pasurinë mjedisore, reduktimin e emetimeve të karbonit në atmosferë, zhvillimin e një strategjie kryesisht turistike përkundër asaj industrialo-energjetike apo kushtëzimin e investimit të huaj mbi parametra universalë që respektojnë mbrojtjen e mjedisit. A ka ndonjë nismë që reflekton këtë dinamikë që po vihet re në arenën ndërkombëtare apo thjesht dhe vetëm bëjmë rolin e të paditurit dhe vazhdojmë me politika që rrezikojnë të na kthejnë në një ‘superfuçi ’ të rajonit siç ka vërejtur Ardian Klosi në një shkrim të tijin kohë më parë.

Më tepër se 7 fabrika çimentosh të cilat po shpërbëjnë pasuritë natyrore jo më larg se 20 kilometra vijë ajrore nga Tirana në veri të saj, dhe me një TEC të ri që pritet të ndërtohet në Porto-Romano, ku erërat e veriut në rastin e parë dhe të detit që vijnë nga perëndimi në të dytin, do bëjnë që brenda minutash efekti t`u përcillet drejtëpërsëdrejti qytetarëve të metropolit shqiptarë, janë një realitet shumë i prekshëm dhe i hidhur fatkeqësisht. Për më tepër kur mendon se përfitimi ekonomik i këtyre fabrikave vdekjeprurëse nuk është aspak përfitues në planin e punësimit (asnjë shqiptar i punësuar veç rojeve), ku fshatarët e zonave përreth marrin peshqesh veç sëmundje kancerogjene dhe në vend të tyre punësohen kinezë, turq apo arabë dhe u mohohet edhe ai premtim fillestar për një kompensim qesharak mujor me të cilin u gënjyen në fillim. As në planin e përfitimit të përgjithshëm të zhvillimit të vendit, as si të ardhura neto për buxhetin e shtetit nuk justifikojnë aspak dëmin e pariparueshëm ekologjik që shkaktohet dhe është e pafalshme që pushtetarët tanë të shesin pasuri të paçmueshme kombëtare për hiçasgjë.

Shpresojmë që Kopenhageni të shërbejë si kthesë për politikat e qeverisë shqiptare, për fillimin e ndalimit të shkatërrimit të mjedisit dhe mbrojtjes së tij, për shëndetin dhe jetën e shqiptarëve, si dhe mbrojtjen e mjedisin në kuadrin botëror, pasi ndotja nuk njeh kufinj, parti apo bindje politike.

*Instituti i Politikave Mjedisore
Avatari i antarit
Edvin
Site Admin
 
Postime: 640
Antarësuar: 22 Shtator 2009, 15:34
Vendodhja: Tiranë, Shqipëri

Re: Shqiperia dhe ndryshimet klimatike

Postonga Edvin » 28 Dhjetor 2009, 13:40

Drini pranë shpërthimit, prurjet në kulm
Fushat e Shkodrës dhe Lezhës rrezikojnë përmbytje gjatë ditëve të ardhshme
Gazeta Shqip. 28.12.2009
Gjergj Erebara
Ministria e Ekonomisë paralajmëroi dje situata emergjence dhe përmbytje të mundshme në ultësirën veriore të Shqipërisë si pasojë e prurjeve të stërmëdha të ujit në lumenjtë Drin dhe Mat, si dhe rritjes së jashtëzakonshme të niveleve të ujit në liqenet e hidrocentraleve. Moti i pazakontë i ngrohtë në zonat e larta të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë ka sjellë shkrirjen e dëborës. Shoqëruar kjo me reshjet e shumta të shiut gjatë ditëve të fundit, prurjet në kaskadën e Fierzës kanë qenë 1350 metra kub për sekondë, shifër kjo që ndodh shumë rrallë.
"Prurjet e ujërave në kaskadën e Drinit kanë pësuar rritje të jashtëzakonshme gjatë gjithë natës së datës 26 dhjetor, duke vazhduar ditën e datës 27, për shkak të shirave të vazhdueshëm dhe shkrirjes së dëborës në zonat malore", deklaroi dje ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti.
"Për shkak të rritjes së nivelit pranë kufijve të lejuar dhe shmangien e katastrofave, në përputhje me rregulloren mbi shkarkimin, në mëngjesin e datës 27, në orën 09.10, janë hapur portat e shkarkimit në HEC Koman dhe më pas, në orën 11.20 janë hapur edhe portat e shkarkimit në HEC Vau i Dejës, prej të cilave po shkarkohen rreth 400m3/s", vijoi Prifti.

Fierza pushim
Prurjet anësore në hidrocentralin e Komanit, i cili mbledh ujërat e shiut në alpet shqiptare, janë aktualisht 1220 metra kub në sekondë, ndërsa hidrocentrali nuk është në gjendje ta shpenzojë të gjithë këtë sasi për prodhim. Duke qenë se niveli i ujit në këtë liqen është aktualisht 174.5 metra mbi nivelin e detit nga 175 metra që lejohet, Fierza është mbajtur e mbyllur. Por, edhe Fierza ka mbërritur në pikën e ngopjes dhe ministria thotë se është çështje orësh para se ky hidrocentral të vihet në punë. Por, në çastin që Fierza vihet në punë, prurjet në Koman e më tej në Vaun e Dejës, rriten, duke shtuar rrezikun e çarjes së digave mbrojtëse në ultësirat e Lezhës e Shkodrës.
"Megjithëse shkarkimi i ujërave të tepërta është duke u kryer në mënyrën më graduale të mundshme, duke përdorur në maksimum prodhimin vendas, ngritja e temperaturave, reshjet e shumta në rajon, parashikimi për vazhdimin e tyre në ditët e ardhshme dhe futja në punë e HEC Fierzë, mund të sjellë rritje të konsiderueshme të derdhjeve në pjesën fundore të kaskadës së Drinit", tha Prifti në një konferencë urgjente për shtyp.
Në ditët e ardhshme pritet që prurjet në pjesën e poshtme të Drinit të mbërrijnë në 3-4 mijë metra kub ujë në sekondë, sasi kjo që mund të shkaktojë përmbytje të konsiderueshme.

http://www.gazeta-shqip.com/artikull.php?id=78589

Moti i nxehte i pazakonte, sic po quhet ne shtypin shqiptar, nuk eshte gje tjeter vecse nje rritje e temperaturave si pasoje e ngrohjes globale. Kjo eshte paralajmeruar dhe priten dimra me permbytje dhe shkrirje bore e parakohshme. Pervec permbytjeve ne dimer, kjo sjell edhe mungese uji ne vere, pasi bora nuk qendron me ne majat e maleve qe te shkrihet dalengadale.
Avatari i antarit
Edvin
Site Admin
 
Postime: 640
Antarësuar: 22 Shtator 2009, 15:34
Vendodhja: Tiranë, Shqipëri

Re: Shqiperia dhe ndryshimet klimatike

Postonga Edvin » 29 Dhjetor 2009, 20:06

Shkretojmë lokalisht, gënjejmë globalisht
Gazeta Shqip
29/12/2009
Lavdosh Ferruni


Kopenhagë, 17 dhjetor 2009. Kryeministri i Shqipërisë u drejtohet liderëve të botës dhe audiencës prej 45 mijë personalitetesh të të gjitha fushave nga rreth 200 vende të botës me një shou-fjalim: “Shqipëria synon drejt një ekonomie pa karbon”; “Ne po i përmbahemi parimit: Të veprojmë lokalisht dhe të mendojmë globalisht”; “Shqipëria mbetet e gatshme... për të vënë në jetë vendimet e këtij samiti të rëndësishëm”, ishin sloganet e përhapura në këtë audiencë.

Kopenhagë, 18 dhjetor duke u gdhirë 19 dhjetor 2009. Liderët e botës me përgjegjësi të madhe e me një transparencë mbarëbotërore vendosin për marrëveshjen globale të reduktimit të emetimit të gazrave serë, për të mbajtur rritjen e temperaturës globale poshtë 2 gradë Celsius, që konsiderohet nga shkenca si prag kritik, për të shmangur katastrofën klimatike.

Tiranë, 18 dhjetor 2009. Sipas porosisë, më saktë urdhrit të liderit shqiptar z. Berisha, në mënyrë krejt të papërgjegjshme dhe krejtësisht fshehurazi, në Ministrinë e Ekonomisë organizohet tenderimi për të vendosur tender fituesin, me të cilin do bëhej një marrëveshje që do të shtonte jo pak emetimin e gazrave serë, në një cep të bukur të Tokës, që quhet Vlorë. Sipas kësaj masakër–marrëveshje, e cila pret firmat e fundit, do të rrafshohen 500 hektarë të pyllit me pisha të Vlorës (të Sodës e quajnë disa), furnizuesin e vetëm me oksigjen të qytetit dhe absorbuesin më të madh të gazit karbonik të emetuar me shumicë edhe tani në Vlorë, për të mbjellë aty qindra oxhaqe që do vjellin gaz karbonik dhe gazra të tjerë helmues. Është fjala për marrëveshjen e transformimit të zonës së zënë me pyll e plazh në “zonë të lirë”. Berisha e ka hedhur firmën për të në VKM. Tani priten dhe kartonët e Kuvendit për miratimin përfundimtar të masakër-marrëveshjes. Kjo marrëveshje është pazgjidhshmërisht e lidhur me atë të ndërtimit të portit të kontejnerëve me kapacitet të stërmadh prej 3 milionë kontejnerësh, apo 200 herë më të madh se Porti i Durrësit. Duke lënë mënjanë në kuadër të këtij shkrimi, shkatërrimin ekologjik dhe ekonomik të Gjirit të Vlorës prej këtij porti, vlen të shihet sa gaz karbonik vjell kjo vepër. Tre milionë kontejnerë, që janë kapaciteti i këtij porti, është ekuivalent i 3 milionë kamionëve në vit. Duke ditur që një kamion emeton rreth 110 kg CO2 për çdo 100 km e nëse llogaritet një distancë mesatare e rrugës së përshkuar për çdo kamion prej afërsisht 250 km në territorin shqiptar, rezulton se në vit vetëm si efekt i portit do të shkarkohen në rrugët e Shqipërisë rreth 1 milion tonë CO2. Kjo shifër do të thotë rritje e përvitshme prej mbi 10% të emetimeve të CO2 në Shqipëri, krahasuar me nivelin e sotëm. Mungojnë të dhënat se në ç’përmasa do rriteshin emisionet prej industrive që do instaloheshin në zonë e lirë. Nga ana tjetër, janë lehtësisht të kuptueshme problemet e mëdha sociale që do të shkaktoheshin nga futja e mijëra punëtorëve të huaj (aziatikë, afrikanë etj.) me paga shumë të ulëta në një zonë me potenciale të mëdha turistike.

Tiranë, 19 dhjetor 2009. Berisha del në konferencë shtypi dhe bën të kuptojë median dhe publikun e gjerë se angazhimet e tij në emër të Shqipërisë në Kopenhagë kishin qenë vetëm një gënjeshtër në nivel global. Ai jo vetëm paturpësisht justifikoi dështimin kriminalo-spektakolar të TEC-it fosil të Vlorës, por la të kuptohet se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga monstra tjetër fosile, TEC-i me qymyr i Porto Romanos, për të cilin ka parashikuar tenderin më 10 janar 2010. Ky TEC sapo të vihet në punë rrit me 100% emetimet e dyoksidit të karbonit në Shqipëri. Ai do emetojë plot 9 milionë tonë CO2 në vit, veç shkretimit që përhap ky TEC përbindësh në një rreze të paktën prej 50 km. Ndërsa në Kopenhagë flet për synim drejt një ekonomie pa karbon, tashmë Berisha e ka fiksuar në gjithë dokumentet strategjikë, përfshirë edhe në “Komunikimin e dytë kombëtar të Shqipërisë për konferencën e palëve në Konventën për Ndryshimet e Klimës në kuadër të Kombeve të Bashkuara”, publikuar vetëm pak javë para Samitit të Kopenhagës, që energjia e gjeneruar nga burime fosile në Shqipëri të arrijë në vitin 2025 në 59% nga 5% që është sot.

Ajo që mund të ketë bërë dyshues cilindo në Kopenhagë dhe natyrisht në Shqipëri, është deklarimi i Berishës atje se: “Deri tani janë licencuar mbi 2000 MW parqe eolike, mijëra të tjera janë në studim e sipër”. Kjo aureolë euforike duket krijohet qëllimisht për të mbuluar një nga aferat që ka të ngjarë të jetë nga më korruptivet e tranzicionit shqiptar, që është kalimi i gadishullit të Karaburunit në përdorim të një kompanie siciliane, për ndërtimin atje të një parku eolik monstër prej 500 MW, më i madhi në Europë. Kjo monstër e përbërë prej 250 kullave të hekurta nga 117 m të larta secila, të vendosura kryesisht në kreshtën e gadishullit të Karaburunit, i cili është quajtur si “vendi mitik, kartolina se ç’ka qenë Mesdheu”, “...pasuria më e madhe për rajonin si mënyrë për tërheqjen e turistëve nga Bashkimi Europian” (Profesor Belmonte, 2008), duke e shpartalluar atë me 150 km rrugë nëpër këtë ekosistem, tashmë zonë e mbrojtur mund të jetë e pranueshme vetëm nga një Kryeministër si Sali Berisha. Ndërsa është e pabesueshme se si një Kryeministër mundet të detyrojë pronarët qindravjeçarë të një treve, si Dukatasit në rastin konkret, të zbythen nga trojet e tyre për t’ia dhënë këtë territor një kompanie të huaj për maksimalizimin e fitimeve të saj, e për më tepër të fusë në arkën e shtetit vetëm 1 euro. Nëse do t’i quanim të realizuara vetëm licencat që paska dhënë Kryeministri ynë prej 2000 MW parqe eolike, sipas raportit botëror të vitit 2008 (Shoqata Botërore për Energjinë e Erës), Shqipëria do të renditej e 13 në botë për kapacitete të instaluara të energjisë së erës, pak më pak se Italia, duke lënë pas edhe shtete si Japonia dhe Australia. Kur Kryeministri thotë se po studiohen edhe mijëra të tjera, veçse bëhet grotesk. Shqipëria, sipas studimeve të shumta, nuk bën pjesë aspak në hartën e vendeve me parametra më të mirë të burimeve të erës.

Tjetër, parqet e erës duke qenë se kërkojnë hapësira të mëdha për t’u instaluar turbinat nuk favorizojnë vendet me dendësi të madhe popullsie dhe ku toka është e paktë, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Kjo është arsyeja që Italia, me gjithë nevojat e mëdha për energji të rinovueshme që ajo ka dhe territoret me kushtet më të favorshme të saj për përdorimin e energjisë së erës, si në Sardenjë apo në Sicili, po tenton të kalojë me instalimin e parqeve të erës në det dhe ambicia është të arrijë deri 6-7% e kërkesës për energji nga era në 2020, kundrejt 1.97% në vitin 2008. Kurse sipas Berishës, Shqipëria kërcen në 60% energji të gjeneruar nga era, duke kaluar automatikisht vendi i parë në botë me këtë strukturë prodhimi të energjisë. E gjithë Sicilia me 5.2 milionë banorë dhe një territor gati sa Shqipëria (25460 km2), ka të instaluar një fuqi nga era prej 795 MW. Si rrjedhojë e dendësisë së popullsisë, por edhe e mbrojtjes së peizazhit dhe të turizmit parqet e erës nuk janë aspak të përmasave të atij të Karaburunit (500 MW). Parku më i madh i erës në Europë, ai i Marankonës në Spanjë, ka një kapacitet vetëm 208 MW, kurse në Itali më i madhi është ai i Francofontes në Sicili me 72 MW. Sardenia ka 272 MW kapacitet të instaluar nga era të shpërndarë në 15 parqe ere, pra mesatarisht vetëm 18 MW. Në gjithë Italinë, madhësia mesatare e parqeve eolike është 30 MW. A thua do të kundërshtohej në Shqipëri ndërtimi i disa parqeve të kësaj madhësie? Sigurisht që jo, ashtu si nuk ka pasur kundërshtim, madje ka pasur mbështetje për mbi 100 hidrocentrale të vegjël të licencuar, ashtu siç nuk janë kundërshtuar edhe disa parqe të tjera eolike në vend. Por parku i Karaburunit është absolutisht i patolerueshëm në çdo anë që ta zësh.

21 dhjetor 2009. “Unë u kërkoj të gjitha qeverive të firmosin zyrtarisht marrëveshjen e Kopenhagës, duke regjistruar mbështetjen e tyre”, tha sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon. “Sa më shpejt të kemi të gjithë firmat, më shumë forcë ne i japim asaj”, shtoi ai. Shqipëria, sipas dokumentit të paraqitur publikisht prej qeverisë dhe PNUD-it, duhet të arrijë të reduktojë 48% të emetimeve të CO2 në vitin 2025, krahasuar me vitin 2010. Nuk dihet akoma nëse do jetë Berisha ndër të parët kryetarë shtetesh që do ta firmosë apo jo këtë marrëveshje botërore?

Viti 2010

Ka shumë të ngjarë që Berisha të shfrytëzojë vitin 2010, i cili do të jetë viti tranzitor që do ta kthejë marrëveshjen e Kopenhagës në marrëveshje ligjërisht të detyrueshme (dhjetor 2010, Mexico COP 16), për ta vendosur komunitetin ndërkombëtar para faktit të kryer me veprat, që do të shumëfishonin emetimet e CO2 në atmosferë, duke firmosur kontratat për TEC-in me qymyr në Durrës, kompleksin e veprave të stërmëdha shkatërrimtare të Gjirit turistik të Vlorës dhe serinë e fabrikave të çimentos përgjatë ultësirës veriore të vendit, të cilat jo vetëm që rrisin me të paktën 50% emetimet e CO2 kundrejt nivelit të sotëm, por shkretojnë me qindra hektarë pyll shkurrishtash mesdhetare.

Ka shumë të ngjarë që amullia politike, dukshëm evidente edhe në fillim të vitit që vjen, të përdoret për të kthyer në kontrata ligjore veprat e mësipërme, që në nivel kombëtar e fusin vendin në një qorrsokak, ku ai humbet tërësisht fizionominë e vet dhe kthehet në një truall për t’u përdorur për disa dekada nga multinacionalet e fqinji i pasur përtej detit. Kjo vendimmarrje do e linte Shqipërinë në bisht të Europës pa asnjë shans për t’iu afruar asaj në dekadat e ardhshme.

Nëse shqiptarët do t’ia lënë në dorë këtë moment tepër delikat papërgjegjshmërisë vendimmarrëse të Berishës, do të ishte e pafalshme. Për hir të së vërtetës, duke konsideruar kokëfortësinë dukshëm pleksur me elemente korruptive, qoftë ekonomike apo politike të Berishës dhe duke njohur autoritetin absolut të tij në grupin parlamentar të PD-së, janë 4 deputetët e LSI-së që vihen para një momenti historik për të shmangur futjen e Shqipërisë në 2010-n në qorrsokakun e diktuar nga Berisha. E gjithë kjo zallamahi politike aktuale shpejt do të harrohet, sapo të arrihet një kompromis. Ajo që do të përbëjë referencë historike për Shqipërinë është pikërisht lejimi ose ndalimi i ekzekutimit të planeve të stërmëdha të mbrapshta ekonomike të Berishës.

http://216.75.13.41/
Avatari i antarit
Edvin
Site Admin
 
Postime: 640
Antarësuar: 22 Shtator 2009, 15:34
Vendodhja: Tiranë, Shqipëri

Re: Shqiperia dhe ndryshimet klimatike

Postonga Edvin » 31 Dhjetor 2009, 15:49

Sot me date 31 dhjetor 2009, temperatura ne diell ne Tirane arriti deri ne 27 grade celcius, nje shenje kjo e pakundershtueshme qe efektet e ngrohjes globale po ndihen tani gjate te gjithe vitit ne Shqiperi. Nje temperature e tille eshte e pazakonte ne diten e nderrimit te viteve ne Tirane.
Per ta ilustruar kete, po sjelle nje foto te bere nga E.Pepi sot ne Tirane:
Shtojca
19778_260155106347_602456347_4878444_5637849_n.jpg
Temperatura e jashtme ne diell arrin 27 grade celcius me 31 dhjetor 2009!
19778_260155106347_602456347_4878444_5637849_n.jpg (39.34 KiB) Parë 32942 herë
Avatari i antarit
Edvin
Site Admin
 
Postime: 640
Antarësuar: 22 Shtator 2009, 15:34
Vendodhja: Tiranë, Shqipëri

Re: Shqiperia dhe ndryshimet klimatike

Postonga Edvin » 02 Janar 2010, 21:35

Instituti i Politikave Mjedisor ka nje vit qe po ngre problemin e rritjes se shqetesueshme te nivelit te detit, sidomos erozionin e vazhdueshem ne Kune ne Lezhe. Lexoni per me teper dhe shikoni foto ketu: http://www.iep-al.org/index.php?option= ... &Itemid=66

Ajo qe pritej ndodhi sot me 2 janar 2010, kur deti shkaterroi rripin e holle te reres qe ndante lagunen e Kune Vainit me detin, duke u futur ne brendesi dhe duke rritur nivelin e ujit ne lagune aq sa permbyti shtepite ne ate zone. Videoja e permbytjeve eshte xhiruar nga Balkanweb:

http://bw.balkanweb.com/videoAlbum/popu ... video=1281

Lezhë, batica përmbyt banesat rreth kënetës
LEZHE- Banorët e zonave të Patokut, Tales, Fushë Kuqes e Ishull Shengjin janë gdhirë mëngjesin e sotëm me shtëpitë e mbushura me ujë.
Dhjetra banesa janë përmbytur si pasojë e baticës që ka carë brezin e rërës duke rritur ndjeshëm nivelin e ujit në kënetë.
Sipas korrespondentit të News24, niveli i ujit ka arritur në 1 metër në banesat rreth kënetës ndërsa aktualisht autoritetet janë në gadishmëri të plotë për tu ardhur në ndihmë banorëve.
Burime zyrtare të Drejtorisë së Emergjencave Civile bëjnë të ditur se nga ana e Prefekturës së Lezhës janë marrë masat e duhura për normalizimin e situatës së krijuar. Në bashkëpunim me forcat e ushtrisë, janë siguruar 4 mjete të transportit të rëndë, të cilat herët në mëngjes, kanë nisur punën për mbushjen me materiale e nevojshme të argjinaturës për të penguar kësisoj depërtimin e ujit ne shtëpitë e banorëve në këto fshatra.
Specialistët e mjedisit e kanë përcaktuar këtë zonë si mjaft problematike përsa i përket përparimit të detit, duke i vlerësuar banesat e fshatit Ishull Shëngjin si më të rrezikuarat.
(e.n/BalkanWeb)


http://bw.balkanweb.com/shqiperi/lezhe- ... -4337.html
Avatari i antarit
Edvin
Site Admin
 
Postime: 640
Antarësuar: 22 Shtator 2009, 15:34
Vendodhja: Tiranë, Shqipëri

Re: Shqiperia dhe ndryshimet klimatike

Postonga Edvin » 05 Janar 2010, 21:33

Fotot e meposhtme jane bere ne vere te 2009-es, shihet qarte avancimi i detit drejt tokes, aq sa ka mbetur nje rrip i holle rere prej jo me shume se 6-7 metrash qe ndan detin nga laguna. Sipas matjeve, deti Mesdhe po rritet me afersisht 1 cm ne vit, dhe nuk do shume mend per te ditur se dhjetera mijera banesa e hotele te ndertuara ne bregdetin shqiptar mu ne buze te detit, se shpejti do te gjenden te rrethuara nga uji, ose do te gerryhen nga forca e rritur e dallgeve te detit. Fenomeni i rritjes se nivelit eshte verejtur pergjate gjithe bregut shqiptar, prandaj do te ishte mire qe shqiptaret te lene paragjykimet per shkencen dhe te fillojne te mendojne per jeten dhe pasurine e tyre qe se shpejti do te jete ne uje...
Shtojca
P8232048.jpg
P8232048.jpg (181.32 KiB) Parë 32885 herë
P8232046.jpg
P8232046.jpg (114.06 KiB) Parë 32885 herë
Avatari i antarit
Edvin
Site Admin
 
Postime: 640
Antarësuar: 22 Shtator 2009, 15:34
Vendodhja: Tiranë, Shqipëri

Re: Shqiperia dhe ndryshimet klimatike

Postonga Edvin » 05 Janar 2010, 21:43

Batica në Lezhë, në rrezik mjaft banesa
LEZHË- Fenomeni i carjes së brezit të rërës dhe depërtimit të detit të kënetë ka gllabëruar një sipërfaqe të konsiderueshme toke në zonën e Shëngjinit, duke përmbytur qindra hektarë dhe disa lokale private.
Njëkohësisht është bllokuar edhe rruga që lidh Shëngjinin me zonën e Kunës, duke izoluar mjaft familje që jetojnë aty.
Erozioni ka dëmtuar edhe brezin e pishave duke vazhduar drejt lagunës, duke vënë në rrezik biodiversitetin në këtë zonë dhe shtëpitë e ndërtuara shumë pranë saj.
Aktualisht detin dhe lagunën i ndan vetëm një brez i shkurtër, por reshjet e fundit dhe baticat e detit e rrezikojnë ekzistencën e zonës së mbrojtur në Kunë.
Për mëse një vitit ekspertët e mjedisit kanë dhënë alarmin sos për katastrofën natyrore që po kërcënon të gjithë zonën e mbrojtur. Ndërkohë paraditen e sotme kryeministri inspektoi argjinaturën mbi lumin Mat dhe argjinaturën që po ngrihet në Ishull Shëngjin. Të dyja këto argjinatura provizore do të pengojnë depërtimin e ujit nga batica e detit. Zona e Lezhës është një nga më të goditurat nga përmbytjet, ku pak ditë më parë dhjetra shtëpi u izoluan nga uji për shkak të fenomenit të baticave dhe bashkimit të ujrave të reshjeve me lumenjtë.
Shtabi i emergjencave civile nuk ka bërë një bilanc të detajuar, kurse banorëve iu është premtuar por deri më tani nuk iu është dhënë asnjë ndihmë.
(m.a/News24/BalkanWeb)
05 Janar 2010

Si dhe ndiqni videon qe pasqyron erozionin:

http://bw.balkanweb.com/TV/index.php?id ... alive=1324
Avatari i antarit
Edvin
Site Admin
 
Postime: 640
Antarësuar: 22 Shtator 2009, 15:34
Vendodhja: Tiranë, Shqipëri

Re: Shqiperia dhe ndryshimet klimatike

Postonga Edvin » 18 Qershor 2010, 17:50

Erozioni detar “ha” Golemin, i merr komunes 970 mije m2
Gazeta Panorama

Ne 25 vitet e fundit, si pasoje e erozionit detar komuna e Golemit ka humbur 970 mije metra katrore truall. E thene ndryshe, brenda nje cerek shekulli deti ka perpire vetem ketu ne Golem nje siperfaqe me te madhe sesa dyfishi i territorit te shtetit te Vatikanit.
Mjaftojne keto shifra per t’u rene kambanave te alarmit, me nje fenomen i cili nuk eshte me vetem holandez, por mbare boteror. Golemi shtrihet ne bregdetin e Adriatikut ne nje gjatesi prej 13 km. Skaji me verior i komunes, e cila kufizohet me Qarkun e Durresit, eshte “Perroi i Agait”, ndersa ne jug kufijte e Golemit mbyllen ne fshatin Karpen. Fenomeni i erozionit detar ne kete komune lind tek plazhi “Mak Albania”, ku deti ka perparuar 10 metra ndersa me ne jug sic jane fshatrat Qerret dhe Karpen, bilanci i humbjeve te terrenit eshte shume here me i larte. Ne plazhin e fshatit Qerret takojme pushues te rastesishem, te cilet jane banore te Kavajes. Ata jane shume te moshuar dhe me deshmite e tyre flasin per pushtimin qe deti po i ben tokes. “Grykederdhja e perroit te Leshnices shenon piken me te nxehte te erozionit detar ne Golem. Sulmi i detit ketu ka qene shume agresiv, pasi uji eshte futur 270 metra ne brendesi te tokes”, tha shefi i zyres se Urbanistikes ne komunen e Golemit, Astrit Berati. Ne fshatin Qerret, bunkeret e vijes se pare te zjarrit te ndertuar ne epoken komuniste nuk duken me. Ato objekte te mbuluara krejtesisht nga deti tashme jane shnderruar ne shkembinj te rrezikshem nenujore. Ndersa bunkeret e vijes se dyte, te cilet ndodheshin ne vitet ’80 gati 200 metra larg detit, jane rrethuar nga te gjitha anet me uje. Keto piketa sherbejne per te dalluar mire forcen e sulmit, te kryer nga zemerimi i natyres. Komuna e Golemit nuk eshte mjaftuar per ta saktesuar fenomenin vetem nga koordinatat e bunkereve. Specialistet e saj kane krahasuar hartat e Institutit Topografik te Ushtrise qe datojne vitin 1985. ”Te dhenat e ushtarakeve te kohes jane krahasuar me studimin satelitor te kryer se fundi ne bregdetin e Golemit”, tha Berati. Rezultatet jane dritheruese. Alarmi eshte percjelle ne dyert e Qeverise. Kjo e fundit e quajti luften ndaj erozionit detar si nje beteje te njerezimit, i cili kercenohet si asnjehere me pare nga shkrirja e akujve dhe rrijtja e pakontrolluar e vellimit te deteve dhe oqeaneve. Perpjekjet e para kunder pushtimit nga deti jane kryer nga sipermarresit turistike te zones nga Qerreti e deri ne fshatin Karpen. Ata kane ndertuar prita, me gure dhe bunkere. Nje gje e tille ka sherbyer per frenimin e fenomenit, por perderisa keto jane perpjekje individuale, beteja me zemerimin e natyres nuk mund te fitohet. Burimet nga zyra e urbanistikes ne Golem thane se deti ka perpire me vrullin e tij nje pasuri kolosale. Ne meter katror truall ne bregdetin e Golemit kushton jo me pak se 120 euro. Ne inventarin e komunes qe nga viti 1985 mungojne plot 970 mije metra katrore, te zonave me te bukura nga keto plazhe ranore. “Padroni“ i ri kesaj siperfaqeje eshte deti.
Avatari i antarit
Edvin
Site Admin
 
Postime: 640
Antarësuar: 22 Shtator 2009, 15:34
Vendodhja: Tiranë, Shqipëri

Përpara

Kthehu tek Ndryshimet klimatike

Kush është në linjë

Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar i regjistruar dhe 1 vizitor

cron